Presidenti Ilir Meta merr pjesë në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare, të organizuar nga Fakulteti i Drejtësisë

590
Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta ishte sot i pranishëm dhe përshëndeti Konferencën Shkencore Ndërkombëtare, e cila u mbajt në Fakultetin e Drejtësisë me rastin e 60-vjetorit të themelimit të Universitetit të Tiranës.

Në kë veprimtari ishin gjithashtu të pranishëm Dekani i këtij Fakulteti Artan Hoxha, Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Lindita Nikolla, Zv.Ministrja e Drejtësisë, Teuta Vodo, anëtarë të stafit pedagogjik të Fakultetit të Drejtësisë dhe të ftuar të tjerë.

Presidenti Meta në fjalën e Tij, duke falënderuar së pari për ftesën, u shpreh se pas aktivitetit që organizoi Gjykata Kushtetuese me rastin e 25-vjetorit të krijimit të saj, ky ishte një tjetër aktivitet shkencor i rëndësishëm, që organizohet në fushën e së drejtës, por që në vetvete i kushtohet dhe nderon 60-vjetorin e themelimit të Universitetit të Tiranës, pjesë e të cilit është dhe Fakulteti i Drejtësisë. 
Fjala e plotë e Presidentit të Republikës
I nderuar z.Hoxha, 
I nderuar z.Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, 
E nderuara Zonja Ministre,
Të nderuar anëtar të stafit pedagogjik të Fakultetit të Drejtësisë,
Të dashur studentë, miq dhe të ftuar, 
Dua t’ju falënderoj përzemërsisht për ftesën, të cilën sinqerisht e prita me shumë kënaqësi. 
Pas konferencës që zhvilloi sot Gjykata Kushtetuese me rastin e 25-vjetorit të krijimit të saj, ky është një tjetër aktivitet shkencor i rëndësishëm në fushën e së drejtës, që organizohet me rastin e 60-vjetorit të themelimit të Universitetit të Tiranës, pjesë e të cilit është dhe Fakulteti i Drejtësisë. 
Ky universitet u themelua në vitin 1957 dhe sot pas 60-viteve tradite mësimore, është Universiteti më i madh publik në vend, dhe natyrisht më i kërkuari nga të rinjtë. 
Universiteti i Tiranës ka qenë dhe mbetet burimi kryesor i dijes dhe origjina më solide e Arsimit të Lartë Shqiptar, duke qenë një nga faktorët kryesorë të zhvillimeve shoqërore, ekonomike dhe sociale në vend.
Universiteti i Tiranës gjatë periudhës së Demokracisë është ristrukturuar në mënyrë permanente në drejtim të sigurimit të pavarësisë së tij funksionale, dhe shëndoshjes së mendimit dhe profilit akademik. 
Cilësia e arsimit sot, dikton të ardhmen e shoqërisë nesër, prandaj vëmendja e të gjithëve duhet të jetë e fokusuar edhe më shumë në rëndësinë e edukimit të gjeneratës së re për të fituar sfidat që kemi përpara. 
Të nderuar të pranishëm, 
Do dëshiroja që pjesën tjetër të vëmendjes ta ktheja tek Fakulteti i Drejtësisë, i cili ka mbledhur sot aktorë të shquar të fushës së jurisprudencës, në këtë konferencë shkencore. 
Fakulteti i Drejtësisë është përballur me një sfidë reale pas viteve 90-të, pasi me ndryshimin e rendit dhe organizimit shoqëror e demokratik të vendit, diktohej dhe detyrimi i Shqipërisë për të zbatuar parimet e njohura e të mbrojtura nga konventat ndërkombëtare dhe ndryshimin rrënjësor të legjislacionit të brendshëm. 
Ndërkohë që legjislacioni i brendshëm përsosej e ndryshohej në mënyrë shumë të vrullshme kjo kërkonte domosdoshmërisht dhe ndryshimin e programeve të fakultetit në mënyrë që njohja me to dhe profilizimi i juristëve të rinj, t’i përshtatej realisht vet zhvillimit shoqëror.
Nga stafet akademike, të këtij fakulteti, apo prej studentëve të diplomuar prej tij është dhënë kontribut i çmuar në hartimin e përmirësimin e Kushtetutës së vendit, si dhe në Kodifikimin e Legjislacionit Shqiptar në përshtatje me të drejtën europiane e ndërkombëtare. 
Sa herë që ligjvënësi shqiptar, ekzekutivi apo dhe sistemi gjyqësor në vend, kanë patur nevojë për një mendim të specializuar, apo për përmirësimin e nismave ligjore në përputhje me praktikat më të mira europiane, gjithmonë dera e Fakultetit të Drejtësisë ka qenë e hapur, dhe gjithmonë ky fakultet ka ofruar mendim akademik. 
Fakulteti i Drejtësisë, ka rritur ndjeshëm besimin ndaj tij tek institucionet vendase, por dhe te partnerët tanë, duke zhvilluar një traditë bashkëpunimi me shumë universitete të njohura në arenën ndërkombëtare.
Dua të evidentoj në mënyrë të veçantë edhe kontributin e çmuar të dhënë nga stafi akademik i fakultetit, në procesin reformues të sistemit të drejtësisë. 
Pritshmëria e shoqërisë në lidhje me transformimin e thellë të sistemit të drejtësisë, e motivoi Kuvendin e Shqipërisë të ndërmerrte iniciativën për reformimin e tij në thellësi.
Pikërisht kjo sfidë kërkonte angazhimin e ekspertëve më të mirë të ligjit, vendas e ndërkombëtar, të cilët do të punonin krah për krah me njëri-tjetrin.
Fakulteti i Drejtësisë i Universitetit të Tiranës, ka qenë tërësisht i përfshirë në këtë reformë, në të gjitha nivelet, që nga Grupi i Ekspertëve të Nivelit të Lartë, stafet teknike të punës, si dhe pjesëmarrës në të gjitha tryezat konsultative të zhvilluara nga Komisioni i Reformës. 
Pedagogët e Fakultetit të Drejtësisë kanë dhënë ekspertizën e tyre në të gjithë korpusin e ndryshimeve ligjore dhe kontributi i tyre është vlerësuar nga Kuvendi, por dhe nga Partnerët Ndërkombëtarë. 

Jo vetëm kaq, por legjislacioni i miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, parashikon pjesëmarrjen e detyrueshme të përfaqësuesve të trupës akademike, në përbërje të organeve më të larta të sistemit të drejtësisë dhe konkretisht në Këshillin e Lartë të Gjyqësorit dhe atë të Prokurorisë.
Kjo tregon edhe një herë besimin që kanë institucionet, në nivelin e profesionalizmit të trupës suaj akademike. 
Vlerësoj se angazhimi juaj do të vijojë të jetë i çmuar edhe në këtë fazë deçizive të implementimit konkret të Reformës në Drejtësi, pasi suksesi i saj është përcaktues për të ardhmen europiane të vendit.
Faleminderit! 

Presidenti Meta: Suksesi i reformës në drejtësi, përcaktues për të ardhmen europiane të vendit
Sigal