Sot e hënë 11 shtator 2023 do të zhvillohet në Shkup të Maqedonisë së Veriut samiti i njohur si Procesi i Brdo-Brijuni ku merr pjesë edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë Prof. Dr. Bajram Begaj. Në orën 10:45 do të mbahet në Hotel Hilton në Shkup pritja zyrtare e liderëve të vendeve pjesëmarrëse në Procesin Brdo-Brijuni nga Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, Presidentja e Republikës së Sllovenisë, Natasha Pirc-Musar dhe Presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanovic. Sipas axhendës në orën 11:10 do të nis takimi plenar i liderëve të vendeve pjesëmarrëse në procesin Brdo-Brijuni. Në takim do të marrin pjesë krerët e lartë të shteteve të ballkanit perëndimor ku mikpritës është Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe bashkë me të edhe Presidenti i Republikës së Kroacisë, Zoran Milanoviq dhe Presidentja e Republikës së Sllovenisë, Natasha Pirc Musar. Pjesëmarrës të takimit janë Presidenti i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq, Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani. Sadriu, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq dhe përfaqësues nga Presidenca e Bosnjës dhe Hercegovinës do të jenë Zeljko Komsic, Denis Beqiroviç dhe Zeljka Cvijanoviç. Procesi Brdo-Brioni u mbajt për herë të parë në vitin 2013 me iniciativën e presidentëve të Republikës së Sllovenisë dhe Republikës së Kroacisë. Nisma u quajt Procesi Brdo-Brijuni për shkak të idesë së përbashkët të presidentëve të dy vendeve për organizimin e tij; Brdo, nga Brdo pri Kranj, ku u mbajt takimi i parë i liderëve nga rajoni, dhe Brijuni, për nder të bashkë-organizatorit dhe partnerit të nismës, Republikës së Kroacisë. Synimi kryesor i presidentëve të Republikës së Sllovenisë dhe Republikës së Kroacisë, si nismëtarë të Procesit Brdo-Brijuni, është integrimi evropian i vendeve të rajonit dhe stabilizimi i situatës në Ballkanin Perëndimor duke forcuar bashkëpunimin rajonal dhe zgjidhjen e çështje të hapura. Tema e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor, gjegjësisht integrimit të të gjithë rajonit, është në agjendat e liderëve të vendeve të rajonit. Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Shqipërisë kanë nisur negociatat për anëtarësim në BE. Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina dhe Republika e Serbisë janë vende kandidate për anëtarësim në BE, ndërsa Republika e Kosovës është vend kandidat potencial për anëtarësim në BE.