Presidenti Bajram Begaj vizitë në Kosovë me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës. Ja axhenda

58
Sigal

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, u nis sot në Kosovë, për të marrë pjesë në ceremonitë shtetërore me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës.

Kreu i Shtetit është i ftuar nga tre autoritetet më të larta të Republikës së Kosovës: Presidentja Sh.S.Znj. Vjosa Osmani, Kryetari i Kuvendit, Sh. T.Z. Glauk Konjufca dhe Kryeministri, Sh.T.Z. Albin Kurti.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë do të ketë takime të veçanta me Presidenten e Kosovës, Zonjën Osmani, Kryeministrin, Albin Kurti, si dhe Kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca.

Kreu i Shtetit do të mbajë një fjalë në Kuvendin e Kosovës, në seancën solemne që do të mbahet të mërkurën, më 12 qershor, për 25-vjetorin e çlirimit.

Më pas, Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Sh. T. Z. Bajram Begaj, do të jetë i pranishëm në Parakalimin e Forcave të Sigurisë së Kosovës që do të zhvillohet në nder të Ditës së Çlirimit si edhe në pritjen shtetërore që organizohet me këtë rast.