NOT EUROPIANI/ Në Serbi, notarët tanë të Rinj përfaqësohen me tetë garues, e kanë nisur e vazhdojnë me thyerje rekordesh. Flet Presidenti FSHN-së, Agim Çiraku
Agron KAJA
Ndoshta tregohem pak euforik kur pyetem për notarët tanë në evente ndërkombëtare. Por sepse vetë rezultatet e tyre, jo vetëm që na sjellin gëzimin, na bëjnë edhe krenarë. Thyerja e rekordeve kombëtare jo vetëm që është krenari kombëtare në këtë sport, por është edhe një punë e kryer që duhet respektuar

Ka disa ditë që në kryeqytetin e Serbisë në Beograd, janë duke u zhvilluar garat e Kampionatit Europian të Notit për të Rinj, event në të cilin marrin pjesë edhe 8 notare e notarë shqiptarë. Për pjesëmarrjen dhe rezultatet që janë arritur në këto ditë të zhvillimit të garave, Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku, shprehet jo vetëm i kënaqur për çka është arritur prej tyre në të gjitha garat ku kanë marrë pjesë, por është edhe optimist se deri në mbylljen e këtij eventi (të dielën 23 qershor), të gjithë do të jenë rekordmenë. “Ndoshta tregohem pak euforik kur pyetëm për notarët tanë në evente ndërkombëtare. Sepse vetë rezultatet e tyre, jo vetëm që na sjellin gëzimin, por edhe na bëjnë krenarë, pasi thyerja e rekordeve kombëtare jo vetëm që është krenari kombëtare në këtë sport, por është edhe një punë e kryer që duhet respektuar”, kështu e nisi dje bisedën Njëshi i FSHN-së, Agim Çiraku, i cili për rekordet kombëtare që janë thyer nga dy notarët tanë në garat e Europianit, i quan të pritshme. “Kur mësova se janë thyer rekorde kombëtare nga dy notarë dhe nga Meshkujt në stafetën 4X100m, sinqerisht nuk jam befasuar. Sepse Gresi Koxhaku është notari rekordmen në çdo event ku garon, kombëtar apo ndërkombëtar, dhe kjo është arsyeja që unë atë e quaj “Notari rekordmen”. Ndërkohë që për Stela Gjokën kam fjalët më të mira, sepse është e re dhe rekordet e saj tani do të jenë shtysë për vazhdimësinë, ndërsa për rekordin e stafetës 4X100m te Meshkujt, them se është një miks vlerash të katër djemve që garuan me rekord kombëtar”. Po çfarë pret Presidenti Çiraku në garat e ditëve në vazhdim? “Nuk pres asgjë më shumë se çfarë është arritur në ditët e para të garave. Por këtu do kërkoja një impenjim më shumë, me qëllim që të arrihen kohë kualifikuese për Lojrat Olimpike Botërore, të cilat do të zhvillohen në “Paris 2024”, nisin më 15 korrik dhe mbyllen më 11 gusht 2024”. Një krahasim shumë sportiv e bëri dje Presidenti i FSHN-së, duke u shprehur se, fanela kuqezi në këto kampionate europiani (i Futbollit dhe i Notit) po e nderojnë Shqipërinë sportive. “Po ndjek dy Kampionate Europianë në të njëjtën kohë, por ai i Notit më ka mbajtur më shumë në emocion. Tek të dyja pjesëmarrjet jemi treguar dinjitozë, dhe deri tani në të dy këta europianët jemi nderuar”, -kështu e mbyll bisedën Presidenti i FSHN-së, Agim Çiraku.
Rekordmenët






















