Pranimi i 3 mije muxhahidineve kusht per viziten e John Kerryit ne Tirane

458
Vizita e Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry, në Tiranë pritet të shoqërohet edhe me një propozim, i cili do të vërë edhe një herë në provë parinë politike shqiptare në raport me interesat e aleatit të madh strategjik. Disa media ne Tirane shkruanin se ngritja e Byrosë Kombëtare të Hetimit, finalizimi i reformës në drejtësi dhe zbatimi i ligjit për dekriminalizimin e politikës dhe shtetit shqiptar, duket se janë vetëm pjesa e dukshme e misionit të Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry, në Tiranë. Zyrtari i lartë amerikan pritet t’i propozojë shefit të qeverisë shqiptare kërkesën për të pranuar edhe 3 mijë muxhahedinë në Tiranë. Pas thyerjes së besimit për armët kimike, shefi i qeverisë shqiptare, Edi Rama, duket se do të ketë një tjetër shans për të mos humbur, për të fituar besimin e amerikanëve, duke pranuar kërkesën për strehimin e 3 mijë muxhahedinëve. Nuk ka dyshim se kryefjala e vizitës së zyrtarit amerikan në Tiranë do të jetë avancimi në rrugën e integrimit, rrugë e cila kalon përmes miratimit të reformës në drejtësi, ngritjes së Byrosë Hetimore, zbatimit të dekriminalizimit, ndëshkimit të korrupsionit elitar, arrestimeve VIP, zgjedhjeve të lira, administratës së depolitizuar, lirisë së mediave, punësimit etj. Por, përpos boshtit kryesor, që ka të bëjë me të ardhmen e shqiptarëve, John Kerry pritet të parashtrojë kërkesën për rehabilitimin e 3 mijë muxhahedinëve, për mbrojtjen e të cilëve po kujdesen prej vitesh Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nëse për armët kimike Rama u tha “po” amerikanëve dhe pas presionit popullor u detyruar t’u thotë “jo”, kjo histori nuk ka gjasa të përsëritet në rastin konkret. Shqipëria i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të strehuar 210 muxhahedinë. Ata kanë ardhur kryesisht nga kampi “Ashraf” i Irakut. Muxhahedinët kanë mbërritur në Shqipëri në grupe të vogla nga 10-16 veta, gjithnjë nën masa ekstreme sigurie. Dy variantet Dy janë versionet e axhendës së vizitës së Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry, në Tiranë. Orët e fundit po qarkullon një version, sipas të cilit, Sekretari Amerikan i Shtetit, do të zbarkojë në Tokën shqiptare, por pa udhëtuar drejt Tiranës. Sipas këtij varianti, kryeministri Edi Rama dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, do të takohen me John Kerry në aeroport dhe më pas, për shkaqe sigurie, zyrtari i lartë amerikan do të vijojë axhendën në vendet e tjera të rajonit. Ndërkaq, sipas Impakt versionit zyrtar, John Kerry do të zbarkojë në Tiranë, ndërsa do të zhvillojë takime me krerët e politikës shqiptare, duke nisur nga Presidenti i Republikës dhe kryeministri.
Sigal