PPE: Zbatoni  “Venecian”  për Reformën Zgjedhore

232
Sigal

Menjëherë pas vendimit të BE-së për të nxjerrë Shqipërinë jashtë agjendës të integrimit 2020, Asambleja Politike e Partive Popullore Europiane miraton rezolutën, e cila është njëkohësisht edhe një ultimatum për qeverinë e Rilindjes së Tiranës. Pa respektuar marrëveshjen e 5 Qershorit, pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa dënuar zyrtarët e partisë në pushtet për krimet zgjedhore, nuk ka Europë.

 

Të zbatohet opinioni i Venecias për reformën zgjedhore, zgjedhjet e lira janë jetike

Asambleja Politike e Partisë Popullore Europiane, në një rezolutë të miratuar dje, 7 Dhjetor 2020, i bën thirrje qeverisë, të bëjnë çdo përpjekje për të tejkaluar krizën e thellë kushtetuese dhe politike në Shqipëri. Asambleja shpreh mbështetjen për Partinë Demokratike në përpjekjet e saj për të gjetur zgjidhje për shqetësimet e saj legjitime dhe për të mbështetur aspiratat europiane të qytetarëve shqiptarë. PPE vlerëson si jetike rëndësinë e zgjedhjeve të lira në përparimin në procesin e integrimit dhe vlerëson dakordësinë e 5-Qershorit, ndërsa dënon shkeljen e saj nga qeveria me ndryshime ligjore të njëanshme. Asambleja Politike e PPE-së,  nxit fuqimisht Kuvendin e Shqipërisë që t’i bindet dhe të zbatojë menjëherë opinionin e kërkuar nga Komisioni i Venecias për ndryshimet kushtetuese dhe ligjore lidhur me zgjedhjet e 25 prillit. PPE i bën thirrje të dënohen zyrtarët e partisë në pushtet të përfshirë në krime zgjedhore, referuar dosjeve të Prokurorisë nr. 184 dhe 339, dhe e konsideron të papranueshëm bllokimin e drejtësisë dhe pandëshkueshmërinë. Në këtë kontekst, rezoluta kërkon fuqimisht luftimin e pastrimit të parave të investuara në projektet e ndërtimit, në rastet e Bashkisë së Tiranës. Për Asamblenë politike të PPE-së, funksionimi normal i Gjykatës Kushtetuese, Gjykatës së Lartë dhe institucioneve të tjera të drejtësisë është i domosdoshëm dhe urgjent, ashtu sikundër progresi institucional i Reformës në Drejtësi është i pamjaftueshëm për sa kohë asnjë rast i korrupsionit të lartë nuk është dënuar, apo sjellë përpara drejtësisë. Shqipërisë i kërkohet të ofrojë shembuj konkretë dhe të qartë të progresit në këtë drejtim. Gjithashtu, rezoluta adreson shqetësimin e Bashkimit Europian sa i përket Ligjit për Median të Dhjetorit 2019 dhe mosveprimit të qeverisë dhe Kuvendit pas opinionit përkatës të Komisionit të Venecias.