PPE-ja nga Brukseli apel Ramës/ Plotëso 15 kushtet dhe zgjedhje lokale të parakohshme dhe parlamentare në një ditë për hapjen e negociatave

272
Sigal

PPE-ja  kundër Ramës që nuk njeh 15 kushtet si dhe zgjedhje lokale të parakohshme në një ditë me parlamentaret

Kusht ndaj Shqipërisë për negociatat janë zgjedhjet e parakohshme vendore

Grupi Parlamentar i Partive Popullore Evropiane, dje doli sërish me një deklaratë në ëebsajtin zyrtar, nxjerrë në emër të nënkryetarit  Kovatschev ,(GERB, BG) si dhe të zëdhënësit për çështje të jashtme e të zgjerimit, Michael Gahler, (CDU, DE).  Deklarata përmend  në mënyrë të përsëritur 15 kushtet e Bashkimit Europian që duhet të përmbushen nga qeveria, në mënyrë që të çelen negociatat. Në 6 qeshor,  kryeministri Rama, duke folur para gazetarëve, mohoi absolutisht që ekzistojnë kushte nga BE-ja,  për të mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare e pas saj për të nisur negociatat. Edhe më 9 qershor në fjalimin e tij në Këshillin Kombëtar të Integrimit Europian, krejt ndryshe nga kreu i Shtetit Meta, dhe ai i Kuvendit Ruçi, Rama nuk i përmendi fare 15 kushtet e zyrtarizuara në muajin mars në Bruksel. Reagimi i parë negativ ndaj ketij mohimi të Ramës duket se është deklarata e djeshme Kovatschev-Gahler.  Veç kësaj kjo deklaratë avancon më tej drejt idesë se zgjedhjet e pushtetit vendor duhet të jenë të parakohshme dhe mundësisht të mbahen në një ditë me ato parlamentare. Kovatschev e Gahler theksojnë se “Fakti që pushteti lokal në Shqipëri drejtohet nga një parti e vetme, bie ndesh me nocionin themelor të një demokracie pluraliste.” Ata referojnë edhe kushtin e Brukselit (më parë të Bundestag-ut),  “që Shqipëria të sqarojë ligjshmërinë e zgjedhjeve lokale të 30 qershorit 2019”.  Burime nga Parlamenti  Europian sinjalizojnë se do të ketë reagime të mëtejshme duke filluar nga java e ardhëshme.