Policia e pranon edhe vetë: Në Tiranë çdo 34 minuta ndodh një krim

448
Sigal
Ndërkohë kur deputetët kërkojnë të (vet)armatosen, për të siguruar kokën e tyre...

Policia e shtetit është e sinqertë, transparente me shqiptarët.  E pranon që qytetarët shqiptarë nuk i mbron, nuk u siguron jetën nga krimi dhe kriminelët, por të paktën ka kurajo që të pranojë publikisht  realitetin.  Gjatë vitit të kaluar në territorin e Tiranës, sipas policisë, u regjistruan 1346 vjedhje, nga të cilat 166 ishin me dhunë dhe armë, tre prej tyre me pasojë vdekjen. Gjatë këtij viti, nga data 1 janar e deri mbrëmjen e së shtunës, sipas statistikave, në kryeqytet kanë ndodhur 222 vjedhje, që e thënë ndryshe rezulton që çdo ditë të ndodhin rreth 6 vjedhje. Mesatarisht në një ditë në Tiranë vidhet më shumë se një banesë, mbi 2 biznese private dhe më shumë se një automjet. Të gjitha këto pa llogaritur vjedhjet që mbeten në tentativë, qoftë për shkak të përleshjes së autorëve me të dëmtuarit, që në disa raste përfundojnë edhe të plagosur për shkak të rezistencës që bëjnë. Shifra më e lartë e vjedhjeve të ndodhura gjatë 40 ditëve të këtij viti i korrespondon vjedhjes së bizneseve private. Numërohen 73 biznese që janë vjedhur me thyerje apo me armë nga persona, pjesa më e madhe e të cilëve nuk janë identifikuar. Por policia qëllimisht i është shmangur një treguesi tjetër. Nuk ka raportuar sa janë krimet e zbardhura në krahasim me krimet e ndodhura. Ky raport, do të dëshmonte sa e (pa)aftë është policia në luftën kundër krimit. Sepse, për të qënë tejet të sinqertë- apo tansparent- shumë krime kanë mbetur në dosjet e policisë të pazbardhura. Edhe këtu mungon analiza. Përse nuk janë zbardhur krimet? Këtu ka dy shkaqe. E para, është se shumë policë janë inkriminuar në strukturat e krimit të organizuar, duke shërbyer – kundrejt pagesës – si informatorë të bandave kriminale, por në shumë raste, janë vetë efektivë të policisë që janë edhe autorë të krimit. Dhe e dyta, është edhe vetë paaftësia profesionale, pasi efektivat e policisë janë mbushur me njerëz jo të aftë, ku mbizotëron krahinizmi.  Sipas ekspertëve të Policisë së Tiranës, bizneset që bien pre e grabitësve janë kryesisht argjendaritë, lokalet e basteve sportive, por edhe kompani të ndryshme private, si dhe dyqane ushqimore e farmaci. Nëse u shton këtyre shifrave edhe krimet e padenoncuara, kërcënimet, vetëgjyqësinë dhe ushtrimit të dhunës statistikat bëhen me të vërtetë lebetitëse. Ndërkohë, deputetët e maxhorancës, që i njohin këto shifra më përpara se të gatuhen, reduktohen e t’i jepen edhe miletit për informim, kërkon që me ligj, të pajisen me armë. Dhe sipas neneve të këtij ligji, që u miratua në parlament, deputeti, ministri, do të armatoset sipas hijes që lëshon nga kolltuku i pushtetit. Sa më e gjatë të jetë hija që lëshon mbi tokë pushtetari, kaq më i rëndë do të jetë edhe armatimi që i lejon ligji, për t’u armatosur, në emër të mbrojtjes së jetës së tij personale nga… krimineli  popull. Nuk ka kufizim armatimi mbrojtës që i njeh tashmë ligji pushtetarëve tanë Në ligjin e porsamiratuar, për mbajtjen e armëve, përcaktohen edhe cilët persona të tjerë, veç deputetëve e zyrtarëve të pushtetit do të kenë të drejtën të armatosen. Bizmenmenët, që kanë depozituar një sasi të caktuar parash në bankë, do të kenë të drejtën që të armatosen me armë. Dhe sa më e madhe të jetë shuma e parave të depozituara në bankë, kaq më i madh do të jetë edhe arsenali mbrojtës i armëve që e lejon ligji. . Ai që është në piramidën e pushtetit dhe të biznesit, mund të armatoset edhe me tanks e aeroplanë, nëndetëse e fregata, që të ndjej siguri që jeta e tij nuk mund të kërcënohet nga…askush.