Qeveria hije e selisë rozë, bën ndryshimet e fundit të emrave për kabinetin e ardhshëm
Kupola e selisë rozë, në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit ka bërë një rishikim të emrave për ministrat e ardhshëm që do të drejtojnë dikasteret përkatëse. Me këtë rast, socialistët kanë projektuar edhe një strukturë të re me ndarje të disa ministrive, ku bie në sy ndarja e Ministrisë së Kulturës, në dy pjesë, si Ministria e Rinisë dhe Sporteve, dhe Ministria e Kulturës dhe Turizmit. Po kështu edhe Ministria e Punës, do të ndahet nga ajo e Pushtetit Lokal. Ndërsa midis emrave që do të drejtojnë ministritë, bien në sy, disa nga individët më të spikatur të këtyre katër viteve, si Ditmir Bushati, Mimi Kodheli, Arben Ahmetaj, Damian Gjiknuri, Besnik Bare, etj, si edhe edhe disa figura të tjera, disi më të heshtura, që nuk janë shquar shumë në luftën publike të politikës shqiptare, por janë evidentuar si teknicienëë, si Shkëlqim Cani, Fate Velaj, etj.
Me LSI dhe pa LSI
Partia Socialiste është e përgatitur për dy variantet e përfaqësimit në zgjedhje: me LSI-në dhe pa LSI-në. Nëse socialistët do të përfaëqsohen në zgjedhje, brenda aleancës me LSI-në, atëherë numri i ministrive që do të marrin do të jetë më i vogël, se sa në rastin po të paraqiten pa LSI-në. Kjo, sepse në bazë të marrëveshjes së përgatitur, LSI do të përfitojë 40 për qind të përfaqësimit në të gjitha nivelet qeverisëse dhe drejtuese, duke nisur nga ministritë e deri tek propozimet për institucionet e pavarura. Megjithatë, Partia Socialiste është e përgatitur edhe për variantin më të keq, pa aleancën e Ilir Metës. Në këtë mënyrë, në rast fitoreje të zgjedhjeve të 23 qershorit, kabineti qeveritar, i socialistëve do të kompozohet në këtë mënyrë:
Kryeministër – Edi Rama
Zv.Kryeministër – Aleatët
Ministër i Jashtëm – Erion Veliaj
Ministër i Brendshëm – Eduart Shalsi
Ministër i Mbrojtes – Saimir Tahiri
Ministër i Arsimit – Ledi Shamku
Ministër i Financave – Shkëlqim Cani
Ministër i Ekonomisë -Arben Ahmeti
Ministër i Drejtësisë – Damian Gjiknuri
Ministër i Integrimit – Ditmir Bushati
Ministër i Punës – Mimi Kodheli
Ministër i Pushtetit Lokal – Blendi Klosi
Ministër i Shëndetësisë – Besnik Bare
Ministër i Kulturës dhe Turizmit – Fate Velaj
Ministria e Rinisë dhe Sporteve – Fidel Ylli
Ministër i Mjedisit – Aleatët
Ministër i Transportit – Aleatët
Ministër i Shtetit – Marko Bello
Aleatët
Siç shihet nga tabela e mësipërme partitë aleate të Gjinushit, Milos, Ngjelës, Kurt Kolës, etj, do të kenë në dispozicion tre dikastere, ku në secilën prej tyre, mund të emërohen krerët e këtyre partive. Por siç shihet edhe nga tabela, socialistët do të ndajnë disa ministri, duke i rikthyer në gjendjen e mëparshme. Kështu, Ministria e Kulturës do të ndahet nga Ministria e Turizmit, ndërsa Ministria e Punës, do të ndahet nga ajo e Pushtetit Lokal. Pak a shumë, pritet të konfigurohet e njëjta skemë qeverisjeje, si në periudhën e Kryeministrit socialist Fatos Nanos, me disa ndyshime të vogla. Gjithashtu, duhet thënë se për krerët e disa ministrive, janë dhënë nga dy emra, duke e lënë përcaktimin përfundimtar për më vonë. Kështu në qeverisje është përfolur edhe emri i, Taulant Ballës, Erion Braçes, Luiza Xhuvanit, etj.
Aleanca me LSI
Në rastin e një aleance me LSI, një pjesë e këtyre emrave do të hiqen nga lista dhe vendet e tyre do të mbeten bosh për kontingjentin e Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, ku vetë Ilir Meta, do të marrë postin e zëvendëskryeministrit, duke mos përjashtuar njëkohësisht edhe drejtimin e ndonjë ministrie. Në këtë rast edhe hapësirat e partive të tjera aleate, do të ngushtohen ndjeshëm dhe të gjitha së bashku, mund të marrin vetëm një ministri, por duke u kompensuar me vende zëvendësministrash.