Lulzim Basha: Uroj që problemet të mos ndikojnë në hapjen e negociatave

593
Pasi u shpall nga Komisioni Evropian Strategjia për Ballkanin Perëndimor kreu i demokratëve Lulzim Basha dha një deklaratë për mediat. “Shqipëria në BE është aspirata më e lartë e gjithë shqiptarëve. Shqiptarët duan të jenë pjesë e vërtetë e Evropës. Partia Demokratike e do Shqipërinë në BE. Unë personalisht dhe bashkëpunëtorët e mi kemi lobuar dhe vazhdojmë të punojmë me partnerët tanë evropianë që Shqipërisë t’i hapen negociatat. Ky është investimi ynë ndaj gjithë shqiptarëve dhe të ardhmes sonë të përbashkët”, u shpreh Basha. “Ne duam që negociatat të hapen edhe pse vendi përballet me shqetësime të rënda dhe serioze nga një sërë vendesh anëtare të BE-së në lidhje me krimin dhe drogën me origjinë nga Shqipëria dhe me emigracionin e paligjshëm nga bashkëqytetarët tanë që kanë humbur shpresën dhe mundësitë të jetojnë në Shqipëri. Ne shpresojmë që këto probleme të mos ndikojnë në vendimin për negociatat nga vendet e BE-së dhe të mos pengojnë hapjen e tyre. Me këtë rast përshëndes raportin për strategjinë për zgjerim të BE-së e cila konfirmon vullnetin e BE-së për anëtarësimin e vendeve të Ballkanit. Por qartësisht përtej këtij vullneti politik, strategjia ngre probleme serioze dhe vë gishtin mbi plagët kryesore që ka vendi ynë”, theksoi Basha. Raporti flet qartë dhe më forcë për kapjen e shtetit nga interesat private dhe lidhjet mes krimit të organizuar dhe qeverisjes, për probleme të rënda dhe serioze të korrupsionit, për shkeljen e të drejtave të njeriut dhe lirisë së medias, për ekonomi jokonkurruese që duhet të reformohet thellësisht, për mungesën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe për shtypjen e rolit të opozitës politike. “Ky raport është një radiografi e trishtuar e realitetit shqiptar dhe disa vendeve të tjera të Ballkanit. Strategjia bën thirrje për ndryshime dhe transformime të vërteta demokratike për daljen nga ky realitet dhe thekson se procesi i integrimit nuk është proces mekanik, por proces përqafimi real të vlerave dhe standardeve politike dhe ekonomike evropiane. Me këtë rast dua të theksoj vullnetin e Partisë Demokratike dhe timin për të ndryshuar politikën dhe ekonominë shqiptare duke përqafuar standardet dhe vlerat evropiane, me qëllim futjen e Shqipërisë në BE brenda një dekade” e cilësoi Basha Raportin.
Sigal