“Policët shtazarakë”, Vasili reagon për përplasjen tek teatri: Kemi dosjet, asnjë iluzion që mund të mbrohen se ‘i urdhëruan’

349
Sigal

Nënkryetari i LSI, Petrit Vasili, i ka paralajmëruar forcat policore që ushtruan dhunë shtazarake mbi protestuesit, pas shembjes së Teatrit Kombëtar, por edhe ato që kanë dhunuar qytetarët më herët gjatë ndalimqarkullimit, se do të mbajnë përgjegjësi për aktet e tyre dhe se nuk do të mund të mbrohen dot me fjalët se “i urdhëruan”.

Në një deklaratë për mediat sot, Vasili tha:

“I madh e i vogël në Shqipëri ka parë me sytë e tij se si është sjellë në mënyrë kriminale dhe shtazarake policia e Edi Ramës. Policia e Edi Ramës ka ndërhyrë e armatosur deri në dhëmbë ndaj artistëve, ndaj aktivistëve, ndaj qytetarëve të thjeshtë dhe përfaqësuesve politikë.

Kjo sjellje shtazarake e policisë është zhvilluar në shkelje të plotë të të gjitha ligjeve, në dhunim të plotë të çdo norme njerëzore, në dhunim të plotë të çdo normë Kushtetuese.
E gjithë kjo polici duhet të ketë të qartë sot në të gjithë zinxhirin ekonomik të saj, i cili është evidentuar me detaje nga ana jonë se cilët janë drejtuesit e operacioneve: Cilët janë ata që kanë marrë përgjegjësitë të urdhërojnë e komandojnë dhunën dhe në mënyrë të drejtpërdrejt.

Të gjithë ata që kanë lejuar përdorimin e horrave civilë, që ngrenë dorë dhe mbi qytetarët.

Të gjithë ata që kanë lejuar dhe urdhëruar njerëz me uniformë pa identifikim, të cilët janë as më shumë e as më pak sesa kriminelë të paguar e të mbështetur nga Edi Rama për të kryer dhunë e për të mos pasur mundësi te identifikohen.

Planet dhe filmimet flasin vetë dhe ju keni gjithë mundësinë të shikoni dhe të përcillni dhunën që është ushtruar në mënyrë shtazarake, qenërore nga disa qen dhe maskarenj të pushtetit.

Të jeni të bindur dhe po jua deklaroj publikisht që çdo person i tyre do veprim i tyre, çdo fytyrë e tyre është evidentuar, është fotografuar, është filmuar dhe përgjegjësisë nuk i shpëtojnë dot asnjëri prej tyre.

Qoftë ky drejtuesi më i lartë i policisë, apo komandantët e tjerë operacional, fytyra të urryera dhe të njohura tashmë nga opinioni publik për rolin e tyre të poshtër antiligjor dhe kriminal që kanë ushtruar jo vetëm këtu, por në çdo protestë qytetare duke u dimensionuar gjithmonë e më shumë si një polici fashiste dhe antiqytetare.

U bëj thirrje të gjithë protestuesve, të gjithë aktivistëve dhe të gjithë qytetarëve të thjeshtë që në mënyrë të vazhdueshme të mos përtojnë dhe të evidentojnë çdo veprim të dhunshëm në mënyrë që ajo dosje gjigande që ne kemi filluar dhe e kemi përgatitur të pasurohet gjithmonë e më shumë për të nxjerrë fytyrën e Edi Ramës, të një krimineli me pushtet sepse vetëm një kryeministër kriminel mund të çojë në mes të turmës policë pa uniformë të cilët dhunojnë vajza dhe gra, gazetarë, burra të nderuar të cilët vënë shkelmin e tyre prej kriminelësh në fytyrën e aktivistëve, në fytyrën e djemve të mirë, në fytyrën e njerëzve të artit.

Kjo fytyrë e poshtër e urryer e krimit, do të ketë një përballje një për një, askush të mos ketë iluzionin që do të dënohen vetëm e vetëm ata që urdhëruan, do të marrin dënimin një për një të tërë ata që urdhëruan, por të tërë edhe ata që me zellin e tyre shtazarak nga 10 njëherazi janë vërsulur dhe kanë vënë çizmen, këpucën e tyre të fëlliqur mbi fytyrën e pastër të qytetarëve të ndershëm.

Policia e cila u shkel syrin kriminelëve, u hap dyert e komisariateve për t’u dorëzuar si lodër, njerëz mbi të cilët rëndojnë faje shumë të rënda, tregohen bishë dhe shtazë mbi qytetarët.

Ka vetëm një llogari shumë të thjeshtë, e dimë se sa policë janë. I kemi të qarta borderotë.

Dimë dhe disa të tjerë që paguhen jashtë borderove, por përballë kanë 2 milionë e gjysmë njerëz, e kanë sy më sy me këta njerëz.

Secili prej tyre që ngre dorën, e ka ai llogarinë personale të hapur me qytetarët dhe drejtësinë e popullit. Asnjë drejtësi nga kjo drejtësi e kapur, të jeni të bindur që nuk i shpëton dot.

Është një fakt i paracaktuar që kushdo që sillet në mënyrë kriminale me njerëzit për hir të bukës së qelbur të trafikantë që i paguajnë, nuk mundet dhe nuk do i shpëtojnë kurrë.

Është një betejë sy më sy me tërë ata që janë vënë në shërbim të krimit kundër qytetarëve dhe kundra të drejtave dhe lirive të tyre. Evidentimi i tyre është bërë në mënyrë të shkëlqyer, teknologjia është një mrekulli e madhe që është në duart tona dhe që po e shfrytëzojmë si asnjëherë më parë.

Do vazhdojmë ti evidentojmë deri më një dhe të jeni të bindur që askush nga ata nuk do të falet. Po e përsëris edhe njëherë. Është një llogari dhe është një hesap që e kanë ballë përballë në mënyrë individuale, secili për fajin që ka bërë.

Askush të mos ketë iluzionin që do mund të mbrohet me fjalën “më urdhëruan”. Do të përgjigjen një më një. Ky është më shumë se sa deklarim! Ky është një betim!”