Policët lejuan kultivimin e kanabisit gjatë 2019-ës

373
Sigal

Raporti i Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave të Ministrisë së Brendshme, pranon që 474 policë janë dërguar në prokurori, sepse kanë ndihmuar në kultivimin e hashashit në gjithë Shqipërinë. Shumica e drejtorëve të Policisë së Shtetit janë po ata që ishin në 2017, në kohën e ministrit Tahiri. A do të zbarhë SPAK-u, se cilët urdhëruan policët të bashkëpunonjnë me trafikantët e drogës?

“474 punonjës policie  janë dërguar në prokurori për vitin 2019, nga 265 në krahasim me një vit më parë, pra 78% më shumë. Sipas SHÇBA-së, oficerët e policisë janë shpesh të përfshirë edhe në kultivim kanabisi”

Zbardhet raporti i SHÇBA-së  të Ministrisë së Brendshme: Janë dërguar në Prokurori 474 efektivë

Drejtorët e policisë lejuan kultivimin e kanabisit në gjithë Shqipërinë, gjatë 2019-ës

Policët janë të përfshirë në shumë raste korrupsioni, abuzim me detyrën dhe përfshirje në kultivimin e kanabisit.

Përgënjeshtrohet ministri Lleshaj, që deklaroi se Policia e luftoi hashashin

Raporti i SHÇBA-së  në Ministrinë e Brendshme,  pranon që shumë policë kanë ndihmuar në kultivimin e hashashit.  Problemi është që raporti nuk “gërmon” që të gjejë se kush i ka urdhëruar policët, që të ndihmojnë në kultivimin e hashashit. Mund të ketë policë që bashkëpunojnë  me trafikantët e hashashit, por  dihet, që edhe shumë eprorë të tyre urdhërojnë policët të ndihmojnë trafikantët në mbjelljen e hashashit. Mos vallë këta eprorë të policëve, janë në instancat më të larta të shtetit, dhe mos vallë përsëritet 2017-ta, vit që ishin edhe zgjedhjet parlamentare? Mos vallë, kultivimi masiv i hashashit, i ndihmuar edhe nga policët, dëshmon se zgjedhjet parlamentare janë në prag, dhe partitë duhet të garantojnë me hashashin, edhe milionat, për të blerë votat, siç ndodhi në 2017-ën?

Kush i urdhëroi policët të ndihmojnë në kultivimin e hashashit?

474 punonjës policie  janë dërguar në prokurori për vitin 2019, nga 265 në krahasim me një vit më parë, pra 78% më shumë. Sipas Shërbimit për Çështjet e Brendshme dhe Ankesave, oficerët e policisë,  janë shpesh të përfshirë edhe në kultivim kanabisi. Për vitin 219 janë zhvilluar 4 operacione, ku oficerë policie kishin lejuar kultivimin e rreth 20.000 bimëve kanabisi. Shpesh policët u japin garanci trafikantëve të drogës, duke i favorizuar për kultivimin e hashashit, kjo nëpërmjet korrupsionit, theksohet në raport. Sot qytetarët kanë më shumë ankesa për Policinë Rrugore, policët e rendit, policët e kufirit por edhe ata që merren me hetimin e krimeve, siç dallohet edhe në këtë grafik. Raporti thekson se sot qytetarët kanë ankesa për mosveprimin e policisë, sjellje jo etike, vendosje pa të drejtë e gjobave dhe shkelje të procedurave të punës, ku Tirana mban peshën kryesore. SHÇBA-ja  ngre alarmin edhe për mosregaimin në kohë të policisë, kur qytetarët telefonojnë sallën operative. Nga monitorimi i sallës ka rezultuar se rreth 27% e telefonatave që vijnë nga qytetarët, policia  reagon me vonesë, apo nuk ka reaguar fare për disa ngjarje. A do të hetojë prokuroria, SPAK-u, se cilët i kanë urdhëruar policët të ndihmojnë trafikantët në kultivimin e hashashit? Apo, do të bëjnë kurban vetëm disa policë të thjeshtë, për të shpëtuar urdhëruesit e tyre, që ndoshta janë eprorët e tyre?

“Shumica  e drejtorëve të Policisë të Shtetit  në  Prefektura  si dhe  drejtorë në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, janë po ata që  ishin në vitin 2017, në kohën e  ministrit Tahiri. Këta drejtorë tashmë  janë hedhur në aksion për të  thyer rekordin europian”

Drejtorët e Policisë, që nga koha e ministrit Tahiri

Shumica e drejtorëve të Policisë të Shtetit në  Prefektura, si dhe drejtorë në Drejtorinë e Përgjithshme  të Policisë  së  Shtetit, janë po ata  që  ishin në vitin 2017, në kohën e  ministrit Tahiri. Këta drejtorë vetëm kanë ndryshuar qarqet ku drejtojnë, apo kanë qëndruar ca kohë në bunkerin e Drejtorisë së Policisë së Shtetit dhe tashmë janë hedhur në aksion për të thyer rekordin europian, pas rekordit  botëror që mbahet nga Kolumbia. Policia ka nën kontroll çdo rrënjë dhe çdo parcelë, nga e cila fillimisht përpunon pjesën  e saj.