Prof. Dr. Elmaz Sherifi: Ndërkombëtarët distancohen nga Rama, si fajtori i destabilitetit politik e institucional

304

“Teza e listave të hapura synon të mbulojë djallëzinë politike të Ramës, i cili i tmerruar nga humbja, dëshiron të ndalojë me Kushtetutë koalicionet parazgjedhore”

Sigal

Jakup B. GJOÇA

Prof. Dr. Elmaz Sherifi, ish ministër i PS-së në intervistën për gazetën “Telegraf” shprehet se: kryeministri Rama është i detyruar që sot në Këshillin Politik, të pranojë marrëveshjen e 5 qershorit, sepse kjo marrëveshje e konsideroi të përfunduar procesin e ndryshimeve ligjore, si kusht për organizimin e Konferencës Ndërqeveritare për çeljen e negociatave, ndërkohë nuk mundet që të bëjë ndryshime kushtetuese pa konsensusin e opozitës së vërtetë, vetëm me kartonët e Kuvendit të Sajuar. Prof, Sherifi shprehet se tashmë ndërkombëtarët e kanë kuptuar që Rama është fajtori i destabilizimit politik dhe institucional, prandaj po distancohen nga politikat dhe qeverisja e tij.

-Prof. Sherifi, përse kryeministri Rama kërkon të zhbëjë një marrëveshje zgjedhore, të cilën vetë e hartoi, e nënshkroi në prani të ndërkombëtarëve?

– Mendoj se duhet kuptuar ç’është Këshilli Politik, pasi të gjitha zhvillimet lidhen me të dhe me platformën e tij. Këshilli Politik u themelua më 14 janar 2020, dhe platforma e tij u miratua në Kuvend. Edi Rama e përcolli me humorin e tij karakteristik, pasi nuk e kuptoi se themelimi i tij shpalli ilegjitim Komisionin e Reformës Zgjedhore dhe vetë Kuvendin. Rama ka pranuar se vendimet e Këshillit Politik të marra me konsensus, do miratohen pa ndryshime nga Komisioni i Reformës  Zgjedhore dhe Kuvendi i Sajuar. Marrëveshja e diktuar e 5 qershorit e konsideroi të përfunduar procesin e ndryshimeve ligjore, si kusht për organizimin e Konferencës Ndërqeveritare për çeljen e negociatave. Marrëveshja ligjëroi koalicionet parazgjedhore dhe “listat e mbyllura”, që Ramën e nxjerrin në “pension politik”, prandaj po kryen veprime anormale.

“Marrëveshja e diktuar e 5 qershorit e konsideroi të përfunduar procesin e ndryshimeve ligjore, si kusht për organizimin e Konferencës Ndërqeveritare për çeljen e negociatave. Marrëveshja ligjëroi koalicionet parazgjedhore dhe “listat e mbyllura”, që Ramën e nxjerrin në “pension politik”, prandaj po kryen veprime anormale”

– Mos vallë kryeministri Rama qëllimisht, shkakton konflikte politike, për më tepër me plotësimin e kushteve të integrimit, në mënyrë të atillë që Shqipëria të mos hapë negociatat për anëtarësim në BE?

– Plotësimi i 15 kushteve është “dara politike” që me nofullat e hekurta e ka detyruar Ramën të shpërfytyrohet me sjelljet politike. Plotësimi i kushteve e detyron Ramën të pranojë manipulimin e zgjedhjeve të 2017, dhe se zgjedhjet vendore të 2019, mund të shpallen të pavlefshme nga Gjykata Kushtetutese. Tani të gjithë faktorët e kanë kuptuar se pengesa kryesore e destabilitetit politik e institucional është Rama.

– Zaev dha dorëheqjen si kryeministër i RMV, ngaqë BE-ja nuk hapi negociatat me vendin e vet, edhe pse qeveria e tij i plotësoi të gjitha kushtet, e sidomos marrëveshjen me Greqinë. Pse kryeministri Rama është kaq i kundërt? Ju si e shpjegoni që deri tani, edhe ndërkombëtarët e mbështetnin Ramën, pavarësisht dështimeve të reformave të integrimit?

–  Sjellja politike qeverisëse e Zaev e nxjerr “cullak” modelin autokratik e antiperëndimor të qeverisjes Rama. Kurajua dhe përgjegjeshmëria politike e Zaev, bëri që të bëhet diferenca në vendimmarrje, duke e ndarë Shqipërinë nga Maqedonia e Veriut dhe të fillojë “acari në korrik” në marrëdhëniet me Ramën.

– Qëndrimet e prera të Kancelares Merkel, por edhe ato të KE-së dhe PE-së ndaj Ramës, si edhe qëndrimi kritik i Ambasadores Yuri Kim,  kohët e fundit ndaj Ramës, nëse prish marrëveshjen e 5 Qershorit, a janë indicie politike të distancimit të Faktorit Ndërkombëtar ndaj kryeministrit Rama?

– Goditjen e “nokautit” Ramës,  ia dha “mikja Merkel”.  Ajo e deklaroi “braktisjen”, duke krijuar “korin e madh” që vajtojnë sjelljen anormale kushtetutuese të Ramës. Merkel e Pompeo, Parlamenti Europian e Budenstangu Gjerman, e kanë kushtëzuar organizimin e Konferencës Ndërqeveritare me miratimin e Marrëveshjes Politike Partiake të 5 qershorit.

– Çfarë mund të pritet sot në Këshillin Politik, me praninë e Ramës? Ju si e shpjegoni pjesëmarrjen e Ramës? Reflektim? Apo lojë e tij politike?

– Stuhia politike perëndimore e ka hutuar trishtueshëm njeriun që pretendonte se bënte gallatë me shqiptarët dhe ndërkombëtarët. I përfshirë nga paniku i humbjes së pushtetit deklaroi se  “zoti Zylo” do të shkojë vetë te Këshilli Politik. Është hutuar keq, e ka humbur orientimin dhe po bën veprime anormale. Asgjë nuk ka për të ndryshuar prania e tij në rrjedhën politike, veçse e bën edhe më qesharak.

– Profesor, si e analizoni  ju që KED-ja nuk mund të ketë kandidatë për Gjykatën Kushtetuese? Ka prapaskena politike, që të zvarritet funksionimi i saj?

– Sa ishte opozita reale në parlament, Rama bllokimin e Reformës në Drejtësi e “argumentonte” me pengesat e saj që t’i shpëtonte drejtësisë. Ka mbi një vit që punon me  “opozitën e besës” dhe nuk po krijon Gjykatën Kushtetutese dhe Gjykatën e Lartë. Pengesë është vetë Rama, se nëse plotësohet  Gjykata Kushtetutese, do fillojë procedura e vërtetimit të legjitimitetit të zgjedhjeve vendore të qershorit 2019, si një nga 15 kushtet e BE-së.  Edhe Raporti i OSBE ODIHR-it,  ka mbrritur në përfundimin se procesi i zgjedhjeve vendore, nuk i plotësoi standardet e zgjedhjeve të lira e demokratike dhe mund të çojë në detyrimin ligjor, që zgjedhjet parlamentare të bëhen me zgjedhjet vendore. Ky fakt e tmerron adhuruesin e pushtetit absolut, prandaj nuk i krijon institucionet kushtetuese dhe frenon me dashje Reformën në Drejtësi.

– Ku është ngërçi politik midis “Listave të Hapura” që kërkon Rama dhe “Listave të mbyllura” që janë pranuar në marrëveshjen e 5 Qershorit?

– Rama para 10 ditësh, deklaroi se ishte kundër listave te hapura, tani është bërë “dashnor” i tyre. Pse dhe kur ndryshoi mendim ? Ndryshoi mendim kur kuptuan, se me marrëveshjen e 5 qershorit humbasin zgjedhjet. Marrëveshja me shumë profesionalizëm i heq mundësinë  Ramës të ndalojë koalicionet  parazgjedhore. Në marrëveshje janë përcaktuar edhe modalitetet se cilat janë detyrimet juridike që duhet të plotësojnë partitë, që do të jenë në koalicione parazgjedhore. Teza e listave të hapura synon të mbulojë djallëzinë politike të Ramës, i cili i tmerruar nga humbja, dëshiron të ndalojë me Kushtetutë koalicionet parazgjedhore. Gafa politike, “denoncohet” nga logjika juridike kushtetuese. Rama pranoi të bëjë ndryshime të Kodit Zgjedhor me marrëveshje, ndërsa do që të ndryshojë Kushtetutën, pa marrëveshje. Marrëzia e tij politike nuk mund të jetësohet, sepse modalitetet i ka firmosur te marrëveshja e 5 qershorit. Rrena politike, se koalicionet parazgjedhore do ekzistojnë, i ka këmbët e shkurtëra.  Sepse, Rama nuk është sulltani, që i jep fund pluralizmit politik me fermanët e tij. Partitë janë subjekte politike kushtetuese, që kanë lirinë të zgjedhin mënyrën e konkurrimit, sipas dispozitave kushtetuese dhe legjislacionit zgjedhor, i cili nuk mund të ndryshohet në mënyrë të njëanshme e me procedura antikushtetuese, në Gjendjen e Fatkeqësisë Natyrore. Rrena e dytë, se koalicionet do të jenë në një listë për arsye lehtësimi në votim rrëzohet, pasi kështu është votuar dhe si do bëhet nëse të gjitha partitë konkurojnë pa koalicion. Rama listat e hapura i do të përdredhura me garanci në majë e fund, socialistët le të votojnë mesin.

“Plotësimi i 15 kushteve është “dara politike” që me nofullat e hekurta e ka detyruar Ramën të shpërfytyrohet me sjelljet politike. Plotësimi i kushteve e detyron Ramën të pranojë manipulimin e zgjedhjeve të 2017, dhe se zgjedhjet vendore të 2019, mund të shpallen të pavlefshme nga Gjykata Kushtetutese ” 

Mendoni se ndërkombëtarët kanë kushtëzuar votimin e Reformës  Zgjedhore deri në fund të korrikut 2020,  me zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe vendore në vjeshtën e këtij viti?

–  Kushtëzimi është i dukshëm. Dita e zgjedhjet po afron. Prilli 2021 mbërriti.

-Faleminderit!