Policët 2 vjet pa marrë rrogën, Avokati i Popullit, letër ministrit Cani: Merr masa!

463
Sigal

Totozani: Marrjen e masave për sigurimin e fondeve të nevojshme për rritjen e buxhetit të Policisë së Shtetit

TIRANË- Institucioni i Avokatit të Popullit ka regjistruar rastin e bërë publik në “Balkanweb”, në artikullin me titull, “Policët, 2 vjet pa marrë paratë e orëve shtesë të shërbimeve”. Lidhur me këtë artikull, Avokati i Popullit (AP) shpreh shqetësim se artikulli flet hapur se janë shkelur të drejtat e punonjësve të policisë ndaj rekomandon që të merren masa në këtë drejtim. Lidhur më këtë çështje, AP i ka dërguar një letër ministrit të Financave, Shkëlqim Cani, në dijeni dhe ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri e Drejtorit të Policisë së Shtetit, z Artan Didi.

Ja letra e plotë e avokatit të popullit: Të nderuar Zotërinj,

Institucioni i Avokatit të Popullit ka regjistruar me iniciativë konform dispozitave të Ligjit Nr. 8454, datë 04.02.1999 “Për Avokatin e Popullit”, të ndryshuar, rastin e bërë publik në media, në “Balkanweb”, në datën 06.10.2014. Në artikullin me titull, “Policët, 2 vjet pa marrë paratë e orëve shtesë të shërbimeve”, trajtohet problemi i shkeljes së të drejtave të punonjësve të Policisë së Shtetit, të cilët nuk janë paguar për orët shtesë dhe shërbimet suplementare. Sipas artikullshkruesit, situata paraqitet e njëjtë në të gjitha organet e policisë në vend dhe shuma totale që qeveria u ka efektivëve të policisë shkon rreth 20 milion lekë të reja. Gjithashtu në këtë artikull trajtohet edhe problemi i mosdhënies së shpërblimeve të premtuara për punë të mirë punonjësve të policisë. Një nga këto raste përmendet ai i Komisariatit të Policisë Nr. 2 Tiranë për punën e mirë për zbulimin dhe arrestimin e bandës së ushtarakëve në kryeqytet të cilëve iu sekuestruan afro 100 kg tritol. Për shqyrtimin e këtij rasti, me shkresën e datës 17.10.2014 i kërkuam shpjegime Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Në bazë të kësaj kërkesë, Drejtoria e Standardeve Profesionale të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit me shkresën Nr. 1448/1 Prot., datë 24.10.2014 ndërmjet të tjerave na informoi se, problemi i ngritur në media qëndron, por buxheti i planifikuar ka qenë i pamjaftueshëm. Gjithashtu në këtë shkresë informohemi se, me qëllim shlyerjen e të gjitha detyrimeve të prapambetura, DPP i ka bërë kërkesë Ministrisë së Financave dhe pritet shumë shpejtë alokimi i burimeve financiare të nevojshme. Në përfundim të shqyrtimit të këtij rasti të bërë publik në media dhe nga përgjigja e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si dhe nga verifikimet e bëra në disa organe të policisë arritëm në konkluzionin se, mospagimi i punonjësve të policisë për orët e punës shtesë, për shërbimet suplementare dhe për shpërblimet për punë të mirë përbën shkelje të të drejtave të tyre që burojnë nga marrëdhëniet e punës dhe të garantuara nga Kushtetuta, Ligji Nr. 9749, datë 04.06.2007 “Për Policinë e Shtetit”, respektivisht nenet 87 e 88 të tij të cilat rregullojnë kohën e punës e pushimit dhe pagat e punonjësve të policisë, si dhe Vendimi Nr. 511, datë 24.10.2002 të Këshillit të Ministrave, “Për kohëzgjatjen e punës dhe të pushimit në institucionet shtetërore, të ndryshuar, pika 5, ku parashikohet se: “Me kërkesë të eprorit të drejtpërdrejtë dhe me miratimin e titullarit të institucionit qendror, nga i cili varet institucioni përkatës, nëpunësit apo punonjësit të administratës publike mund t’i kërkohet të kryejë orë shtesë. Në rastet kur është e pamundur dhënia e pushimit për orët shtesë në punë, nëpunësi apo punonjësi i administratës, që kryen veprimtari operacionale, ka të drejtë të kompensohet me shtesë mbi pagën normale. Çdo orë shtesë tej orarit zyrtar, në ditë të zakonshme paguhet mbi pagën orare edhe me 25 për qind shtesë të kësaj page, ndërsa orët shtesë gjatë ditëve të pushimit apo ditëve të festave, si dhe çdo orë shtesë e kryer nga ora 22:00-6:00 paguhet mbi pagën orare edhe me 50 për qind shtesë të kësaj page”. Avokati i Popullit paraqet rekomandime për vënien në vend të së drejtës së shkelur tek organi administrativ, që, sipas tij ka shkaktuar shkelje të të drejtave dhe lirive.

R e k o m a n d o j m ë:

Marrjen e masave për sigurimin e fondeve të nevojshme për rritjen e buxhetit të Policisë së Shtetit me qëllim pagimin e punonjësve të policisë për orët e punës shtesë, shërbimet suplementare dhe shpërblimet për punë të mirë konform akteve ligjore e nënligjore në fuqi. Për masat që do të merrni në zbatim të këtij rekomandimi, lutemi të ktheni përgjigje brenda afatit 30 ditor të përcaktuar në nenin 22 të ligjit “Për Avokatin e Popullit”.