Ilir Meta merr pjesë në inaugurimin e rivendosjes së ‘5 Heronjve të Vigut’

526
Sigal

Kryeparlamentari Meta: Rivendosje e monumentit, vlerësim për luftën, heronjtë dhe dëshmorët që sollën lirinë

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta mori pjesë në rivendosjen e monumentit “5 heronjve të Vigut” pranë rreth rrotullimit të Dobraçit në Shkodër. Në këtë ceremoni, Kryetari i Kuvendit shoqërohej nga deputetët e maxhorancës Agron Çela, Mimoza Hafizi, Paulin Sterkaj dhe Spartak Braho si edhe Prefekti i Qarkut të Shkodrës, Paulin Radovani, drejtues të tjerë lokalë, familjarë të pesë heronjve dhe qytetarë të shumtë. Në nderim të veprës së “5 heronjve të Vigut”, Kryetari i Kuvendit vendosi një kurorë me lule pranë monumentit. Në një prononcim për mediat, Kryetari i Kuvendit deklaroi se përmes rivendosjes së monumentit të “5 heronjve të Vigut” në Shkodër, rivendoset dinjiteti i atyre që dhanë jetën për lirinë e vendit dhe Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare. “Kjo është një ngjarje mjaft domethënëse, që populli i Shkodrës nderon sot bijtë më të shquar të Shkodrës, të Lezhës dhe të Mirditës, pesë heronjtë e Vigut që dhanë jetën për çlirimin e atdheut. Në prag të 70-vjetorit të çlirimit të vendit, vëmë në vend jo vetëm dinjitetin e tyre, por edhe të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, për të cilën Shkodra, Lezha, Mirdita dhe e gjithë Shqipëria kanë bërë sakrifica të panumërta duke dhënë jetën e bijve më të mirë. Ndaj sot vepra e “5 heronjve të Vigut” në prag të 70-vjetorit të çlirimit të atdheut shkëlqen dhe ndriçon rrugën tonë për të ardhmen, rrugë që bazohet tek mirënjohja për sakrificat e tyre sublime në emër të një Shqipërie më të mirë, për gjeneratat e të ardhmes”, tha Meta. Kryetari i Kuvendit e vlerësoi këtë ditë si të rëndësishme dhe tregues se populli i Shkodrës dhe i të gjithë Shqipërisë nuk harron sakrificat e atyre që dhanë jetën për të ardhmen e atdheut. “Unë dua t’ u shpreh mirënjohjen Prefektit, kryetarëve të njësive vendore që u angazhuan në këtë aksion mjaft të rëndësishëm dhe njëkohësisht deputetëve dhe të gjithë popullit të Shkodrës e në mënyrë të veçantë familjarëve të “5 heronjve të Vigut”, familjarëve të dëshmorëve, të cilët kanë kohë që e prisnin këtë ditë. Mendoj që kjo është një ditë e rëndësishme që tregon se populli i Shkodrës dhe populli shqiptar nuk i harron bijtë e vet më të mirë të cilët sakrifikuan gjithçka për të ardhmen e atdheut. I paharruar dhe i përjetshëm kujtimi i “5 heronjve të Vigut” dhe i të gjithë dëshmorëve të atdheut”, theksoi Kryetari i Kuvendit. Ilir Meta tha se Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare nuk ishte vepër e asnjë individi të caktuar dhe se çdo përpjekje për t’u kapur pas ndonjë figure të caktuar për të dëmtuar vlerat e kësaj lufte është e dështuar. “Siç e shikoni këtu nuk ka asnjë portret. Ka një monument të pesë djemve nga më të mirët e Shkodrës, të Lezhës dhe të Mirditës dhe e theksoj edhe një herë tjetër që Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare nuk ka qenë vepër e asnjë individi të caktuar. Ka qenë vepër e mbarë popullit shqiptar, e mijëra dëshmorëve të atdheut dhe ne në këtë 70- vjetor kujtojmë dhe nderojmë veprën e tyre të shkëlqyer dhe të pavdekshme. Çdo përpjekje për t’u kapur pas një figure apo një ideologjie të caktuar për të dëmtuar vlerat e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare, është e dështuar sepse siç e shikoni edhe sot, populli i Shkodrës dhe i gjithë Shqipërisë i ruan të freskëta dhe të gjalla idealet për të cilat “5 heronjtë e Vigut” dhe djemtë më të mirë të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë dhanë jetën”, shtoi Meta. Më pas, Kryetari i Kuvendit dhe deputetët që e shoqëronin vizituan familjen e Ahmet Haxhisë, një prej “5 heronjve të Vigut”. E motra e Heroit Ahmet Haxhia, Xhuhere Mushani vlerësoi rolin Kryetarit të Kuvendit dhe angazhimin institucioneve shqiptare për të rikthyer në vend dinjitetin e atyre që dhanë jetën për lirinë e atdheut. “U kthye dinjiteti. Kanë punuar shumë mirë dhe kanë bërë një mrekulli dhe do t’i kujtojmë gjithmonë me krenari. Kjo ishte një dhuratë e mrekullueshme, ka qenë fjala e z. Meta. Shumë faleminderit që kanë bërë këtë gjë të mundur”, tha Xhuhere Mushani. Kryetari i Kuvendit u shpreh se monumenti më i madh për “5 heronjtë e Vigut” është në zemrat e popullit të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë. “Unë them që ka pasur kërkesa të mëdha në të gjithë Shqipërinë për ta marrë monumentin e “5 heronjtë e Vigut” dhe për ta vendosur në Lezhë, sepse populli i Lezhës ka qenë shumë i irrituar për faktin se një prej pesë heronjve është djalë i Lezhës. Shumë bashki dhe shumë komuna në të gjithë Shqipërinë kanë kërkuar për të vendosur monumentin e pesë heronjve. Por vendi i tyre ishte në Shkodër dhe tani kemi një monument mbi monumentet. Monumenti më i madh është në zemrat e popullit të Shkodrës dhe të gjithë Shqipërisë”, tha Meta. Kryetari i Kuvendit u ndal më pas dhe një familjen e heroit tjetër Naim Gjylbegu ku vlerësoi kontributin e tij për çlirimin e atdheut dhe rolin e Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare.