Salianji nga Elbasani/ PD të fokusohet te mobilizimi, jo te konfliktet e brendshme,politika po mban peng shoqërinë për interesat personale

 

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, gjatë takimit me demokratët në Elbasan tha se kjo iniciativë nuk është për poste, apo interesa personale, por për të garantuar që PD të dëgjojë anëtarët dhe të mos i braktisë ata.Salianji u shpreh se politika në vend ka degraduar, duke mbajtur peng shoqërinë me hallet e tyre personale, duke zhbërë çdo normë, parim të demokracisë dhe duke e reduktuar politikën në çështje private.

Anëtari i Kryesisë së Partisë Demokratike, Ervin Salianji, ka komentuar mbledhjen e fundit të Kryesisë së PD-së, duke shprehur kritika për mënyrën se si u zhvilluan diskutimet dhe për fokusin e debatit të brendshëm në parti.

Sigal

Gjatë një takimi me strukturat e PD-së në Elbasan, Salianji tha se mbledhja e Kryesisë u përqendrua për disa orë te çështje të brendshme, ndërsa sipas tij, diskutimi për aksionin politik ndaj qeverisë ishte i kufizuar. Ai theksoi se Partia Demokratike duhet të orientojë energjitë te organizimi dhe mobilizimi i demokratëve.

Ai shtoi se, rruga përballë qeverisë nuk kalon përmes konflikteve të brendshme apo, siç u shpreh ai, “armiqve imagjinarë”, por përmes një strukture të bashkuar dhe të respektuar nga anëtarësia. Ai nënvizoi se respektimi i demokratëve është kusht thelbësor për forcimin e partisë.

“Mbledhja e fundit e kryesisë, ishte 4 orë gjyq për mua dhe për ju dhe 30 minuta për Edi Ramën. Duhet ta themi qartë në cdo diskutim të brendshëm të PD se nuk është rruga e duhur që ka zgjedhur në momente të rëndësishme të saj.

Dhe po e them dhe sot, Edi Rama nuk mundet as me armiq imagjinarë, as me përbetime të përsëritura prej vitesh nga disa që në politikë mund të njihen dhe si idiotë të dobishëm që nuk i lidh asgjë me njerëzit dhe që humbjet i kanë të vetmet bilanc në karrierën politike.

Riorganizimi i PD në të njëjtën kohë me protestën është po aq i rëndësishëm sa protesta për PD, për të pasur masivitetin që e kërkon çdo demokrat. Nuk ekziston asnjë rrugë tjetër veç respektimit të demokratëve.”, tha ai.