Platforma e IT-së për studentët dhe nxënësit/Shahini: Përfitim i njohurive të reja

347
Sigal

Në sugjerimet e saj për studentët dhe nxënësit shqiptarë, Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Besa Shahini ka shtuar një tjetër platformë mësimdhënëse, këtë herë mbi kodimin, ndërkohë që mësimi vijon të bëhet në kushte shtëpie.

“Ndërsa jeni duke menduar për aktivitete në kushte shtëpie, po sikur të mësonit kodimin? Platforma kursori.org është në dispozicion pa pagesë dhe ftoj të gjithë studentët dhe nxënësit të regjistrohen” – shprehet ministrja Shahini.

Në këtë platformë mund të gjenden 3 kurse për zhvillimin e aplikacioneve web dhe integrimin e produkteve programuese (software).

Kjo platformë është krijuar nga Instituti Shqiptar i Shkencave (AIS) dhe Open Data Kosovo (ODK) me financim nga BE.

Me anë të këtyre kurseve, nxënësit dhe studentët njihen me teknologji dhe trende të reja të fushës së IT-së, ndërkohë që pajisja me njohuri teknologjike lehtëson aksesin në tregun e punës dhe plotësimin e kërkesave të punëdhënësve.

Kurset që mund të aksesohen janë:

1- Dizajnimi, Analizimi dhe Integrimi i bazës së të dhënave në web,
2- Zhvillimi praktik i aplikacioneve te bazuara në web,
3- Integrimi i produkteve softwerike të përshkallëzuara.