Pezullohet funksionimi i Shoqatës Shqiptare e Bashkive, derisa të zgjidhë ngërçin

73
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Komiteti Drejtues i Këshillit të Komunave dhe Rajoneve Evropiane reagon për heqjen e Voltana Ademit nga drejtimi i shoqatës së bashkive

Komiteti Drejtues i Këshillit të Komunave dhe Rajoneve Evropiane, ka reaguar përmes një deklarate zyrtare në lidhje me shkarkimin e Voltana Ademit nga posti i kryetares së Shoqatës së Bashkive në Shqipëri. Në komunikatë, Komiteti i Komunave dhe Rajoneve Evropiane, shprehet se, do të ngrijë të gjitha funksionet që Shoqata Shqiptare e Bashkive ka si pjesë e ‘Komunitetit’, deri në zgjidhjen e problematikës së krijuar me zgjedhjen e Pjerin Ndreut në krye. Në momentin që do të zgjidhet ky ngërç i brendshëm, atëherë Shoqatës Shqiptare të Bashkive, do t’i rikthehen kompetencat që ajo ka në Komitetin e Komunave dhe Rajoneve Evropiane. “Komiteti i Politikave të Këshillit Europian të Bashkive dhe Rajoneve (CEMR), shpreh shqetësim të thellë mbi iniciativën e disa kryetarëve të bashkive, anëtarë të Shoqatës për Autonomi Vendore (ShAV) e cila ka përfaqësuar historikisht bashki të një përkatësie politike, për të kapur dhe uzurpuar Shoqatën e Bashkive të Shqipërisë (ShBSh), pa qenë formalisht anëtarë të saj. ShBSh është anëtare e CEMR prej shumë vitesh. Vjet, Komiteti i Politikave shqyrtoi kërkesën e ShAV për të qenë anëtare e CEMR. Kjo kërkesë nuk u pranua dhe të dyja shoqatat u inkurajuan të diskutojnë, punojnë dhe përfaqësojnë së bashku në mënyrën më të mirë të mundshme interesat e qeverisjes vendore në Shqipëri. Duke pasur parasysh rolin tonë të rëndësishëm në përfaqësimin e qeverisjes vendore europiane dhe shoqatave përkatëse, ju bëjmë thirrje palëve të interesuara dhe dy shoqatave të nisin menjëherë dialogun politik dhe teknik, për të arritur një vizion të përbashkët në përputhje me detyrimet kushtetuese dhe në respekt të legjitimitetit të njëri -tjetrit. Ne jemi në dijeni të procesit ligjor që po zhvillohet për zgjedhjet vendore të 2019, të cilat u bojkotuan nga opozita. Megjithatë, ne ju bëjmë thirrje të dyja palëve, të punojnë për zgjidhje të përbashkët në interes të komuniteteve lokale shqiptare. Në përputhje me parimet e Kartës Evropiane për Autonomi Vendore dhe parimet e CEMR për pluralizëm politik dhe vlera demokratike, ne do të ngrijmë statusin e anëtarësisë së ShBSh-së deri në gjetjen e një zgjidhjeje mes palëve. Shpresojmë që kjo të mundësojë dialog të vërtetë mes drejtuesve politikë dhe shoqatave në arritjen e një zgjidhjeje të përshtatshme në mbrojtje të interesave të qeverisjes vendore në Shqipëri”, shkruhet në komunikatë. Kujtojmë se, përplasje në Shoqatën e Bashkive nisën me zgjedhjen e Pjerin Ndreut në krye, dhe refuzimit të bërë nga kryetarja aktuale Voltana Ademi, e cila thekson se, zgjedhja e tij është bërë nga bashki që nuk janë anëtare të shoqatës.