Përgjigja është e thjeshtë: Shëndetësia bëhet, dhe shpejt bile!!
Shifrat dhe faktet janë shumë kokëforte.
Shëndetësia sot është shumë më keq, ndonëse merr fonde financiare shumë më tepër se në 2013.
Shëndetësia është më keq, edhe pse i shërben një popullsie më të vogël se në 2013, sepse gati 1 milion shqiptarë janë larguar në këto 12 vjet.
Shëndetësia është më keq, sepse sot shqiptarët paguajnë gati 900 milion euro nga xhepi, ndërkohë që në 2013 paguanin rreth 350 milion për një popullsi 1 milion më të madhe.
Shëndetësia është më keq, sepse sot klinikat dhe spitalet private janë pesë herë më shumë se në 2013, sepse atëherë shumicën dërrmuese të punës e përballonte shteti, ndërsa sot, që shteti në shëndetësi ka falimentuar, qytetarët detyrohen ta marrin shërbimin në privat.
Shëndetësia është sot më keq, sepse koncesionet përpijnë fonde pa mbarim.
Shëndetësia është sot më keq, sepse është goditur në zemër kujdesi shëndetësor parësor dhe shëndeti publik.
Shëndetësia është më keq, sepse është shkatërruar sistemi i referimit dhe në QSU dynden dhjetëra mijëra qytetarë çdo ditë.
Shëndetësia është më keq, sepse sot pritet radha për vizita dhe ekzaminime me muaj të tërë, ndërsa para 2013 Shqipëria ishte ndër katër vendet me aksesin më të shpejtë për shërbim shëndetësor.
Shëndetësia është më keq, sepse qytetarët u mashtruan duke u thënë se shëndetësia është falas.
Shëndetësia bëhet, po, po bëhet!
Shëndetësia bëhet edhe shpejt bile, sepse të gjitha këto mund të ndryshohen menjëherë nëse ka vullnet dhe ndershmëri.
Shëndetësisë mund t’i kthehen menjëherë kolonat mbështetëse të saj, të ndalen koncesionet, të kthehet roli aktiv profesional i spitaleve nëpër qarqet e vendit, të kthehet një sistem i disiplinuar referimi, të ndalen investimet për fasada që marrin flakë, të paiset onkologjia me barna, të vendoset gatishmëria e aparaturave mjekësore duke financuar mirëmbajtjen.
Pra, zgjidhjet janë, bile janë aplikuar edhe në të shkuarën me sukses, por korrupsioni i Edi Ramës i asgjësoi pa mëshirë.
Shëndetësia nuk bëhet me propagandën, korrupsionin dhe injorancën e Ramës, që kur s’ka punë mban pallavra me orë të tera në QSU.
Shëndetësia bëhet me përkushtim, me modesti, duke dëgjuar mjekët e shumtë të zotë që shërbejnë në sistemin shëndetësor, duke dëgjuar qytetarët për shqetësimet që kanë, duke dëgjuar mediat për çdo problem që konstatojnë.
Ndërsa agresiviteti, arroganca dhe makutëria vetëm se e kanë shkatërruar shëndetësinë në këto 12 vjet.
Kini besim, shëndetësia bëhet edhe shpejt bile, por kurrë nuk mund të bëhet me këta që e kthyen në plaçkë tregu këto 12 vjet.