Kërpaçi: Modeli qeverisës më shumë mbyll vende pune sesa krijon

145
Sigal

Nga Floida Kërpaçi

Kriza e punësimit në Shqipëri karakterizohet nga mungesë vendesh pune, paga të ulëta dhe mospërputhje e punës me profesionin.

Mbetem e bindjes se punësimi, si një e drejtë dhe nevojë bazë për një jetë me dinjitet, duhet reformuar dhe garantuar për të gjithë.

Jo vetëm për të rinjtë që nisin punën për herë të parë, por edhe atyre që dalin të papunë pa arritur moshën apo vitet e pensionit, u duhet krijuar mundësia për të qenë të performuar në tregun e punës.
Qasja aktuale e modelit qeverisës, më tepër mbyll vende pune sesa i krijon ato.

Më tepër largon në emigrim qytetarë, sesa t’i pajisë me aftësitë e duhura për t’u përshtatur me kërkesën e tregut të punës në sektorin privat.

Pandemia në të gjithë botën pa sektorë ekonomie që u mbyllën përgjithmonë ndërkohë që panë një rritje eksponenciale të disave që përbënin një përqindje shumë të ulët të aktivitetit privat.

Profesione që më parë ishin shumë poshtë në shkallën e pagave morën një hov të madh duke kapur majat, ndërsa disa prej atyre që ishin në majë nuk janë fare sot në tregun e punës.

Si bota edhe Shqipëria do të ndikohet prej zhvillimeve, si do të jenë ato, të mira apo negative.

Shqipëria ka nevojë të zgjedhi punën më 25 prill, duke u larguar nga politika e aventurave drejt një politikë të përgjegjshme dhe të aftë.