Petrit Vasili: Ramën, që cilësoi parlamentin ‘Kopsht Zoologjik’, do ta shkulim nga karrigia e kryeministrit

256
Sigal

Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, ka bindjen se qytetarët do t’i përgjigjen masivisht opozitës me 11 shkurt në protestën kundër kryeministrit Rama. Në një intervistë, ai tha se manifestimi i të shtunës i paraprin ndryshimeve të mëdha në vend.“Në 11 shkurt do të ketë një protestë të jashtëzakonshme, e cila do të shënjojë gjëra mjaft të rëndësishme dhe ndryshime të mëdha në këtë vend. Nuk ka më shqiptarë të majtë dhe të djathtë. O do të kemi një kryeministër të ndershëm ose një mafioz. Amerikanët e kanë marrë vendimin e tyre, kudo që shohin politikanë mafiozë do t’i dënojnë me gjithë ashpërsinë e ligjit. Shqipëria ka një kryeministër mafioz dhe hajdut. Gara elektorale patjetër, secili është legjitim në preferencat e tij, por ky mafioz nuk mund të rrijë më në karrige. Nuk njeh parlamentin. Me fuqinë e parlamentarizmit, të një proteste shumë të fortë, shumë këmbëngulëse ta shkulim këtë njeri që ka deklaruar se unë jam shkarkuar, hajde më hiqni. Ka mbaruar kjo punë e tij”. Duke komentuar deklaratën e një dite më parë të kryeministrit në media për lidhjet e tij me ish-zyrtarin e FBI nën hetim në SHBA, Vasili tha se “duke e quajtur Parlamentin Park Zoologjik përfundimisht Edi Rama ka pohuar publikisht vetëshkarkimin e tij. Nga mbrëmë Rama nuk është më kryeministër i Shqipërisë, sepse ai votëbesohet me vulën e parlamentit dhe jep llogari në parlament. Është detyrim kushtetues i pakapërcyeshëm nga asnjë njeri. Ai i ka mbyllur problemet e tij me përfaqësimin shtetëror”.