Peticion drejtuar DASH, për kthimin e vlerësimit për prokurorin e diktaturës

57
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Reagimi  përfaqësuesve të ish të pushkatuarve, ish të dënuarve politikë për vlerësimin nga DASH të Ardian Dvoranit

Flet Filip Guraziu, djali i Pjetër Guraziut, i cili u pushkatua më 26 shkurt 1951 me 21 intelektualë

Gazeta “Telegraf” po publikon intervistat e pjesëtarëve të familjeve, të cilëve u janë pushkatuar, dënuar, burgosur, internuar babai, vëllai, ata vetë, familjarë të tjerë, vetëm e vetëm, pse nuk kanë përkrahur dogmën komuniste, përse kanë kundërshtuar regjimin komunist, vetëm e vetëm pse kanë qenë simpatizantë të Amerikës së Lirë. Në intervistat e tyre, Filip Guraziu, Hyqmet Zane, Ismail Çala dhe Edmond Pojani pohojnë se vlerësimi që DASH I bëri Ardian Dvoranit, ish prokurori i regjimit komunist, i ka zhgënjyer, i ka dënuar për së dyti herë, sa edhe varret e të pushkatuarve nga diktatura do të kenë lëvizur, me vlerësimin nga DASH për Dvoranin,  prandaj janë gati që të firmosin peticion, ku t’i kërkohet DASH, që të marrë mbrapsh vlerësimin.

Ja intervista e plotë dhënë për telegraf.al : 

Ja si e përjetova arrestimin dhe pushkatimin e babait tim, Pjetër Guraziu më 22 prill 1951

-Zoti Guraziu, cili ishte babai juaj Pjetër Guraziu?

-Lindi  në rrugën e Gurazezve, Gjuhadol, Shkodër, datë  30.10.1906 në familjen tregtare të  Gurazezve me kontribut  qytetar, kulturor dhe patriotik; stërgjyshi i Pjetrit,- Shan Guraziu  anëtar i “mexhlisit”( këshilli qytetar) si nji ndër përfaqësuesit e lagjeve katolike të qytetit;  gjyshi i tij – Pjetër Guraziu bënte pjesë në  Komitetin Drejtues  të Degës së Lidhjes  Prizrenit për Shkodrën; i ati – Filipi, i burgosur prej pushtuesi turk për veprimtari patriotike, figuron si firmëtar i peticionit që shqiptarët e diasporës në Barit  i patën derguar ministrit të Jashtëm anglez Edëard Grey  në favor të Shqipërisë së pavarur. Mbas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, Filipi ( i ati), ngarkohet me detyrën e formimit të fondit  financues për funksionimin e jetimoreve në qytetin e Tiranës, të cilën, së bashku me të tjerë tregtarë tiranas e kryen me sukses të plotë. Në vitin 1912, Pjetri, në moshën 6 vjeçare,  transferohet me familjen në Bari-Itali, ku arsimohet. Përfundon Shkollen e mesme Tregtare e në  vjetin 1929  merr doktoraturën për Ekonomi pranë Universitetit të Barit – Itali. Gjatë vjetëve të universitetit shpërthen si talent në atletike ku u shpall disa herë kampion i Universiadave italiane në vjetin 1925 etj. Rezultati në kërcim së gjati, i arritur në vjetin 1925 në moshën 18 vjeçare prej 6.15 m. përbën rekordin e parë të dokumentuar në historinë e atletikës shqiptare.  Në vitin 1930 kthehet në Shqipëri dhe fillon punën si pedagog pranë Shkollës se Mesme Tregtare  në Vlorë.  Në kët vit shpallet edhe Kampion kombtar në atletik me ekipin e Tiranës ( stafetë 4 x100m). Mbrapa punësohet si drejtor në Doganën e Tiranës. Gjatë vjetëve të okupacionit italian tërhiqet në aktivitetin privat të familjes, që drejtohej prej të  atit. Martohet në 1938 me Ermelinda Saraçin, zoti i fali dy fëmije;  Elizabeten  dhe  Filipin. Familja e Gurazezve , me banim në Tiranë, ndihmoi financiarisht Luftën Nacional Clirimtare, duke shpresuar e besuar për realizimin e  një  Shqipërie demokratike të pas luftës, por mbas marrjes me dhunë të  pushtetit prej komunistave çdo gjë doli ndryshe…

 

-Cili ishte aktiviteti i babait tuaj Pjetër Guraziu, pas çlirimit të vendit?

– Në tetor 1944, ftohet  të marrë pjesë  në formimin e qeverisë së re demokratike në Berat ( i konsideruem intelektual i pakomprometuar me okupatorët), por pengohet nga shëndeti (në ato ditë po vuente nga një krizë  ulçer në stomak. Në vitin 1946 zgjidhet në Komisionin Kombëtar të  Atletikës për organizimin e lojnave të Ballkaniadës, që u zhvillua në Tiranë. Gjatë periudhës 1946 deri 1951 shërben në detyra të rëndësishme pranë dikastereve qendrore të shtetit shqiptar, shef finance në Ministritë e Bujqësisë, Minierave.

 

NATA E 22 SHKURTIT 1951!

-Cila mbresa ruani, ju, fëmija 7 vjeçare për ditët e fundit të babait tuaj në familje?

Në shkurt të vitit 1951, në moshën shtatë vjeçare isha në klasën e dytë fillore në Shkollën “Ali Demi”, Tiranë, që ishte  vetëm 100 m. larg shtëpisë, ku banoja.  Duket se faktori moshë nuk më pat lejuar ose nuk më pat  mundësuar ndërgjegjësimin dhe përjetimin  real të asaj  situate ” të pa dëgjuar dhe të paimagjinuar” që po kalonte  shoqëria shqiptare me instalimin e Diktaturës Komuniste: Dhuna  s’kishte mbarim; arrestime  në rrethin familjar, pushkatime në rrethin miqësor, internime familjesh,  shpronësime, nxjerrje me urdhën prej shtëpive, mungesa e fjalës së lire, etj. sepse kujtimet e mia lidhen kryesisht me mjedisin e dashur familjar, me gëzimin dhe entuziazmin që më krijonte njohja  me shokët e ri të shkollës (ndër të cilët kujtoj Hajredin Fratarin) si dhe me  lojrat sportive, sidomos atë të futbollit me top   prej leckash dhe porta të kufizuara me gurë, pa harruar gjuetinë me lastik…!  Ndryshe prej të mëdhenjve, jeta e ime rrjedhte e qetë; me kujtohet që babai Pjerini, në atë kohë me moshë 44 vjeçare, ishte jashtëzakonisht i ngarkuar në detyrën e tij si shef finance në ministri, sepse  u kthente shumë vonë prej punës, vetëm të dielave ishte pranë familjes, paraditja e së cilës  kalonte me pjesëmarrjen ( familjarisht) në meshën e Kishës Françeskane dhe vizita të shkurta në familjet e miqve. Kur  Lana kishte ujë pak, ndiqshim rrugën më të shkurtë për me shkuar të Kisha, duke  kaluar  mbi disa gurë të mdhenj të pozicionuar mbi shtratin e vijës ujore. Tingujt e pianofortes në shtëpi ishin të përditshëm,  muzika më krijonte nji ndjesi të veçantë. Notat muzikore i pata mësuar  përpara  shkrimit në shkollë  sepse xhaxhai, pianisti Tonin Guraziu, pat përdorë “figura vizatimore” për të kuptuar notat ( nji “rreth” donte të thoshte nota “re” etj). Dëgjoja që xhaxhai i thonte të tjerëve se Filipi ka talent për piano,  suksesi i im i parë ( dhe i fundit) pat qenë një koncert në radio Tirana në moshën 6 vjeçare!

Rrufeja në natën me yje!

-Zoti Guraziu, a e mbani mend natën, kur u arrestua babai juaj?

– Në  thellësinë e natës së 22  shkurtit 1951, goditjet e forta të derës së shtëpisë , ma nxorrën gjumin, hapa syte dhe mbeta i çuditur…! Të gjithë ishin çuar  dhe në lëvizje, mbas pak babai Pjetër iu afrua derës së jashtme dhe me za të fortë pyeti: -Kush jeni dhe çka doni në ketë orë të vonë ? Një zë u digjua prej jashtë: –  Hape deren, jemi Sigurimi i Shtetit, kemi ardhur për kontroll ! Baba vazhdoi: – A është me ju përfaqësuesi i Këshillit të Lagjes, filani….? – Pa prezencen e tij, nuk  ju hap derën ! Një za prej jashtë, urdhëroi njerëzit e tij: Urgjent sillni këtu përfaqësuesin e Këshillit të Lagjes….Ra heshtje…, babai erdhi me shpejtësi në dhomën e gjumit dhe lëvizi sintoninë e radios, veprimin e kuptova…( sintonia të ishte te Radio Tirana…!) Mbas pak u dëgjua zëni i përfaqësuesit të Këshillit të Lagjes dhe baba hapi derën: Tre persona  të veshur me tesha ushtarake u futën brenda. Njeri, duket kryetari i grupit, pyeti babën; -Ti je Pjetër Guraziu dhe pa marrë përgjigje  me zë të lartë i tha: –  ” Në emër të popullit je i arrestuar”,  do vish me neve  për një sqarim në Degën e Punëve të Brëndshme, bëju gati! Heshtje varri në shtëpi, nëna ndihmoi babain për përzgjedhjen e teshave….babai veshi tabaren e tij të trashë të zezë prej leshi,  vuri kapelen  republika ( nën vrojtimin e panderprerë të rojes) dhe doli në corridor, ku e izolua në një qoshe.  Vetëm mua si fëmijë më lejuan t’i afrohem. Kurrë nuk mundem të harroj atë skenë, që fatalisht paska pasë qenë e fundit !. Babai kërkoi medicinat që merrte kundër sëmundjes së ulçerës dhe pyetjes së Dadës së shtëpisë, Dilës: “Çka na bëre, more Pjetër, more në qafë vendin e familjen”…- iu përgjigj me za të lartë, që ta dëgjonin të gjithë të pranishmit aty: – ” Mos u bëni marak, rrini të qetë, jam i pafajshëm, nuk kam bë kurrgja, çdo gjë ka për t’u sqaruar e shpejt kam për t’u kthyer në shtëpi!  Hijet e natës erdhën, morën me vete baben dhe u zhdukën në errësinë…

A i ruani ende ato për përjetuar ju, familja juaj, pasi u arrestua babai, deri në datën e pushkatimit?

– Të nesërmen u mor vesh se në Tiranë natën e 19 shkurtit ishin arrestuar mbi 150 persona…! Një ditë mbrapa erdhën lajme se shumë prej atyre që ishin arrestuar kishin filluar t’i lironin, lajme që zgjuan shpresën në familje për lirimin edhe të babës, për të cilin të gjithë kishin besim të plotë se ishte i pastër, sepse ai dinte vetëm punë e familje dhe vetëm familje e punë!  Kaluan ditë dhe baba nuk u kthye, por shpresa ishte e fortë, të gjithë kishim besim…!  Ndër ato ditë ankthi dhe trishtimi, mua  më çuan çdo ditë në shkollë, vazhdoja me zor mësimin, mendjen e kisha tjetërkund..!

– Ju, kur e morët vesh pushkatimin e babait?

– Në datën 1 Mars 1951, në orën e dytë të mësimit, erdhi motra (Sisi) në klasë dhe më mori në shtëpi.  Gjeta shumë persona, përveç pjesëtarve të familjes time dhe të Zef Guraziut ( xhaxhai i babës) me kujtohen;  kushëriri Emil Shiroka dhe shoku i babës  Ing. Filip Geci. Të gjithë të veshun  për zi!  Heshtje e vajtime, vajtime dhe heshtje; heshtje e vajtime, vajtime dhe heshtje…! Atë moment kuptova se në vend të ardhjes së babës , kishte pasë  ardhë një pusull me shkrimin: ” Pjetër Guraziu  është pushkatuar si armik i popullit dhe i Partisë”, rrufeja  komuniste kishte mbuluar në zi familjen e Pjetër Guraziut dhe kishte përplasë përtokë  pa ndjeja të vejen 36 vjeçare të  Pjerinit, nënën Inda! Diktatura e proletariatit kishte triumfuar mbi pafajsinë.

-Ju, kur gjetët eshtrat e babait tuaj?

Në vitin 1993, falë përkushtimit të Z.Hysen Shehu, u zbulue ” gropa e kuqe” ku patën qenë hedhë të gjallë dhe mandej pushkatuar të 22 viktimat e 26 shkurtit. Në atë grope,  përveç eshtrave, dallova dhe mora në dorë edhe copat e tabares  së zezë të babës Pjetër, emocioni thirri kujtesën dhe kujtesa më solli përpara korridorin e shtëpisë, tabaren e zezë prej leshi dhe babën në këmbë i qetë, që prej larg  më linte një porosi: Kurrë komunizëm!

Nderimi i martirrëve

Mbas  40 vjetve , në Gusht të vitit 1991, Plenumi i Gjykatës së Lartë  rishqyrtoi proçedurën ligjore të masakrës terroriste të 26 Shkurtit 1951, ku u torturuan dhe u pushkatuan  baba Pjetër dhe  21 intelektualë të tjerë dhe doli me vendim: “Të  22 viktimat e 26 Shkurtit 1951 ishin të pafajshëm, nuk kishin lidhje me akuzen dhe  ishin pushkatuar pa proçes gjygjsor, por vetëm me vendim terrorist të Byrosë Politike Enveriste. “Gjyqi i montuar” i cili  ishte tentuar për t’u  organizuar  mbas pushkatimit të 22 intelektualëve, në realitet  ishte nul, mbasi në vendimin e tij nuk figurojshin firmat e trupit gjykues.!” Me vendim unanim të familjarëve të viktimave, të 22 intelektualët  u varrosën së bashku në njëvorr monumental në Tiranë. Pjetër Guraziu së bashku me 21 “Martirët e Pafajësisë”, me vendim të Presidentit të Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha u dekorua me medaljen  për ” Veprimtari Patriotike”, prej Presidentit “Z. Bamir Topi në vitin  2008 u shpallën ” Nderi i Kombit” dhe prej Presidentit Nishani, famijarët e viktimave të masakrës së 26 Shkurtit u vlerësuan me ” Urdhnin e Flamurit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut.

–  A keni dokumenta sot të atij gjyqi? Kush ishte kallzuesi? Përse e akuzuan?

– Nuk la ka pasë proces gjyqësor. Viktimat janë dënuar në mbledhjen e Byrosë Politike me propozimin e M.Shehut e aprovim të E.Hoxhës. Pjesëtarët e Byrosë Politike kanë aprovuar krimin terrorist. Në mbledhje është bërë e qartë se  nuk kishte asnjë indicie kundër 22 intelektualëve, por do të realizohej një akt terrorist, si kurban per Stalinin. Gjyqi që u bë mbrapa pushkatimit, rezultoi nul, sepse nuk ishte i formosur prej anëtarëve të trupit gjykues. Këto janë të dokumentuara në vendimin e Plenumit të Gjykatës së Lartë të dates 8 Gusht 1991, i cili shpalli pafajësinë e viktimave.

– A iu dha fjala babait tuaj në gjyq?

– Nuk ka pasë gjyqe, por vetëm hetuesi me tortura. Fjala e babës tim në hetuesi ka qenë: Unë nuk e pëlqej diktaturën komuniste, por nuk kam bërë asnjë veprim kundër saj, sepse unë jam familjar e në jetën tim kam vetëm përkujdesin për familjen”.

Çfarë ndodhi me familjen tuaj, pas pushkatimit të babait?

– Mbas pushkatimit familjet e të pushkatuarve u internuan në zona të vështira jetese në Jug te Shqipërisë. Vetëm familja e ime u internua në Shkodër ( xhaxhai i nënës time ndërhyri tek kolonel Stavri Xharro, i cili ndryshoi destinacionin e internimit prej kënetave të Fierit në Shkodër. Mbi familjen tonë veproi lufta imorale e klasave, por për faktin se jetuam në qytet tek gjyshi prej nënës, vuajtjet i patëm  më të lehta se të familjeve të tjera të fatkeqësisë.

Flasin për gazetën Telegraf :

Hyqmet Zane:  Edhe varret e të pushkatuarve nga diktatura do të kenë lëvizur, me vlerësimin nga DASH për Dvoranin

Quhem Hyqmet Zane, djali i Naile dhe Nuri Zane.

Lindur në Tiranë më 1955, me orgjinë nga Çamëria dhe banim në Elbasan.

Im atë ish internuar në kampet e shfarosjes në masë në Mat’hausen dhe Dakao të Gjermanisë gjatë Luftës II Botërore dhe burgosur më 1964 nga sistemi komunist. U ndjeva keq vërtet, kur mora vesh që prokurori i diktaturës Ardian Dvorani u cilësua kampion i antikorrupsionit nga DASH. Unë që e kam dëgjuar “Zërin e Amerikës”fshehurazi dhe që u rrita me urrejtjen ndaj sistemit stalinist të Enver Hoxhës dhe që lajmet e Amerikës i kisha si një informim në jetën time, nuk u zura besë veshëve të mi, kur ndëgjova lajmin e papranushëm.  E dua Amerikën si kampion të demokracisë dhe kurrësesi nuk mund të mohoj ndihmën e madhe që i ka dhënë kombit shqiptar në një shekull, por me këtë rast që do ta cilësoja aksidental, kam bindjen se edhe varret e të pushkatuarve nga diktatura do të kenë lëvizur, edhe shpirtart e atyre bijëve të këtij kombi nuk janë ndjerë mirë, që marrin vesh një nderim të një njeriu që edhe pamjen e ka tinzare, edhe punën e ka të pabesë, edhe veprat i ka të zeza. Ky sistem i instaluar në Shqipëri me këtë palo rilindje bastarde, ka prodhuar tipa të tillë Dvoranësh, që sot i gjen kudo dhe vetingu për fatin e keq i ka promovuar negativisht, sepse kështu ka lobuar kryeministri ynë që të jenë në krye të institucioneve, që gjoja dolën nga vetingu me drejtues si Dvorani,  sepse edhe ne krye të patrlamentit është një ish ministër i diktaturës Gramoz Ruçi, që e gjithë trupa e ambasadorëve dhe ajo e Amerikës e di dhe heshtin. Përse? Ndoshta të vrarët e diktaturës, që janë rreth 6 mijë të tillë, do na ngrihen nga varri e do të na kërkojnë llogari, si për të na thënë: “pse pranadaj u sakrifikuam ne që të nderohet prokurori i diktaturës” ? Turp !

Ismail Çala: Ndjejmë zhgënjim, që DASH të vlerësojë një xhelat të komunizmit

Quhem Ismail Çala. Jam djali i Hamide dhe Jaho Çala. Kam lindur në Elbasan më 20 shkurt 1957.

Në maj të vitit 1968 na dëbuan nga qyteti si armiq të pushtetit popullor të diktaturës dhe si kulak. Ndenjëm në internim deri kur në Shqipëri ra komunizmi. Sot kur dëgjoj se një hetues i diktaturës dekorohet apo vlerësohet si kampion i antikorrupsionit nga SHBA, më vjen çudi, ndjej zhgënjim të thellë që ky titull i jepet nga vendi që gjithë jetën e ënderruam si kampion të lirisë e demokracisë. Dua të them se me net të tëra rrinim pranë radios gjithë frikë për të dëgjuar “Zërin e Amerikës”. E pabesueshme që dhe e papranueshme për ne shtresën e të përndjekurve politikë dhe pjesë e Shoqatës Antikomuniste të Elbasanit. Por gjykoj se diçka nuk ka funksionuar dhe besoj fort se ky gabim do të riparohet.  Kam besuar dhe besoj shumë se nga SHBA drejt nesh duhet e do vijnë mesazhe lirie, mesazhe respekti për vuajtjet tona, që jemi kampion të rezistencës nga persekutimi stalinist. Parase të jepet një vlerësim i tillë, para së gjithash duhet të bëhet një shoshitje  emirë dhe marrje mendimi nga Shoqatat e të përndjekurve politikë, që i njohin mirë persekutorët dhe prokurorët e Sigurimit të Shtetit.

 

Edmond Pojani: Po na dënojnë për së dyti herë me dekorimin e prokurorit të regjimit komunist 

Quhem Edmond Pojani. Jam djali i Safete dhje Ilmi Pojani nga Pojani i Korçës, që jetoj në Elbasan.

Ne vijmë nga një familje nacionaliste dhe antikomuniste me kohntribute në luftën kundër armiqve të Shqipërisë. Persekutimi i familjes sonë nisi që më 1944, sepse një dajë u vra nga komunistët dhe një tjetër u denua dhe u pushkatua nga diktatura dhe dajat e tjerë të burgosur nga gjyqet komuniste. Si familje e persekutuar, vëllai im i madh Demir Pojani dënuar me 22 vjet burg, vëllai i dytë dënuar me 16 vjet burg dhe  unë Edmondi me 2 vjet burg dhe 10 vjet internim.

U në e dua Amerikën, sepse  e kemi menduar si shpresa jonë dhe jemi dënuar edhe për këtë shkak, se e donim si familje shtetin e parë demokratik në botë. Kemi dhënë kontributin tonë nën shembullin e  Amerikës, pra u ndjeva keq dhe nuk u besoja veshëve, kur dëgjova dhe pashë në televizor se si prokurori i diktaturës Ardian Dvorani u cilësua kampion i antikorrupsionit. Si është e mundur, – thashë me vete, – duhet të jetë bërë ndonjë gabim informimi për këtë njeri, që e mbaj mend që në fund të viteve para ndrrimit të sistemit, ai ishte prokuror, që dënonte antikomunistët. Por edhe sikur të mos kishte dënuar, kur thuhet kampion i antikorrupsionit, unë do e kisha ndjerë një herë të vetme dorën e këtij njeriu ndaj korupsionit të madh, që bëhet në Shqipëri dhe sidomos në këto 8 vitet e kësaj qeevrisje të quajtur “rilindje”, por që në fakt rilindi korrupsionin dhe mafien në Shqipëri. Ardian Dvorani nuk është kampion i antikorrupsionit, por është kampioni i diktaturës së Enver Hoxhës, i cili jetonte dhe dënonte njerëzit për gjoja krimet për agjitacion e propogandës kundër pushtetit diktatorial dhe Enver Hoxhës. Dekorimi i tij po na dënon edhe një herë për së dyti, për të cilën nuk na kërkuan falje kurrë. Ky nderim është një ofendim për të gjithë shtresën e të përndjekurve politikë, të cilët vuajtën nga dënime si ky prokuror. Është për të ardhur keq që gjithë kjo shtresë e përvuajtur për rreth 80 vjet me rradhë thirrën të gjithë dhe vazhdojnë të thërrasin “Rroftë Amerika”. Ky njeri dhe shumë të tjerë nuk duhet të jenë më në instancat shtetërore dhe aq më tepër të nderohen.