Petrit Sinaj: Përuron nisjen e punimeve për ujësjellësin e fshatit Mbreshtan

844
Sigal

Sot paradite, Kryetari i Bashkisë,  Petrit Sinaj, i shoqëruar nga një pjesë e stafit të vet, përuroi nisjen e punimeve për zbatimin e projektit të ujësjellësit të fshatit Mbreshtan, Njësia Administrative Sinjë. Vlera e këtij investimi, financuar nga fondet e Bashkisë së Beratit, është 300 milionë lekë. Kontrata do të realizohet brenda katër muajve.

Në komunikimin e tij për mediat Kryebashkiaku Sinaj u shpreh: “Sot nisën punimet për ujësjellësin e fshatit Mbreshtan, duke përmbushur kështu një kërkesë të hershme të banorëve të këtij fshati. Për herë të parë në këtë Njësi Administrative investohet për realizimin e një vepre të tillë, për të cilën besoj se është më e madhja e realizuar ndonjëherë në këtë zonë qysh nga vitet ’90, pse jo dhe më parë. Sipas projektit, te burimi do të jetë depoja e parë, ndërsa në hyrje të fshatit do të jetë depoja e dytë. Përmes një ngritjeje mekanike do të furnizohet me ujë të pijshëm gjithë fshati Mbreshtan dhe një lagje e fshatit Galinë. Me ndërtimin e këtij ujësjellësi, do të përfitojnë mbi 1200 banorë”.

Ndër të tjera  Sinaj u shpreh se me zgjidhjen e problemit të furnizimit me ujë të pijshëm për banorët e Mbreshtanit i kanë dhënë zgjidhje definitive njërit prej problemeve kronike të këtij fshati.

“Sigurimi i ujit është një kusht themelor për një jetë të sigurt dhe të shëndetshme. Kjo ka qenë sfida jonë, por edhe kryefjala e projekteve tona. Ky është ujësjellësi i dytë që ne ndërtojmë në Bashkinë e Beratit, pas atij të Qereshnikut. Kanë qenë dy fshatra me problematika të theksuara për ujin e pijshëm, që nuk kishin mundur t’i zgjidhnin dot as përpara viteve ’90. Me zgjidhjen e këtij problemi i kemi qëndruar korrekt fjalës sonë, duke i shërbyer komunitetit në nevojat e tij më imediate dhe më të domosdoshme”.

Edhe pse fondet për kryerjen e investimeve të tilla nuk kanë qenë të mjaftueshme, Bashkia e Beratit, duke e konsideruar sektorin e furnizimit me ujë të pijshëm si një nga sektorët më jetik, i cili lidhet drejpërdrejt me përmirësimin e cilësisë së jetës për banorët e saj, e ka parë me prioritet zbatimin e projekteve në këtë fushë.