Personaliteti i gazetarit Bert Goro, që njehsohet me shprehjen e lirisë së fjalës të emigrantëve shqiptarë në Greqi

717
Sigal

INTERVISTA/ Flet Robert Goro, gazetari i BBC në Athinë: “Ende nuk jam gjetur përballë një tundimi, të shes të vërtetën për interesa ekonomike”

Në Greqi, edhe pse jetojnë e punojnë (afërsisht) mbi 800.000 shqiptarë ( emigrantë), në  këto 20 vjet,  paçka se është diçka paradokse,  u mungon mjeti shprehës, dhe sigurisht, fjala është se shqiptarët emigrantë në Greqi nuk kanë  ( thuajse) shtypin që të përfaqësojë interesat e tyre. Ndonëse në Greqi botohen (aktualisht) 3 gazeta (javore) në shqip, 2 prej tyre janë pronësi e biznesmenëve grekë, të cilët (pronarët grekë të gazetave)  kurrsesi nuk mund të lejojnë kritikën ndaj politikave të emigracionit që zbatojnë qeveritë greke,  Sikurse komunitetin shqiptar emigrant në Greqi e karakterizon edhe mangësia e përfaqësimit, dhe shpeshherë emigrantët bëhen viktime  dhe  “pronësi” të interesave  të caktuar partiake të politikave. Dhe përjashtimi i këtij realiteti – të mungesës të një shtypi që të përfaqësojë interesat e komunitetit shqiptar emigrant në Greqi – përbën ( fatmirësisht) gazeta TRIBUNA. Gazeta TRIBUNA – që botohet në Athinë- është përherë e hapur ( e paçensuruar, do të  shprehesha më drejt)  dhe  përbën një Tribunë të shprehjes të lirisë të Fjalës për këdo emigrant , pa dallim pikëpamjesh politike ,  ideologjike dhe nacionale..Kjo, falë drejtimit të gazetarit Robert Goro.

Robert Goro  ka lindur në 17 nëntor 1962 në Tiranë. Pas përfundimit të arsmimit të mesëm, në vitin 1982, filloi punë si piktor në revistën e vetme satiro-humoristike të vendit, “Hosteni”. Në prill 1993, shkon në Athinë si korrespondent i shërbimit shqip të BBC Ëorld Service, ku ndodhet edhe sot. Është një nga nismëtarët e shtypit në gjuhën shqipe në Greqi, ku ndodhen rreth një milion emigrantë. Në vitin 1998 botoi revistën e përjavshme Telerevista, që në vazhdim u bashkua me Gazetën e Athinës, të cilën e drejtoi deri në shkurt 2004, kur themeloi dhe drejton të përjavshmen Tribuna, gjithashtu në gjuhën shqipe. Krahas punës si korrespondent i BBC-së, që në fillim të viteve 1990 ka bashkëpunuar me organet më prestigjoze të medias shqiptare, në Shqipëri e më gjerë, si Koha Jonë, Klan, Albanian Observer, Agjencia Telegrafike Shqiptare, Korrieri, AlSat TV, Koha e Zëri (Prishtinë), Flaka e Lobi (Shkup), ABC Neës.

Vlerësohet si një nga analistët më të kompletuar për çështjet e Ballkanit, gjë që ka gjetur shprehje edhe në librat e tij publicistikë, “FYROM, supermacia e inferioritetit”, (ku merret me konfliktin e vitit 2001 në Maqedoni), “Dosja 1990-91. Dëshmia e Kiço Mustaqit”, “Athinë-Tiranë, Ditari i krizave”, për dy krizat më të rënda në marrëdhëniet greko-shqiptare në vitet 1993-1994.Me temën e Ballkanit merren edhe dy librat e tjerë që ka në proces: “Former Yugoslav Republic of  Misunderstanding” dhe “Kosova, një lindje e vonuar”. Ka botuar vëllimin me tregime “Takohemi pasdite” (1990), dhe romanin “Një këngë për Edit Piafin”, që gjithashtu u vlerësua nga kritika si një veprat më të mira të llojit. Ka në proces romanin “Ulërima”, ku trajton temën e emigrantëve shqiptarë në Greqi.

 -Sa e vështirë është sot, të mbash një gazetë (në shqip) në emigrim, kur nuk ke asnjë mbështetje (ekonomike)?

– Është jashtëzakonisht e vështirë, aq më tepër në kushtet e krizës së thellë që po përjeton shtypi në përgjithësi në të gjithë botën, por edhe të situatës jashtëzakonisht të vështirë ekonomiko-financiare ku ndodhet Greqia, e qytetarët e saj, rrjedhimisht edhe emigrantët, që janë mbështetësit tanë të vetëm. Mirëpo, si shumë të tjerë, edhe ne e shohim vështirësinë si një sfidë dhe kjo ka bërë që të mbijetojmë, të paktën deri tani.

-E vërteta a njëhësohet kurdoherë me pavarësinë dhe lirinë e shprehjes në gazetë?

– Po vetë e vërteta nënkupton pavarësinë dhe lirinë e shprehjes; kur këto kufizohen, bëhen pikërisht për mos t’iu thënë publikut e vërteta. Nga ana tjetër, posedimi i pavarësisë dhe i lirisë së shprehjes nuk do të thotë vetvetiu se ajo që thuhet apo shkruhet është e Vërteta e Patundshme. Meqë, më pyesni për të vërtetën, do të doja të citoj disa fraza nga “Principet e Ëashington Post”, hartuar nga Eugene Meyer, sapo ky bleu gazetën, më 1933: “Misioni i parë i gazetës është të thotë të vërtetën, në masën që kjo e vërtetë mund të verifikohet… Në kërkim të së vërtetës, gazeta do të jetë e përgatitur të sakrifikojë pasurinë e saj, nëse kjo është e domsdoshme, për të mirën e përgjithshme”.

-Keni një përvojë të gjatë në BBC.A mund të na thoni, se në kë shtyp në botë liria e shprehjes është ligji numër një?

– Ju duhet ta mbani mend atë citatin e Enver Hoxhës që pak a shumë thoshte “secili të thotë pa frikë se ç’mendon për veten e për të tjerët”… Por nëse ndokush ankohej pse nuk kishte makarona në treg, e degdisnin në Spaç apo gjetkë. Dua të them se edhe regjimet diktatoriale mund ta kenë të ligjëruar lirinë e shtypit, por çështja është se sa kjo liri zbatohet. Gjithsesi, respektimi maksimal i lirisë së shtypit është cilësi e shoqërive të zhvilluara dhe sidomos të emancipuara. Po të shfletoni raportin e organizatës Reporterë pa kufij (Reporters Ëithout Borders) për lirinë e shtypit në 2012, do të shihni se 15 nga 20 vendet e para i përkasin kontinentit europian.

-Cilat janë filtrat nëpër të cilat përçohet lajmi dhe informimi deri te …lexuesi?

Pa dashur të vihem në rolin e “Belulit”, do t’ju tregoja se, në të vetmin rast që nuk i gërshetova burimet e lajmit, u detyrova të lë në mes pushimet e mia në ditën e dytë e të kthehem në Athinë. Kjo ndodhi në korrik 1994, gjatë një “pauze” në krizën e rëndë midis Greqisë dhe Shqipërisë. Radio shtetërore greke, duke cituar burime qeveritare, bëri të ditur se ministri i jashtëm gjerman, Klaus Kinkel, mbështeste qëndrimet e Greqisë. Pa u menduar gjatë, e përcolla dhe unë lajmin në BBC, duke ia atribuar natyrisht radios shtetërore greke. Mirëpo, kisha një parandjenjë thjesht intuitive, se lajmi kishte një mangësi. Për t’u ndjerë më i sigurt, u lidha dhe me ministrinë e jashtme gjermane në Bon, por zyra e shtypit e atjeshme nuk më dha asnjë konfirmin, madje më thanë se nuk kishin dijeni për këtë deklaratë. Deri të nesërmen, kur u nis trageti për në Pire, nuk më zinte vendi. Nuk shkova në shtëpi, por e mbajta vrapin në ministrinë e jashtme greke, dhe, prej andej në ministrinë e financave, tek zëvendësministri, që kishte qenë në fundjavë në Bruksel, të cilit i takonte “autorësia” e deklaratës mbi mbështetjen gjermane. Vetëm pasi ky më tha të njëjat fjalë në mikrofon, u qetësova plotësisht, por pushimet e mia verore kishin marrë fund. E tregova këtë ndodhi për të theksuar se sa e rëndësishme është që lajmi të verifikohet, e të gërshetohet mundësisht me sa më shumë burime, sidomos kur është fjala për çështje të rëndësishme. Për ta mbyllur, doja t’ju kujtoja një sentencë nga Guida editoriale e BBC: “Për BBC, saktësia është më e rëndësishme se shpejtësia e informimit dhe shpesh kjo nuk ka të bëjë thjesht me gjetjen dhe kuptimin e fakteve. Të gjitha faktet dhe informacionet përkatëse duhen peshuar mirë për të dalë tek e vërteta”.

-A ju ka interesuar në punën tuaj problematika se çfarë kërkon lexuesi të lexojë te gazeta? Atë që i intereson? Apo të mësojë atë që ndodh?

– Besoj se çdo drejtues gazete duhet ta ketë parasysh këtë element; ndryshe gazetaria do të ishte një monolog i mërzitshëm. Gazeta bëhet sigurisht për lexuesin dhe duhet në çdo moment të dijë se çfarë i intereson lexuesit. Por kam mendimin se nuk duhet të bëhet rob, peng, i lexuesit. Më ka ndodhur të më marrin në telefon e të më thonë “pse nuk keni shkruajtur për x çështje” dhe jam përgjigjur se “gazeta nuk është radio postë” (e mbani mend, besoj emisionin me muzikë të kërkuar të radio Tiranës). Jam përgjigjur kështu, pasi gazeta nuk mund të publikojë gjithçka që ndodh, sado që ajo mund t’i interesojë jashtëzakonisht një lexuesi apo një grupi lexuesish. Tek e fundit, prandaj ka dhe një larmi kaq të madhe në tregun e gazetave: politike, sportive, ekonomike, bulevardeske; dhe secili zgjedh atë që i intereson.

– A do të ….detyroheshit (në kushte të vështira ekonomike familjare) të pranoni çdo ndihmesë ekonomike nga kushdo, në këmbim të shprehni interesa të caktuara në gazetë?

– Më keni pyetur edhe njëherë pak a shumë të njëjtën gjë, dhe ju jam përgjigjur se “Ende nuk jam gjetur përballë një tundimi të tillë dhe lus zotin që të mos gjendem kurrë”. Sepse është me të vërtetë një tundim i madh, sidomos në kushtet e krizës.

-Në politikë, dihet që nuk ekziston e vërteta informatike. Cili duhet të jetë raporti i vetë gazetës në jetën politike të  vendit?

– Mendoj se këtë e ka përcaktuar, me një fjali të vetme presidenti i 3-të i SHBA, Thomas Jefferson: “Nëse do të duhej të vendosja çfarë do të kemi, një qeveri pa gazeta apo gazeta po qeveri, nuk do të ngurroja të zgjidhja të dytën”… Për mendimin tim është shprehja më lapidare mbi rolin e mediave në gjithë jetën e një vendi.

-Cila është kostoja e pavarësisë për një gazetar të pavarur nga interesa politike e ekonomike?

– Do të preferoja epitetin “i paanshëm”, në vend të “i pavarur”. Në një shpjegim tepër semplist, gazetari është të paktën i varur nga media ku punon. Ashtu sikurse në politikë, edhe në media, kemi parcelizimet ideologjike. Kështu, në vendet që ne i kemi si model dhe aspirojmë t’u bashkohemi, ndër dy-tri gazetat kryesore, njera do të jetë me orientim të djathtë, tjetra të majtë. Bie fjala, Guardian në Angli është e qendrës së majtë, ndërsa Times e qëndrës së djathtë; e djathtë Le Figaro në Francë, e majtë Liberation; e qendrës së majtë, Die Zeit në Gjermani, konservatore Frankfurter Allgemeine Zeitung e kështu me radhë. Ndërkaq, tjetër gjë janë preferencat ideologjike dhe tjetër paraqitja, prezantimi i paanshëm i lajmit. Bie fjala, nëse qeveria shqiptare vendosi një rritje të pensioneve apo të pagave, ky është një lajm. Se mund ta komentojnë mediat me profileve të kundërta ideologjike apo politike këtë lajm, është tjetër gjë.

Sa i përket kostos, në rastin që çdo pozicionim është përzgjedhje e vetëdijshme e gazetarit, nuk besoj se se bëhet fjalë për kosto, apo pasoja. Një njeri i vetëm, sado idealist, nuk mund ta rregullojë botën…

-Do të dëshironit që fëmijët e tu të bëhen gazetarë?

– Pyetje e vështirë. Gazetaria deri tanë më ka dhënë shumë kënaqësi, por do të thoja, më tepër më ka dhënë vuajtje, në kuptimin konkret dhe metaforik të fjalës. Prindi për fëmijën dëshiron dhe uron më të mirën. Janë ende të vegjël, por nëse gazetaria do të jetë përzgjedhja e tyre e natyrshme, nuk do të kem asnjë kundërshtim. megjithëse dikur, kur isha kthyer nga një udhëtim i gjatë nëpër Ballkan, njeri prej tyre më kishte thënë shprehimisht “unë nuk do të bëhem gazetar, që mos t’u mungoj fëmiuive të mi…”, në fakt, kanë dhënë ca shenja, Evri është aktivizuar në gazetën e shkollës, ka botuar dhe një intervistë mjaft interesante me Foto Strakoshën, ku sinqerisht nuk i kam bërë asnjë ndërhyrje. Ndërsa Themi ndjek me shumë vëmendje aktualitetin dhe shpeshherë më telefonon për të më informuar. Madje më bën edhe vërejtje për gazetën.

– Në profesionin tuaj si gazetar, cili është çasti më i paharruar?

– Ndoshta kur kam botuar shkrimin e parë në revistën Hosteni, pasi e kisha ripunuar nja dhjetë herë…

-Mund të botoni diçka që është në të kundërt me bindjet tuaja ideologjike dhe qytetare?

– Unë mund të jem pronar i gazetës, por jo dhe i mendimit të bashkëpunëtorëve. Nëse e keni fjalën për shkrime me autorësinë time, asnjëherë në botë. Derrit mund t’i them dajë, në ndonjë rast, por të zezën assesi nuk mund ta quaj të bardhë.

– Ngjarja më e hidhur e jetës tuaj?

– Vetë mbiemri “e hidhur” nënkupton përvoja të cilat nuk ke asnjë dëshirë t’i kujtosh. Si shumë kolegë të tjerë, kam edhe unë përvoja të hidhura, që lidhen me profesionin tim dhe që madje më kanë ndikuar tërë rrjedhën e jetës, mirëpo për fat, nuk më kanë vënë nën vete…

– Përse sot, është rritur më shumë ajo ndjenjë e mosbesimit që kemi ndaj të tjerëve?

– Kjo është një çështje që kërkon analizë shumë të thellë. Kështu që po mjaftohem me citimin e një aforizme të presidentit të 6-të të SHBA, John Quincy Adams: “Të besosh se të gjithë njerëzit janë të ndershëm, kjo është një marrëzi. Por të besosh se askush nuk është i ndershëm, kjo edhe akoma më e keqe”. (Më qenkan bërë fiksim presidentët amerikanë, ndoshta pse këtë javë u kremtua Dita e Pavarësisë…)

– Çfarë na bën të dëftohemi më shpërfillës se kurrë, sot,  ndaj të tjerëve?

Një përgjigje e shpejtë do të ishte se jemi bërë edhe ne pjesëtarë të denjë të shoqërisë së konsumit, e kemi ngritur në piedestal individualizmin. Megjithatë, dua të besoj se ende ruajmë brenda vetes qoftë dhe grimca të solidaritetit njerëzor që na ka pasë karakterizuar si shoqëri e që për mendimin tim nuk ishin atribute të sistemit monist.

– Ia vlen që qëllimi i vetëm i jetës  të njeriut të jetë grumbullimi sa më shumë i pasurisë materiale?

– Nuk jam personi më i përshtatshëm për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje. Kam  një raport shumë të keq me paranë, ose më saktë paraja ka një marrëdhënie të keqe me mua, thuajse sapo takohemi, bëhet tym, nga duart e mia sigurisht. Megjithatë, për njerëzit që grumbullimin e pasurisë e kanë qëllim në vetëvete (dhe kam njohur shumë syresh), do të përdorja sentencën e filozofit anglez Francis Bakon: “Paratë janë si plehu. Kur i shpërndan, bën mirë. Kur fillon e i mbledh në një tog, kutërbojnë”…

-Gazetarinë me çfarë tjetër mund ta këmbenit?

– Me letërsinë.

-Gazetaria ju ka dhënë edhe privilegjin që të jeni dëshimtar i ngjarjeve historike.

– Kjo është një nga kënaqësitë më të papërsëritshme të këtij profesioni. Falë kartës së gazetarit munda të çaja kordonat e policëve më 21 shkurt 1991 e të shihja nga fare afër tërheqjen dhe rrëzimin e shtatores së diktatorit. Ndërsa BBC më ofroi mundësinë (dhe pagesën e shpenzimeve) që të isha i pranishëm në ngjarje që ndikuan në historinë e Ballkanit, por edhe të Europës. Kam një peng që nuk shkova dot në Prishtinë më 17 shkurt 2008, pse duhej të qëndroja në Athinë e të përcillja reagimet e komunitetit shqiptar, por edhe të qeverisë greke për Pavarësinë e Kosovës.

Nga cilat të këqia që ndjen te vetvetja, nuk mund të çlirohesh dot?

– Nga besimi i tepëruar që kam ndaj të tjerëve, edhe kur më zhgënjejnë paq. Por edhe pirja e duhanit. Megjithëse për këtë të fundit, kam një argument mbrojtës që buron në fjalët e shkrimtari Tom Robbins: “Të pirët e duhanit është niveli më i lartë i intimitetit me zjarrin, pa pasur frikën se mund të digjet. Çdo duhanpirës përbën një mishërim të Prometeut”.

-Cili person ka ndikuar shumë në vetveten tuaj? Po në botëkuptimin tuaj? Po në jetën tuaj? Po në profesionin tuaj?

– Në fakt, janë dy persona: babai im dhe kryeredaktori i revistës Hosteni Niko Nikolla (pastë përherë paqe aty ku prehet).

-Cilat janë parimet që janë udhërrëfyes në jetën tuaj si gazetar?

– Nuk besoj se kam pasur ndonjë parim të veçantë, nuk e kam vrarë mendjen. Thjesht, përpiqu ta bësh sa më mirë punën tënde. Dhe sidomos kam parasysh atë që ua përsëris shpesh edhe kolegëve dhe bashkëpunëtorëve në gazetë: Nuk jemi ne njerëzit me te mençur në botë. Sikur dhe një lexues i vetëm të tallet me diçka që kemi shkruar, gjithë puna jonë ka shkuar dëm”

-Cilit (a cilës) mund t’i dedikoni shumë në jetën tuaj?

Pa diskutim, familjes.

– Besoni që ka zhvillim?Po qe se besoni, çfarë do të thotë zhvillim?

Shkrimtari nobelist francez, Andre Zhid ka pasë thënë dikur: “Njeriu nuk mund të zbulojë oqeanë të rinj nëse nuk ka guximin të largohet nga bregu”…

-Cilat janë parimet që janë udhërrëfyes në jetën tuaj si gazetar?

Nuk besoj se ka ndonjë parim të veçantë. Thjesht, bëj mirë punën tënde, megjithë relativitetin që përmban kjo aksiomë.

-Jeni penduar që jeni gazetar?

Asnjëherë dhe as kam për t’u penduar kurrë.

-Në pavarësinë e plotë të një shtypi – dmth në shprehjen e të vërtetës-  a ka të humbur apo të fituar?

Ka edhe të humbur edhe të fituar, në kuptimin që pavarësia ka një çmim. Varet se në cilin krah e vendos vetveten.

– Përse ia vlen që të jemi optimist për të ardhmen?

– Sepse nuk kemi alternativë tjetër. Dhe sidomos, sepse, siç thotë Karl Popper në një aforizmë që mbetet gjithmonë aktuale, “Në jetë ka dy lloj njerëzish, optimistët dhe pesimistët. Pesimistët zakonisht kanë të drejtë, mirëpo, nëse njerëzimi arriti këtu ku është sot, kjo sigurisht u dedikohet optimistëve”.