“Ishte Fadil Berisha që, më hapi rrugën e modelingut”

656
Sigal

INTERVISTA/ Flet modelja dhe aktorja e talentuar Lola Luma, që zhvillon karrierën e saj në SHBA

Modele dhe aktore, pra një femër e kompletuar. Rrugët e suksesit i ka ngjitur me vështirësi, por tek vështirësitë ajo ka shpalosur inteligjencën dhe këmbënguljen për të ngjitur shkallët e sigurt. Dhe pse në SHBA, ajo kurrë nuk e harron Shkodrën e bukur, kur për të vitet e fëminisë mbeten vitet më të bukura të jetës. Një pjesë të suksesit ia dedikon prindërve, të cilët jo vetëm se kanë penguar për të hyrë në rrugën e bukur të artit, por e kanë nxitur dhe përkrahur pa kursim. Për të, të qenit e bukur nuk është gjithçka, pasi pa inteligjencë kjo bukuri do të venitej me kalimin e kohës. Ndodhet në një dashuri të bukur që ka përfunduar me fejesë, ku Lola ndihet e lumturuar pasi ka gjetur mashkullin e ëndrrave.

-Si erdhi në botën e modelingut Lola?

Mendoj se fare rastësisht. Kisha hedhur disa hapa në Shkodër, por për vetë vendin aty kurrë s’mund të merrje çka duhet. Nuk thonë kot që, rastësia është mbreti i botës. Ishte një set fotografik me Fadil Berishën që hapi për mua botën e modelingut. Fill pas këtij seti një telefonate nga Albana, sekretarja e Fadilit për të punuar me firmën “Jovani”. Rruga u hap. Akulli u thye. Më priste një rrugë sa e bukur, por dhe aq e vështirë.

– Kush ishin nxitësit e parë drejt rrugës sw modelingut?

Ishte një ndjesi e brendshme, plus një mbështetje e padiskutueshme nga prindërit, të cilët kanë qenë mbështetësit e mi në çdo hap të jetës. Pa një mbështetje të fuqishme familjare shumë ëndërra nuk mund të realizohen. Dhe unë shkela në qilimin e bukur të modelingut plot besim, përkrahje dhe ide të konsoliduara.

-Sa e kujtoni qytetin e lindjes Shkodrën kur jeni mes ambienteve luksozë në SHBA?

Për mua Shkodra mbetet vendi më i bukur në botë. Aty edhe lulet edhe bimët sikur kanë tjetër erë tjetër shije. Jam krenare që jam lindur në një qytet me kulturë si Shkodra dhe jam po kaq krenare që jam shqiptare. Në çdo hap që hedh kam një copëz Shqipërie me vete.   Shqipëria është një vend i virgjër ku deti të rrëmben me bukurinë e tij dhe të çon drejt një imagjinate të mrekullueshme.

-Ju jeni njohur me shumë personazhe shqiptarë të botës së artit në Amerikë, madje keni qenë prezantuese e disa aktiviteteve…

Po. Në Amerikë si në botën e modelingut ashtu edhe në botën e aktrimit apo të këngës ka shumë shqiptarë. Unë jam njohur midis të tjerëve dhe me Herion Mustafaraj dhe Elton Dedën në dy show “Rock& Comedy” këtu në Nju Jork, ku kam qenë dhe prezantuesja e shfaqjeve. Këto njohje më kanë bërë më praktike dhe më të afruar me komunitetin shqiptarë në SHBA.

-Mendoni se keni arritur gjithçka në Amerikë në fushën e modelingut dhe a mund të na përcillni disa suksese?

Amerika është një shtet i fuqishëm dhe shumë i madh. Të çash në botën e artit është shumë e vështirë. Por, aty është dhe e bukura tek e vështira, kam ecur me këmbë në tokë me mendimin se po punove do arrish gjithçka. Por, Amerika të jep dhe ato shanse që nuk t’i jep asnjë vend tjetër. Nëse di të punosh do të dish dhe si të fitosh. Nga sukseset e mia mund të përmend përzgjedhjen nga firma Jovani, Gaspar Gloves, Bold Organics për të qenë imazhi i tyre, pjesëmarrja në “Nighte Berkus Show”, The Real World, Brooklyn dhe sfilatat e modës në Austin, në Texas për Thuy dhe INOA për Loreal në Austin Fashion Week. Mendoj se është një start i mirë, por, që nuk do të thotë gjithçka.

-Duke pasur parasysh faktin që, përveçse me modë merresh edhe me aktrim, ndihesh më mirë si modele apo si aktore?

– Të dyja, meqenëse i ushtroj, për mua janë shumë të domosdoshëm. Secili ka të veçantat e tij. Modele bën famë më shpejt, aktore rrugën e ngjit me vështirësi, por të jep më qëndrueshmëri. Këtë e them sepse modelingu ka një moshë, ndërsa aktrimi sa më shumë të kaloj koha aq më e mirë bëhesh. Bota e brendshme e aktores është e madhe, e mbushur me ndjesi shpirtërore të padiskutueshme. Kur arrin të jesh një aktore e preferuar në treg, mosha të bën dhe më të kërkuar, dhe më bindëse, dhe më virtuoze. Bota e aktrimit është shpërthyese plot vërshime dhe përplasje që të bëjnë të ndihesh e gatuar me tjetër brum.

-Kush është sekreti i arritjeve të tua?

Puna, durimi dhe studimi. Pa këto tre elementë do të thoja që, s’do të kisha asnjë ëndërr në jetë. Jeta është një lëvizje pa përmasa ku rrugët e duhura kanë shumë ndriçim verbues dhe ku njeriu duhet të dijë se si t’i gjejë rrugët e tij.

– Beson në  fat?

Përderisa kam pasur, them se besoj. Fati është një element jo i rastësishëm në jetë. Fjala e popullit je me fat, nuk ka dalë nga asgjëja.

– Çfarë të kanë dhënë më shumë profesionet që zotëron?

Më janë krijuar hapësirat e nevojshme  që të takoj njerëz që nuk do kisha mundësinë t’i takoja më parë. Profesioni im është lëvizje dhe njohje të reja. I bukur, por, që kërkon sakrifica.

– Moda një fushë specifike, sa jeni e privuar nga ushqimet e dëshiruara?
Çdo gjë e bukur ka dhe privimet e saj. Në këtë këndvështrim jo çdo profesion i bukur është vetëm një privilegj.

– Jeta sentimentale e Lolës?

Jam e dashuruar. Kam kohë që jam njohur me një djalë, i cili quhet Dejon. Është një njeri si e mendoja unë. Ka të gjitha karakteristikat e një djali të kompletuar.

-Je besdizur nga paparacët?

Të jesh në këto profesione as që diskutohet se je nën vëzhgim. Çdo e mirë e ka një të keqe. Ky profesion i ka dhe risqet e veta.

– Cili është aktori i preferuar, shqiptar ose hollivudian?

Si çdo aktor që rritet me artin ashtu është dhe Leonardo Di Caprio. Admiroj shumë Catherine Hepburn dhe Keira Knightley, kurse nga ato shqiptare janë yjet e kinematografisë si Sandër Prosi, Margerita e Ndricim Xhepa, Mirush Kabashi, Robert Ndrenika, Kadri Roshi, Bep Shiroka, Tinka Kurti, Viktor Zhusti, Violeta Manushi e Roland Trebicka. Ka diçka speciale rreth tyre që nuk është e shtirur, por që rrjedh natyrshëm nga brendësia e shpirtit.