Përplasje mes Cefës dhe gjyqtarëve të Krimeve të Rënda

Sherr në Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda. Dy gjyqtarë nuk njohin legjitimitetin e kryetarit të komanduar

Ligjzbatuesit shkelin ligjin, Kryetari i Gjykatës me mandat të skaduar që në Qershor 2012

NOA

Rënia e shtetit duket kur vetë organet e drejtësisë, që janë institucionet e zbatueshmërisë së ligjeve, e shkelin ligjin qëllimisht, për të favorizuar vetveten. Në këtë mënyrë, ata i japin opinionit publik shembullin më të turpshëm, duke krijuar një ndarje midis qytetarëve  të injoruar dhe të privilegjuarve, që janë zbatuesit e ligjeve.  Ata, që kanë në dorë zbatueshmërinë e ligjit janë të privilegjuarit, ndërsa  qytetarët e tjerë, janë robër të dëshirave dhe mëshirave të atyre që kanë ligjin në dorë. Kështu, në analizën vjetore të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, e cila u zhvillua edhe me prezencën  e Nënkryetarit të KLD-së, Elvis Cefa dhe një anëtari të KLD-së,  plasi sherri i madh, midis 2 anëtarë të kësaj gjykate,  Dhimitër Lara dhe Saida Dollani. Ende pa filluar analiza, këta gjyqtarë i janë drejtuar kryetarit të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, Gjovalin Përnoca:

 “Cili jeni ju zotëri, që ende jeni akoma në krye të kësaj gjykate?

Juve ju ka mbaruar që në qershor mandati dhe ushtroni detyrën në kundërshtim me ligjin”.

 Nga pala tjetër është thënë se Kryetari i Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, Gjovalin Përnoca vazhdon të ushtrojë detyrën me një vendim të KLD-së, por kjo është e padrejtë. Me ligj është e ndaluar që kryetari i komanduar të  caktohet kryetari, të cilit i ka mbaruar mandati. Atëherë, lind pyetja: Përse  KLD-ja, i jep të drejtën që të ushtrojë detyrën e kryetarit  komanduar një ish-kryetari?  Por drejtësia shqiptare nuk është pronë dhe me to të bësh allishverishe si te  Kthimi e Kompensimi i Pronave. Madje, nuk është as plazhi i Gjeneralit dhe nuk janë as milionat e shpërndara  nëpër çuka dhe nëpër gërxhe. Por le t’i kthehemi debatit, para fillimit të  analizës, në  Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda dhe mbrojtjes jashtë arsyetimit logjik dhe ligjorë të “kancelarit” të KLD-së, se komandimin e kemi bërë “NE”.  Mirëpo, ky arsyetim nuk i bindi dy anëtarët e kësaj gjykate, të cilët sërish, këmbëngulën për padrejtësinë ligjore  dhe ushtrimin e padrejtë të një funksioni të caktuar.  Replikat e këtij debati, në analizën e kësaj gjykate,  vazhduan me sherr, madje edhe në prani të Nënkryetarit të KLD-së, Ervis Cefa dhe anëtarit të KLD-së, të cilët nuk mundën të argumentonin kundërshtinë e akuzave të  2 gjyqtarëve të  Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda. Këta të fundit ua thanë copë, se kjo zgjedhje është anti-ligjore dhe se çdo akt i firmosur me cilësinë e “drejtuesit” i jep të drejtën cilitdo shtetas dhe nëpunës të gjykatës ta apelojë në Gjykatën Kushtetuese dhe atë të të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Madje, 2 gjyqtarët i kërkojnë prokurorit të Prokurorisë të Krimeve të rënda, Fari Danaj, që të fillojë hetimet ndaj Kreut të gjykatës, për kryerjen e çështjes penale të funksionimit të detyrës si Kryetar i Gjykatës së Apelit në kundërshtim dhe në shkelje flagrante të ligjit. Ajo që është e qartë dhe e pagjykueshme është se ligji është shkelur qëllimisht dhe në mënyrë  flagrante nga KLD-ja. Përse duhet që  kryetari i Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, me mandate të përfunduar, të vazhdojë të ushtrojë detyrën, si kryetar i komanduar nga KLD-ja? Derisa mandati i Kryetarit të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda është përcaktuar në ligj të jetë pesëvjeçar, nuk ka arsye që KLD-ja të komandojë të njëjtin kryetar, qoftë edhe për disa muaj të tjerë. Përse nuk mandatohet dikush tjetër? Sipas ligjit, edhe në rastet kur KLD-ja, ka të drejtën të caktojë një kryetar të komanduar, pas mbarimit të mandatit të Kryetarit të  mëparshëm, duhet detyrimisht të jetë një tjetër gjyqtar nga radhët e këtij institucioni.  Dhe, po sipas ligjit, kryetari  i Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, i komanduar nga KLD-ja nuk mund ta ushtrojë më shumë se 3 muaj, detyrën. Në rastin konkret, të Kryetarit  të komanduar, të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, ligji është shkelur nga KLD-ja dy herë. Edhe pse ka komanduar të njëjtin kryetar, që nuk duhet, por edhe që ky kryetar i komanduar në  Gjykatën e Apelit të Krimeve të Rënda po e ushtron detyrën, në kundërshtim me ligjin, për më shumë se 9 muaj. Po Kryetari i KLD-së, z.Nishani, a është vënë në dijeni nga vartësi i tij? Nëse jo, kjo përbën padyshim një puç institucional të së drejtës shqiptare . Shqipëria sot është jashtë negociatave të integrimit në BE, pikërisht për shkak të 2 ligjeve që kanë të bëjnë me drejtësinë  dhe një rregulloreje . Vetë komisioneri për zgjerimin e BE-së,  Stefan Fyle,  por edhe ambasada e SHBA-ve, e cila është investuar për pavarësinë e drejtësisë, do të skandalizoheshin, kur të merrnin vesh se çfarë maskarade po bëhet në këtë sistem dhe se ligji po zëvendësohet nga kanuni i Cefës & Company. Për të hedhur dritë mbi këtë problem dhe shkeljet e ligjit nga Nën/Kryetari i  KLD-së, “Telegraf”, mori mendimin edhe të dy juristëve të mirënjohur,  përfaqësues të shoqatave të avokatëve në vend. si edhe

Idajet Beqiri, Kryetar i Forumit të Avokatëve për Drejtësi

Idajet Beqiri: “Kryetari i Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda e ka mandatin 5- vjeçar dhe nuk rizgjidhet. KLD-ja ka të drejtën që të komandojë një kryetar, për një periudhë, deri në 3 muaj, por jo të njëjtin Kryetar që i ka mbaruar mandati. Ligji në rastin në fjalë është shkelur 2 herë nga KLD-ja. Që ka komanduar si kryetar të Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, të njëjtin kryetar, të cilit i ka mbaruar mandati 5-vjeçar, por që është shkelur edhe afati deri në tre muaj, që mund të ushtrojë detyrën një kryetar i komanduar nga KLD-ja”.

  Saimir Vishaj, Kryetari i Shoqatës të Avokatëve Penalistë të Shqipërisë

Saimir Vishaj: “Kërkesa e 2 gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit është e kundraligjshme. Kërkesa e këtyre gjykatësve është një fyerje e rëndë e Institucioneve Shtetërore, siç është KLD-ja, si dhe vendimeve që merr KLD-ja për emërime, apo komandime, si për gjyqtar, apo kryetar.”