Vangjel Tavo:“Shërbimi shëndetësor shqiptar është i aftë për t’iu përgjigjur të gjithë nevojave të qytetarit”

733
Sigal

Intervista e ministrit të Shëndetësisë Vangjel Tavo

Vangjel Tavo, ministri i Shëndetësisë, në intervistën ekskluzive për “Telegraf”, i pyetur për ikonën e shërbimit shëndetësor publik në Shqipëri, shprehet se, ky shërbim është i aftë t’u përgjigjet nevojave të qytetarëve dhe kjo falë reformave që janë ndërmarrë kohët e fundit. Ndërsa për mundësinë e korrupsionit, ministri Tavo është kategorikisht, që ky fenomen nuk ekziston, por edhe në ndonjë shfaqje sporadike, është dhënë përgjigje e menjëhershme. Përsa i përket shërbimit falas shëndetësor, program elektoral i PS-së,  ministri Tavo, ka përgjigjen se,  në asnjë vend të botës nuk ekziston një shërbim i tillë. Sipas zotit Tavo, apeli që ndërkombëtarët bëjnë për zgjedhje të lira, u drejtohet të gjitha forcave politike, por ai ka bindjen se këto zgjedhje do të zhvillohen sipas standardeve, për t’ju përgjigjur kështu edhe kritereve të integrimit që i parashtrohen klasës politike.  I pyetur për mundësitë e aleatimit zgjedhor të LSI-së, zoti Tavo, duke theksuar se, LSI-ja, meqë  është lokomotivë e integrimit, mirëpret çdo kontribut politikë që përputhet me filozofinë e LSI-së për të ecur sa më shpejt drejt BE-së.

– Zoti Tavo, ju, duke marrë pjesë në shumë analiza vjetore të subjekteve shëndetësore në qarqe, cila është ikona që keni për nivelin e shërbimit shëndetësor?

Unë kam nisur prej disa javësh një tur në të gjitha spitalet e vendit. Ky tur ka si moto “Të jemi më pranë qytetarit” dhe është konceptuar si një dialog me bluzat e bardha.  Nga e gjithë puna e tanishme, them, me sigurinë më të plotë, se niveli i shërbimit shëndetësor në vendin tonë është shumë i mirë dhe kjo është arrirë në saj të punës së pashoqë dhe dedikimit shembullor të bluzave të bardha, të cilët janë heronjtë e këtij vendi. Shërbimi shëndetësor shqiptar ka pësuar ndryshime të mëdha dhe është rritur profesionalisht, duke iu përgjigjur me sukses të gjitha sfidave dhe situatave. Shërbimi shëndetësor shqiptar është i aftë për t’iu përgjigjur të gjithë nevojave të qytetarit dhe ju siguroj që ky shërbim do vijë dita-ditës duke u rritur profesionalisht, pasi dedikimi i bluzave të bardha në punën e tyre fisnike është tejet i madh dhe misioni ynë si ministri e Shëndetësisë është t’i shërbejmë sa më mirë qytetarit.

– Duke bërë një bilanc të deritanishëm, ju vetë çfarë mund të thoni për arritjet që keni bërë në politikën e shëndetësisë, në ndërkohën që ju jeni ministër?

Me ardhjen time, në detyrën e Ministrit të Shëndetësisë, unë vazhdova punën për përfundimin e reformave të nisura me sukses përpara meje. Një sërë reformash janë iniciuar vitet e shkuara dhe tashmë mund të quhen të arritura. Gjithashtu, unë, dhe ministria që drejtoj, kemi hartuar politikat dhe objektivat për vitin 2013 me plane afat-shkurtër dhe afat-gjatë për të ndihmuar edhe më dukshëm në shërbimin shëndetësor shqiptar.

– Krahasuar  me objektivat që ju keni vënë, cilat akoma nuk janë realizuar dhe përse?

Të gjitha objektivat tona janë realizuar, pavarësisht vështirësive që mund të kemi hasur. Ministria e Shëndetësisë ka shënuar një sërë arritjesh për vitin 2012, dhe pritet të vazhdojë implementimin e reformave gjer në vitin 2020, në përputhje me orientimin e OBSH dhe objektivat e qeverisë. Në 2012 ne kemi arritur Përmirësimin e Legjislacionit dhe shtesa të ligjeve të reja mbi shëndetësinë, ku ndër të tjera veçojmë ligjin e ri të shëndetit mendor, dhe një arritje e veçantë është Ligji i Sigurimeve Shëndetësore, që pritet të hyjë në fuqi në muajin mars të këtij viti. Ne kemi arritur përmirësimin e infrastrukturës diagnostiko-trajtuese në spitalet tona. Kemi kryer instalime në skanera, radiografi, akselerator linear, ECHO kardiake, gjinekologjike, abdominale, etj. Në gjashtë rrethe të vendit tashmë ofrohet shërbimi i telemjekësisë, pjesë e projektit E-Health; kjo një arritje e veçantë, e cila shërben si indikator i adaptimit të shërbimit shëndetësor shqiptar me metodat më moderne të kohës. Po punohet për zbatimin e strategjisë së dixhitalizimit të shërbimit shëndetësor,  Është bërë një punë e suksesshme në parandalimin dhe përballimin e sëmundjeve infektive, përmirësim në kujdesin prenatal në të gjitha shërbimet e vendit, sukses në depistimin e kancerit të gjirit, mbulesë vaksinale e lartë, vdekshmëri foshnjore një shifrore, e shumë arritje të tjera për të cilat mund të dëshmojnë vetë qytetarët shqiptarë për të cilët është edhe misioni i punës sonë.  Ministria e Shëndetësisë ka si qëllim, që për vitin 2013 të punojë edhe më shumë për përmirësimin e shërbimit shëndetësor në të gjithë vendin. Për MSH, ky vit është shpallur Viti i Shëndetësisë dhe ne i bëjmë një premtim të gjithë shqiptarëve që do jemi më pranë qytetarit.

– Krahasuar me problematikat dhe nevojat e shëndetësisë publike, cilat janë vështirësitë në zgjidhjen e tyre?

Ne kemi trashëguar shumë probleme nga e kaluara, probleme të cilat kanë kërkuar më shumë se dy dekada për t’u zgjidhur. Ne kemi trashëguar një stil të vjetër menaxhimi, të cilin ne po punojmë ta ndryshojmë, duke u përqendruar në promovimin e një menaxhimi modern spitalor dhe në çdo qendër shëndetësore në vend. Kohët e fundit, janë parë suksese të shumta në disa spitale dhe qendra shëndetësore të vendit, në saj të një fryme të mirë menaxhimi. Një nga objektivat tona është të ngremë strukturat për kultivimin e menaxherëve të mirë spitalorë dhe të sjellim një stil të ri menaxhimi, i cili përshtatet më së miri me nevojat e kohës.

– Ndërkombëtarët përditë e më shumë bëjnë apel për domosdoshmërinë e zgjedhjeve të lira e të ndershme në 23 Qershor. Ndaj kujt force politike në Shqipëri adresohet kjo kritikë e hapur dhe përse?

– Shqipëria nuk ka patur kurrë më parë aleatë ndërkombëtarë më të ngushtë sesa sot. Padyshim, apeli i tyre për zgjedhje të lira dhe të ndershme duhet dëgjuar nga të gjitha forcat politike. Kur bëhet fjalë për zgjedhje, të gjitha partitë politike kanë përgjegjësinë e tyre, pasi të gjitha janë faktorë dhe aktorë kryesorë në zgjedhje. Mbarëvajtja e tyre dhe një proces i mirë zgjedhor kërkon impenjimin e të gjitha partive, që nga më e madhja e gjer tek më e vogla. Të gjitha janë njësoj përgjegjëse për një proces të mirë apo të keq zgjedhor.

– A do të ketë vërtet zgjedhje të ndershme, duke patur parasysh, që klima e deritanishme, përsa i përket procesit zgjedhor është tejet e acaruar dhe kur, PS-ja është ankimuar në Gjykatën Kushtetuese për ndarjen e mandateve nga Kuvendi?

Motorët elektoralë kanë filluar, megjithatë, gjer më tani, të gjitha forcat politike kanë nisur retorikat zgjedhore tipike në fillim fushatash. LSI-ja ka kohë që u bën thirrje të gjitha forcave politike, që, gjatë këtyre zgjedhjeve, të tregojnë një stil europian, duke sjellë një frymë më bashkëpunuese e cila do ndihmojë në integrimin e vendit në BE.  Nuk ka asnjë arsye që të mos zhvillohet një proces i mirë zgjedhor. Unë besoj se partitë politike do ndërgjegjësohen edhe më shumë për rëndësinë e të ardhmes europiane që kanë këto zgjedhje dhe shqiptarët do votojnë të lirë dhe procesi i numërimit do jetë mëse i ndershëm.

– Kryetari i LSI-së dha një mundësi për një bashkëpunim paszgjedhor me PS-në. Kjo, do të mundësohet në saj të një qasje të përbashkët të strategjive politike?

LSI-ja është një parti që ka integrimin e vendit si filozofinë e saj kryesore si politike ashtu edhe organizative. BE-ja ka si themel të saj bashkëpunimin dhe për këtë arsye LSI-ja është e hapur për çdo kontribut që i shërben të mirës së madhe për një popull, siç është integrimi europian i vendit. LSI-ja është më shumë sesa një parti politike, ajo është një lokomotivë që ka destinacion Brukselin, ndaj si një forcë kryesore për integrim ajo mirëpret çdo kontribut që është për të mirë të vendit dhe përputhet me filozofinë e LSI për të ecur më shpejtë drejt Bashkimit Europian.

– A është domosdoshmëri që e majta, të tërë spektrin e saj politik,  të rikompozohet?

Një parti që nuk ndryshon vdes, ka thënë Tony Blair. Politika është dinamikë. E majta dhe e djathta kudo në botë po kalojnë përmes ndryshimeve, të cilat vijnë si rezultat i adaptimit me sfidat e kohës. Edhe e majta shqiptare do ishte mirë të rikompozohej, pasi do i shërbente jo vetëm këtij spektri, por edhe spektrit tjetër dhe të gjithë shqiptarëve. Partitë politike janë pasuri kombëtare. Çdo ndryshim i mirë i tyre është progres për të gjithë vendin.

-Në fushatën e deritanishme elektorale, ajo që bën përshtypje është konfliktualiteti politik i acarshëm, dhe mungesa e alternativave politike, për një mirëqeverisje. Kjo, përse ndodh? Mos ndoshta palët politike, PD-PS kanë qëllim parësor marrjen e pushtetit?

– Unë shpresoj që kjo fushatë zgjedhore, ndryshe nga të tjerat, të jetë e bazuar mbi alternativa qeverisëse dhe ide konstruktive. Politika duhet të mësojë të jetë dialoguese dhe jo luftarake, të japë ide dhe jo të bëjë retorika me nocione të vjetra dhe filozofi shterpë. Mbi të gjitha, partitë politike duhet t’i afrohen ëndrrës europiane të shqiptarëve, pasi duke bërë kështu, ato afrohen edhe ndaj njëra tjetrës, duke arritur kështu një ulje të konfliktualitetit politik dhe krijimin e një qasje konstruktive dhe progresiste.

– Retorika nacionaliste a shpreh patriotizmin?

Retorikat nacionaliste duhen analizuar nga konteksti në të cilat bëhen. Kur bëhet fjalë për nacionalizëm, apo patriotizëm, duhet parë e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja. Besoj se e ardhmja, pas 23 Qershorit, do spastrojë vetiu shumë prej retorikave që kemi dëgjuar deri tani.

–  Dhe, në këtë realitet politik në rajon, retorika nacionaliste, a është në shërbim të interesave të Kombit Shqiptar?

Populli shqiptar ka vetëm një interes, të integrohet sa më shpejtë në BE. Çdo retorikë dhe politikë duhet të bëhet nën këtë filozofi dhe më ketë mision.

 Reformat e arritjet në Shërbimin Shëndetësor Publik

Kemi kryer instalime në skanera, radiografi, akselerator linear, ECHO kardiake, gjinekologjike, abdominale, etj.. Në gjashtë rrethe të vendit tashmë ofrohet shërbimi i telemjekësisë, pjesë e projektit E-Health; kjo një arritje e veçantë, e cila shërben si indikator i adaptimit të shërbimit shëndetësor shqiptar me metodat më moderne të kohës. Po punohet për zbatimin e strategjisë së dixhitalizimit të shërbimit shëndetësor,  Është bërë një punë e suksesshme në parandalimin dhe përballimin e sëmundjeve infektive, përmirësim në kujdesin prenatal në të gjitha shërbimet e vendit, sukses në depistimin e kancerit të gjirit, mbulesë vaksinale e lartë, vdekshmëri foshnjore një shifrore.

– Faleminderit!