Përplasja në Elbasan/ Presidenti Meta me qëndrim zyrtar dhe disa pyetje për rolin e policisë

177
Sigal

Presidenti Ilir Meta ka reaguar zyrtarisht në lidhje me ngjarjen e rëndë në Elbasan, ku humbi jetën Pjerin Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë.

Me një qëndrim të tij, presidenti i ka drejtuar disa pyetje policisë, prokurorisë dhe institucioneve të tjera.

Qëndrim i presidentit Ilir Meta për ngjarjen tragjike në Elbasan:

Kam ndjekur me shumë vëmendje, veprimet dhe reagimin e organeve ligjzbatuese për hetimin e ngjarjes tragjike, që ndodhi dy ditë më parë në Elbasan dhe që meriton të zbardhet urgjentisht, objektivisht dhe jashtë ndikimeve politike.

Ende organi i Prokurorisë dhe strukturat e Policisë së Shtetit, nuk kanë dhënë një version të plotë zyrtar dhe shterrues.

Janë disa pyetje, që kërkojnë përgjigje publike dhe të plota nga institucionet ligjzbatuese:

A janë të përfshirë në këtë ngjarje, persona me precedentë penalë? Nëse po, cilët janë emrat e tyre si autorë të dyshuar për shkaktimin e saj? Përse Policia e Shtetit, nuk ka kryer ndalimin dhe shoqërimin e tyre?

A janë këta persona të përfshirë në këtë ngjarje, të njëjtët që shoqëronin Kryeministrin më 14 mars, ‘Ditën e Verës’, dhe që ushtruan dhunë ndaj mbështetësve të opozitës?

A ka marrë organi i Prokurorisë dhe Policia e Shtetit, dëshminë e oficerëve të lartë dhe punonjësve të Policisë, që kanë qenë të pranishëm në ngjarje?

Përse punonjësit e Policisë të pranishëm në ngjarje nuk kanë reaguar, për të neutralizuar përplasjen me armë dhe ndaluar të gjithë personat e përfshirë?

Pse u lejua largimi i personave të përfshirë nga vendi i krimit kur Policia ishte njoftuar dhe ishte aty?

A ka qenë i mbuluar ambienti publik apo ambientet private me kamera të sigurisë? Nëse po, a është bërë kqyrja dhe sekuestrimi i menjëhershëm i materialit filmik në cilësinë e provës?

Sa kohë u është dashur organeve të zbatimit të ligjit të mbledhin këto materiale filmike?

Nëse ka patur zvarritje, cilët janë përgjegjësit? Mos u është lënë kohë për të fshirë pamjet?

Vonesa të tilla, a janë tregues i mosveprimit me dashje nga ana e strukturave të veçanta brenda Policisë së Shtetit, për t`i lënë kohë personave përgjegjës të zhdukin çdo provë që bën të mundur zbardhjen e dinamikës së vërtetë të ngjarjes dhe përgjegjësinë e çdo individi të përfshirë në këtë konflikt tragjik?

A është Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Elbasan, në konflikt interesi, për kryerjen e këtyre hetimeve?

A duhet Prokuroria e Posaçme (SPAK), të fillojë hetimet, pasi në këtë ngjarje mund të jenë të përfshirë edhe funksionarë të lartë të shtetit dhe deputetë?

Zoti Prokuror i Përgjithshëm, Zoti Drejtues i Prokurorisë SPAK, Zoti Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit,

Në Republikën e Shqipërisë, të gjithë janë të barabartë përpara ligjit dhe duhet të japin llogari përpara tij!

Ndaj, me shumë përgjegjshmëri, ju kërkoj:

Të veproni menjëherë për të zbardhur ngjarjen dhe përgjegjësinë e çdo individi të përfshirë në të!

Kjo është ngjarja më e rëndë që ka ndodhur në këtë proces zgjedhor.

Çdo zvarritje, mosveprim, apo dëmtim i provave për këtë ngjarje, frymëzon më shumë elementët kriminalë në cenimin e procesit zgjedhor.

Vota e lirë dhe e ndershme dhe legjitimiteti i zgjedhjeve të 25 prillit nuk duhet të rrezikohet më tej nga këto fenomene!

Çdokush që ka shkelur ligjin, duhet të ndëshkohet tani!

Ju keni përgjegjësinë e plotë përpara popullit dhe ligjit për ta realizuar atë tani!