Përdhunimi skandaloz i zgjedhjeve parlamentare, më 26 maj 1996 nga regjimi i Berishës

1187
Zgjedhjet e 26 majit 1996 nuk do të harrohen lehtë nga populli shqiptar. Përdhunimi skandaloz i zgjedhjeve parlamentare më 26 maj 1996 nga regjimi i Berishës, indinjoi thellë shumicën dërmuese të popullit shqiptar, si edhe opinionin demokratik ndërkombëtar. Të gjitha partitë politike të kohës i denoncuan këto zgjedhje si jo të lira, jo demokratike. U lëshua thirrja për manifestime të fuqishme kundër vjedhjes së votës. Pas dy ditësh, më 28 maj, opozita bëri thirrje për një miting proteste në sheshin “Skënderbej”. Por sheshi qendror i kryeqytetit nuk iu lejua asnjëherë opozitës për të bërë një miting, ai lejohej vetëm për grumbullimet e Sali Berishës. Edhe më 28 maj, sheshi u rrethua me polici dhe forca të SHIK-ut për të ndaluar popullin të grumbullohej aty.

Çfarë ndodhi atë ditë në Tiranë

Më 28 maj Tirana u kthye në një kamp të armatosur dhe të gjitha rrugët që të çonin në sheshin “Skënderbej” ishin të bllokuara. Krerët e opozitës, përfaqësuesit e shtypit shqiptar e të huaj, si edhe ata pak njerëz të tjerë që arritën të depërtojnë përmes kordonëve të policisë, u përballën me goditjet e shkopinjve të policisë. Qytetarë, politikanë, gazetarë vendas dhe të huaj, pleq, gra, fëmijë dhe çdo njeri që dukej në shesh masakrohej barbarisht. Shumë prej tyre u gjakosën, u tërhoqën zvarrë nëpër trotuaret dhe u futën me forcë nëpër furgonat e policisë e u përplasën nëpër qelitë e paraburgimit të komisariateve. Shkrimtari dhe publicisti Preç Zogaj, ish njëri prej krerëve të partisë “Aleanca Demokratike”, që ishte atë ditë në shesh dhe u godit nga policia. Në librin e tij “Rënia e zgjedhjeve” ai i ka bërë një përshkrim mjaft të saktë gjithë asaj çka i panë sytë dhe i dëgjuan veshët në ato orë dramatike të masakrës së 28 Majit. Ja si e përshkruan Preç Zogaj atë ditë kur policia e Berishës përgjaku opozitën, gazetarët dhe njerëzit e thjeshtë që dëshironin të hynin në sheshin e kryeqytetit të tyre:”Ajo ditë e martë e datës 28 maj do të hynte në kujtesë dhe në histori… si një sarkazëm gjigante e fundshekullit kur tërë arsenali policor i një shteti ishte ngjeshur rreth një sheshi për të mos lejuar këmbë civili të shkelte aty. Shteti i shqiptarëve kishte dalë në fushë me përzierjen e zakoneve dhe uniformave të monarkisë, fashizmit, komunizmit dhe postkomunizmit. Mishërim i gjithkahshëm i dhunës kombëtare, ai po priste nën shi, prapa skafandrave dhe mburojave prej pecikllasi, pa shpirt dhe pa dyshime për të goditur. Ai kishte pushtuar cep më cep sheshin “Skënderbej” me makinat groteske të operacionit “Pelikan”, me furgone dhe makina të vogla të SHIK-ut e ministrive të ndryshme, me trupa të rregullta të të gjitha llojeve të policisë që ishin paguar e stërvitur për një ditë të tillë, me trupa të çrregullta të policisë pa uniformë, me banda fanatikësh e mercenarësh, me roje e shoferë të funksionarëve të lartë të shtetit. Kishin dalë të gjithë për të larë lesh po të ishte nevoja, në emër të mllefit dhe interesave të shefave. Kjo makinë hijerëndë e dhunës ishte betonuar me skalione në gjithë perimetrin dhe brendësinë e sheshit. Ndërkohë skuadrilje policësh me furgone dhe kamionë u binin kryq e tërthor rrugëve të Tiranës, duke përhapur me sirenat e tyre parandjenjën e një masakre…”.
Të vërtetat e pabesueshme, goditen Blendi Gonxhe, Arben Imami… 

Sipas shumë politikanëve pjesëmarrës në këtë demonstratë tregojnë se Urdhri për sulmin mbi opozitën erdhi nga thellësia e sheshit ku ishte vendosur shtabi i zëvendësministrit Agim Shehu. Bashkë me trupat e ndërhyrjes së shpejtë ai mobilizoi për këtë ditë lloj-lloj mëkatarësh që janë mbledhur në shesh për të mbrojtur zgjedhjet dhe votat e vjedhura. Një ndër të parët që ata godasin ishte një ndër themeluesit e PD. Shumë vetë shikonin skenën makabre të zvarritjes së Blendi Gonxhes përgjatë sheshit “Skënderbej”. Televizionet e botës, jepnin skema llahtarë. Pas Blendi Gonxhes goditet Arben Imami. Grupi i rrëmbimit, nja gjashtë a shtatë civile të armatosur, e arriti në platformën e shkallëve të jashtme të hotelit… E goditën nga prapa tre-katër vetë njëherësh. Imamit ju prenë gjunjët dhe ndërsa po binte, të shtatë u lëshuan mbi të duke shtyrë njëri-tjetrin që kush e kush ta shqyente para shokut. Arben Imami nxori një klithje të tmerrshme. Përmasat dhe intensiteti i dhunës së asaj të marte tregonin instalimin e plotë të një regjimi dhëmbësh.
Drejt opozitës, shkopinj ndaj Servet Pëllumbit, Namik Dokles, Ndre Legisit, Pandeli Majkos…

Opozita pak më tej e grupuar. Të gjithë dënonin vjedhjen e zgjedhjeve. Parullat ishin kundër vjedhjes së demokracisë. Por policia nuk njihte ligje në këtë ditë. Urdhri ishte i prerë, të ndalohej demonstrata dhe të pranoheshin. Një grup policësh ndërrojnë drejtim. Ata sulen me shkopinj gome dhe skafandra kundër drejtuesve të kësaj demonstrate. Ata u treguan të pamëshirshëm me krerët e opozitës dhe me intelektualët, Servet Pëllumbi, Namik Dokle, Ndre Legisi, Pandeli Majko, Arta Dade, Skënder Gjinushi, Gaqo Apostoli, Edmond Trakon e shumë figura të tjera të njohura të opozitës. U goditën gazetarë vendës e të huaj, komisariatet u mbushën plot me burra dhe gra të ndaluara, djem të rinj të rrahur për vdekje u plasën në qelitë e burgut për t’i mbajtur në izolim deri sa të rifitonin fuqinë për të ecur me këmbët e tyre. Punonjësit e INSIG-ut treguan se kishin parë nga dritaret e zyrave të tyre skena barbare në oborrin e komisariatit numër një ku të ndaluarit fillonin ti rrihnin sapo i zbrisnin nga furgonët.

Konferenca e shtypit

Në një konferencë shtypi që liderët e opozitës improvizuan në hotel “Tirana”, nënkryetari i PS-së Namik Dokle, i porsa kthyer nga “kasaphanat” e atij rajoni, me njollat e gjakut në rroba, thirri para 100 gazetarëve vendës e të huaj: “Ta mbarojmë këtë konferencë shpejt dhe shkoni në komisariatet e Tiranës. Atje po rrihen të gjithë. Unë isha në komisariatin numër një me Ndre Legisin dhe gjashtë të tjerë. Në qelinë ngjitur ishte Gramoz Pashko. Kam parë tek rrihnin barbarisht regjisorin e Teatrit Popullor, Artan Imami. Pashë gra që u mbajtën në qeli pas daljes sonë dhe ndjehem fajtor që ne jemi të lirë dhe ata ende jo. Blendi Gonxhe sapo kishte shpëtuar nga thonjtë e policisë. Ai ishte transformuar krejt. Sytë i kishte të ënjtur, rrobat të grisura dhe flokët të kërleshur si të kishte shpëtuar nga kthetrat e një përbindëshi. Ai tha: Para katër vjetësh Sali Berisha më dekoroi me “Medaljen e Trimërisë”, nesër mendoi t’ia dërgoj me postë. Ndihem i poshtëruar si asnjëherë tjetër në jetën time dhe nuk mund ta mbaj dot në shtëpi këtë medalje”.
28 maji i Tiranës kishte rezervuar ngjarje dhe detaje të tjera të pabesueshme
Ishte një ditë ideale për të larë hesape të mëdha e të vogla. Vlonte shkopi gjithandej, shkumëzonte rrugë më rrugë arma e policisë, kurse kryeministri Aleksandër Meksi dhe ministri i Brendshëm Agron Musaraj u panë të zbrisnin pa shoqërues në kafenetë e parkut të madh përballë hotel “Dajti” sikur s’kishte ndodhur asgjë. Vendin e kishte marrë në dorë pushteti okult i policisë së fshehtë me autoritetin e padiskutueshëm mbi institucionet ligjvënëse dhe ekzekutive. Berishën e njoftonin çdo minutë për gjithçka ndodhte në Tiranë, SHIK-u. E marta e 28 majit po rrokullisej nëpër heshtjen mortore të një beteje pa fitimtarë. Radiotelevizioni nuk jepte asnjë lajm për demonstratën. Partia Socialiste lëshoi një deklaratë ku denoncohej dhuna e policisë dhe jepej me shifra numri i përafërt i të rrahurve dhe të ndaluarve. Flitej për 18 politikanë dhe mbi 500 qytetarë. Një deklaratë të fortë lëshoi edhe Aleanca Demokratike. Radioja BBC dha pjesë të këtyre deklaratave, kurse Radiotelevizioni Shqiptar asnjë rresht. 
Sigal