“Për Shqipërinë 2030 në BE”, PS çel fushatën elektorale nga sheshi “Skënderbej”

21
Sigal

Partia Socialiste çeli sot zyrtarisht fushatën elektorale për zgjedhjet e përgjithshme të 11 majit në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, nën sloganin “Shqipëria 2030 në BE”.

Me një skenë ku në qendër janë 12 yje që simbolizojnë 12 yjet e flamurit të BE-së, eventi elektoral nisi me prezantimin e kandidatëve për deputetë në 12 qarqe, shoqëruar me performancën me këngë e valle tradicionale.

Drejtuesi politik i PS-së në qarkun e Dibrës, Blendi Klosi shprehu bindjen se PS-në do ta votojnë masivisht në këtë qark.

“PS është një parti me 100 mijë anëtarë të partisë, një parti që merr 1 milion vota, e cila i fiton zgjedhjet se ju ka të gjithëve ju me vete, e cila drejtohet nga Edi Rama, vizionari i cili shndërroi Shqipërinë në një vend të gatshëm për të hyrë në BE”, tha Klosi.

Sipas tij, “ky shesh i madh është simbol i transformimit të Shqipërisë Europiane”.

“Qarku i Dibrës në këto zgjedhje do të votojë masivisht PS-në. Ne besojmë fort te kjo forcë politike që ka shumë organizim, frymë dhe mbi të gjitha një lider që atë që premton e bën”, tha ai.

Drejtuesja politike e Partisë Socialiste në qarkun e Fierit, Belinda Balluku në fjalën e saj në çeljen e fushatës së PS-së në sheshin “Skënderbej” u shpreh se ky mandat duhet për të çuar Shqipërinë në Bashkimin Europian.

“E gjithë Shqipëria do të votojë për PS-së. Nuk ka më bukur kur mblidhemi të gjithë bashkë, kur krijojmë këtë energji që shkon në themelet e Shqipërisë për t’i forcuar ato dhe për ta çuar këtë vend përpara si vetëm Edi Rama di.

Po kërkojmë një mandat të katërt, mandat i katërt duket si shumë për ata që hedhin çdo ditë baltë mbi ne, po ky është mandati i shqiptarëve, ky është mandati i cili do të përmbushë një marrëveshje të cilën Edi Rama ka nënshkruar me popullin shqiptar në 2013-n, për ta çuar Shqipërinë njëherë e mirë në Europë, për t’i bërë shqiptarët anëtarë të BE-së ashtu siç i takon. Tashmë është koha që shqiptarët t’i bashkohen asaj tryeze që është tryeza e tyre natyrale”, tha Balluku.

Balluku shtoi se “qarku i Fierit ka një objektiv 10 mandate deputetësh për t’i ulur në sallën e parlamentit shqiptar. Siç më tha dhe shoku Gramoz sot në mëngjes, priten 11 mandate nga ne. Me Edi Ramën në krye nuk ka asgjë që na ndal”.