PD: Rama të mos fshihet pas Policisë por të autorizojë Ballukun që të presë naftëtarët

224
Sigal

Partia Demokratike ka reaguar për protestën e sotme të naftëtarëve para Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ku thotë se Policia nuk duhet të përdoret kundër qytetarëve. PD thekson se qeveria duhet të dëgjojë zërin e tyre dhe t’u zgjidhë problemin pa vonesa dhe mashtrime. ”Edi Rama duhet të mbajë premtimet që u ka dhënë naftëtarëve. Të autorizojë Belinda Ballukun që të presë përfaqësinë e naftëtarëve”,- thuhet në deklaratën e PD-së

Reagimi i plotë

Policia e Shtetit nuk duhet të përdoret kundër qytetarëve. Naftëtarët janë në të drejtën e tyre për të kërkuar pagat e prapambetura dhe vijimin e punës. Qytetarët nuk mund të shfrytëzohen, të mos paguhen dhe në vend të zgjidhjes, të dhunohen nga Policia. Kjo është e turpshme!

Edi Rama nuk duhet të fshihet pas punonjësve të Policisë! Ai duhet të mbajë premtimet që u ka dhënë naftëtarëve. Të autorizojë Belinda Ballukun që të presë përfaqësinë e naftëtarëve!

Qeveria duhet të dëgjojë zërin e naftëtarëve dhe t’u zgjidhë problemin pa vonesa dhe mashtrime të tjera. Policia e Shtetit nuk duhet të jetë përballë qytetarëve, por përballë atyre që e vjedhur Rafinerinë e Ballshit.