Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar në Kuvend kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor, që do të verifikojë ligjshmërinë e veprimeve të zyrtarëve shqiptarë në lidhje me ish-agjentin special të FBI-së, Charles McGonigal. Deputeti Gazmend Bardhi deklaroi se hetimi penal për këtë çështje ka ngecur për shkak të “paprekshmërisë së Edi Ramës”, ndërsa theksoi se SHBA ka hetuar dhe dënuar zyrtarin e vet, por drejtësia shqiptare po mban qëndrim heshtjeje. Sipas Bardhit, përmes Komisionit Hetimor, opozita synon t’i japë transparencë publikut për këtë aferë korruptive ku është përfshirë vetë Kryeministri, me shpresën se “një ditë edhe drejtësia do të bëjë punën e saj.”
Postimi i plotë i Bardhit:
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike depoziton në Kuvend kërkesën për ngritjen e Komisionit Hetimor të Kuvendit për verifikimin e ligjshmërisë të veprimeve të zyrtarëve shqiptar në raport me ish-agjentin special të FBI-së, Charles McGonigal.
Për fat të keq hetimi penal ka ngecur për shkaqe të njohura, por krejt të paarsyeshme, siç është paprekshmëria e Edi Ramës. Ndërkohë që kjo aferë është hetur nga SHBA për pjesën që përfshinë zyrtarët amerikan. Drejtësia shqiptare mjafton të kërkojë bashkëpunimim e drejtësisë amerikane për të përmbyllur në një kohë të shkurtër hetimin mbi këtë aferë të pashoq në historinë e Shqipërisë, ku Kryeministri është përfshirë në një marrëdhënie korruptive me një zyrtar tashmë të dënuar për këtë në ShBA.
Mqs drejtësia hesht, është detyrë e opozitës që përmes Komisionit Hetimor në Kuvend, ti bëjë transparencë mbi këtë aferë korruptive qytetarëve shqiptar, me shpresën se një ditë edhe drejtësia do të bëjë punën e saj.


















