PD: Kapja e Gjykatës Kushtetuese minon reformën në drejtësi dhe stabilitetin politik

405
Sigal

Partia Demokratike e ka cilësuar dekretin e Presidentit Ilir Meta për betimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese si aktin e duhur në mbrojtje të Kushtetutës dhe interesit publik nga interesat private korruptive të kryeministrit Edi Rama.

Në një deklaratë për mediat, Sekretari për Çështjet Ligjore në PD, Çlirim Gjata ligji i kthyer nga kreu i shtetit është provë e qartë uzurpimit të drejtësisë së re nga kryeministri Edi Rama. Duke mbështetur qëndrimin e kreut të shtetit, Gjata tha se “akti i Presidentit shkon në unison me aspiratën e qytetarëve shqiptarë të cilët duan një shtet ligjor, një drejtësi të pavarur dhe të barabartë për të gjithë, që funksionon me standardet më të mira europiane; duan një Gjykatë Kushtetuese që, mbron interesin publik nga interesat private të politikanëve dhe kryeministrit të vendit. Akti i Presidentit është guri i fundit institucional në mbrojtje të parimit kushtetues të kontrollit dhe balancimit të pushteteve në Shqipëri”.

Sekretari i PD-së u shpreh se me kapjen e Gjykatës Kushtetuese, Rilindja synon të vendosë nën kontroll gjithë institucionet e tjera të drejtësisë dhe të minojë stabilitetin politik në vend.

Ky ligj që privatizon Gjykatën Kushtetuese nga Edi Rama, është kthyer nga Presidenti i Republikës, i cili, ka bërë aktin e duhur në mbrojtje të Kushtetutës së vendit. Partia Demokratike mbështet kthimin e këtij ligji, që i jep Edi Ramës kontrollin total të shtetit dhe shënon rënien e demokracisë dhe shtetit ligjor”,- tha Çlirim Gjata.

Sekretari ligjor i PD-së shprehet se “akti i Presidentit parandalon një goditje të rëndë kundër Kushtetutës, pasi neni 129 i Kushtetutës sanksionon në mënyrë të qartë dhe urdhëruese se “Gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese fillon detyrën pasi bën betimin para Presidentit të Republikës.” Kushtetuta nuk lejon asnjë lloj procedure tjetër betimi, as me noterët, as me postierët e Edi Ramës”.

Gjata tha se me anë të kësaj gjykate, duke i rrëmbyer kompetencat Presidentit, kryeministri i kërkon të ketë kontroll mbi Gjykatën Kushtetuese, “sepse ajo do të shqyrtojë votimet moniste të 30 qershorit dhe aktet e tjera antikushtetuese që cënojnë rëndë lirinë e shprehjes, që përligjin vendimet e Edi Ramës pët t’u vjedhur pronat pronarëve të ligjshëm, ia heqin hetimin prokurorisë dhe ia japin narkopolicisë politike dhe bëjnë Edi Ramën pronarin de facto të Shqipërisë”.