PD: Jo reformë zgjedhore pa një qeveri antimafia

426
Opozita deklaron se nuk do të nisë puna e komisionit parlamentar, pa largimin e Ramës. Ja qëndrimi për kryeprokurorin Llalla 
Partia Demokratike vendosi ta kushtëzojë nisjen e punës për reformën zgjedhore me largimin e Edi Ramës dhe ngritjen e një qeverie antimafia. Ndonëse Kuvendi ka votuar për ngritjen e një komisioni të posaçëm parlamentar për reformën zgjedhore, puna ende nuk ka nisur. Zhvillimet e javëve të fundit me shpërthimin e dosjes “Tahiri” e kanë lënë në hije reformën dhe tashmë opozita ka vendosur ta nisë punën për të vetëm pas largimit të Edi Ramës nga qeveria. “Shteti i rënë, qeveria e rënë ‘de facto’, narko-shteti i ulur këmbëkryq në jetën e përditshme të çdo shqiptari, janë shqetësimi më i madh i vendit, janë kauza kryesore e betejës opozitare. Edi Rama është sot një kryeministër i rënë politikisht, i rënë moralisht, i rënë brenda vendit, i rënë jashtë vendit. Çdokush e tregon me gisht, si njeriun që ideoi dhe zbatoi projektin e Shqipërisë, hambar droge”, u shpreh dje Lulzim Basha, pas një mbledhjeje të grupit parlamentar demokrat. Duke iu referuar edhe të dhënave të “Guardia di Finanza”-s, sipas kreut demokrat, rënia e prodhimit të kanabisit ka ndodhur për shkak të rënies së çmimit dhe jo ndërhyrjes së qeverisë. “Në fakt, nuk është as Edi Rama, as policia e korruptuar e Haki Çakos me shokë, përgjegjëse për këtë rënie të prodhimit. Përgjegjëse për këtë rënie të prodhimit, siç e di çdo shqiptar dhe fakir fukarenjtë që i ka shtyrë dëshpërimi dhe mjerimi drejt këtij veprimi të paligjshëm, është çmimi. Shkoni në Tepelenë. Më lirë do të blini kanabisin se sa çajin e malit”, tha Basha. Ai shtoi se tashmë kanabisi tregtohet 50-80 euro për kg. “Mijëra tonelata kanabis të prodhuara kryesisht në vitin 2016, presin të trafikohen drejt Evropës. Trafikohen ditë për ditë, siç kapen ditë për ditë nga autoritetet italiane. Prandaj, jemi në kushtet e një narko-republike e cila nuk ka më asnjë legjitimitet. Zgjidhja e vetme është largimi një orë e më parë e Edi Ramës, një qeveri anti-mafia, e cila të shkëpusë, të shembë, lidhjet e politikës me krimin. Këtë nuk mund ta bëjë Edi Rama me marrëzirat që këput me “planet sekrete”. Planet kundër krimit gjithmonë janë sekrete”, tha Basha. Sipas tij, zgjidhja e vetme për vendin, jo thjesht për opozitën, për Partinë Demokratike, është largimi një orë e më parë i një njeriu të provuar katërcipërisht të lidhur me krimin. “Nuk ka shqiptar dhe nuk ka faktor perëndimor mos ta ketë të qartë përgjegjësinë politike të Edi Ramës për shndërrimin e Shqipërisë në një narko-shtet dhe kjo do të mjaftonte për çdo njeri, të jepte dorëheqjen. Opozita do të vazhdojë betejën për largimin e tij dhe të qeverisë së tij dhe do të vazhdojë të zgjerojë koalicionin me çdo qytetar shqiptar dhe çdo faktor tjetër politik dhe jo politik për të realizuar një mision kombëtar, një imperativ kombëtar – largimin e Edi Ramës, një qeveri antimafia që të shembë lidhjen krimit me politikën, të realizojë reformën zgjedhore dhe sovrani të vendosë qeverisjen e ardhshme”, tha Basha. Kreu demokrat tha se faktet po bëhen publike dhe opozita është jashtëzakonisht e angazhuar së bashku me qytetarët, me punonjësit e ndershëm të Policisë së Shtetit dhe çdo organ tjetër të paprekur dhe të pacenuar nga trafiku i drogës e natyrisht me partnerët strategjikë. Lidhur me reformën zgjedhore, kryetari demokrat tha se ajo “do të fillojë atëherë kur vendi të ketë një qeveri antimafia, e cila në vend që të përdorë kriminelët dhe paratë e drogës për të blerë vota, t’i çojë ata para drejtësisë dhe t’i lërë shqiptarët të vendosin të lirë me votën e tyre qeverisjen dhe qeverinë që dëshirojnë”. 

I pyetur për qëndrimin ndaj mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, kryetari demokrath se qëndrimi është zbatimi pikë për pikë i Kushtetutës dhe i ligjeve dhe “çdo hap për të vendosur kthetrat e narkomafias në organin e Prokurorisë do të përballet me një betejë totale politike nga ana e opozitës”.
Sigal