Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, u shpreh se kryeministri Edi Rama është peng i krimit, ndërsa reforma në drejtësi tashmë ka rënë. “Nuk do të lejojmë realizimin e projektit të vërtetë të Rilindjes, për një Shqipëri narko-shtet demokratik. Edi Rama nuk është zgjidhja e problemit, por ai është vetë burimi i problemit e peng i krimit të organizuar”, u shpreh Kryemadhi. Ajo shtoi se “ishte Edi Rama që futi në Parlament dhe në zgjedhjet bashkiake persona dhe individë me precedentë penal e me të kaluar kriminale. Ishte ai që mbronte kriminalizimin e politikës shqiptare e pengonte dekriminalizimin e saj”. “Çdo ditë Kryeministri i Krimit të Organizuar po deligjitimon institucionet demokratike dhe po e zhvendos përballjen jashtë institucioneve, atje ku ai s’ka parë gjë akoma. Projekti i tij për Shqipërinë si Narko-Shtet Demokratik është i pashpresë dhe nuk ka Narko-Ndërkombëtar që ta shpëtojë atë, edhe pavarësisht nga lobimet e tij me pagesa marramendëse të një të papërgjegjshmi që kërkon të marrë peng të ardhmen e një kombi të tërë”, nënvizoi drejtuesja e LSI-së. Kryemadhi shtoi se vullneti politik i LSI-së është vullneti i qindra mijëra njerëzve të thjeshtë që refuzojnë qeverinë e drogës dhe të krimit, që refuzojnë të qeverisen nga një kryeministër, telekomandën e të cilit e ka në dorë krimi i organizuar. “Refuzojnë të qeverisen nga një kryeministër që ka vetëm një objektiv, të burgosë të varfër, të madh e të vogël, të cilët nuk kanë mundësi të kapërdijnë kafshatën e mjerimit, e jo më të paguajnë faturat e energjisë, apo të ujit të pijshëm. Ky njeri kërkon të qeverisi vendin me kriminelët dhe ortakët e tij. Reforma në Drejtësi tashmë ka rënë. Të gjithë e pamë dhe e dëgjuam dje një Kryeministër që kërkon të bëjë: policin, hetuesin, prokurorin e gjykatësin”, tha Kryemadhi. Sipas drejtueses së LSI-së, këtij kryeministri që mishëron regresin, të keqen, negativen, i dhanë përgjigjen mijëra anëtarë të LSI në Konventë. “S’ka më asnjë kohë për të humbur. Rama po i hap përditë plagë të thella Shqipërisë dhe familjes shqiptare. Rezoluta e Konventës së LSI-së është pikërisht ajo që shqiptarët na kanë kërkuar. Kjo vetëdije politike po forcohet orë pas ore dhe ditë pas dite, duke u kthyer në vullnet popullor”, u shpreh Kryemadhi.




















