PD: ‘Eskobari i Ballkanit’ foli me gjuhën e kryeministrit, Rama çdo përpjekje të shpëtojë Klement Balilajn

253

Një ditë pas reagimit të ish-kreut të Transporteve në Sarandë, Klement Balili, i cilësuar nga mediat greke si ‘Eskobari i Ballkanit’ Partia Demokratike iu kundërpërgjigj sot me një deklaratë.

Në një dalje publike para mediave, kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkelejd Alibeaj theksoi se Rama po bën gjithçka për të mbrojtur Balilin, i cili prej disa muajsh është në kërkim ndërkombëtar. Ndër të tjera Alibeaj në emër të PD-së theksoi se propaganda e Ramës e nxori Balilajn shenjtor.

Dje Balili mohoi akuzat që rëndojnë ndaj tij, duke i cilësuar ato skenarë politike për të dëmtuar Ramën.

DEKLARATA E PD
Edi Rama po bën çdo përpjekje të shpëtojë Klement Balilajn.
I shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe i skeduar si “Eskobari i Ballkanit”, dje me gjuhën e Edi Ramës, Klement Balilaj tha se për këtë fajin e ka Saliu. Ndonëse për Balilajn ka një urdhër arresti, Edi Rama i jep mbrojtje, nuk e arreston, madje e ruan me shefat e tij të policisë, ndërsa ai pushon në hotelin e tij luksoz në Sarandë. Kaq i rëndësishëm është Balilaj për Edi Ramën, sa sipas tij shpallja në kërkim si koka e trafikut të drogës në Ballkan është komplot “amerikano-grek”, kundër Edi Ramës.

Dhe s’ka faj, në shtetin e Edi Ramës nuk e di ku fillon krimi e ku mbaron shteti, ku fillon shteti e ku mbaron krimi. Propaganda e Edi Ramës na e nxori Balilajn shenjtor, por meqë është kaq i pafajshëm, meqë atij dhe Edi Ramës po i bien në qafë, opozita, Agjencia Amerikane e Antidrogës, DEA, policia greke, pse nuk ia dorëzon drejtësisë që të vërtetojë pafajësinë e tij? Agjencia Amerikane e Antidrogës, DEA dhe policia greke kërkojnë arrestimin e Balilajt, por Edi Rama nuk e arreston dot. Sepse ai është peng i krimit dhe i trafikut të drogës. E sollën në pushtet, po e mbajnë në pushtet dhe shpreson se do t’i garantojnë pushtet. Për para dhe pushtet, Edi Rama është gati të bëjë gjithçka, ta bëjë dhe hero “Eskobarin e Ballkanit” Klement Balilajn.