Pastrimi i parave/ Del kompania e parë shqiptare. Ja politikanët që fshihen pas kompanisë offshore dhe lidhjet me Nanon

267
Sigal

‘Pandora Papers’/ Del kompania e parë shqiptare, lidhjet me Nanon

Dokumentet zbulojnë se kompania boshnjake ‘Energoinvest’, e cila ndërtoi linjën e interkonjeksionit midis Shqipërisë dhe Kosovës, i pagoi miliona euro një firme të vogël konsulence në Emiratet e Bashkuara Arabe, e drejtuar nga një biznesmen shqiptar me lidhje politike.  Linja e re u festua në Shqipëri dhe Kosovë si një arritje e rëndësishme për sektorin energjetik. Megjithatë, tani, një seri dokumentesh të siguruara nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Investigative, BIRN, zbulojnë se duke filluar nga viti 2013, ‘Energoinvest’ i pagoi në total 3.6 milionë euro një kompanie të vogël konsulence të regjistruar në Emiratet e Bashkuara Arabe në mars të atij viti – kompania ‘AL Energy Transmission’, e cila drejtohet nga biznesmeni shqiptar, Vasil Kallupi.  Edhe pse nuk është e paligjshme, ekspertët paralajmërojnë se kur paratë transferohen nëpërmjet juridiksioneve ‘offshore’, risku i korrupsionit rritet. “Në shumë raste kemi parë se kompanitë fituese, janë thjesht fasada për të fshehur faktin se, pazarin për ta fituar atë tender e ka bërë miku me nënkontraktorin,” tha Gjergji Vurmo, një ekspert mbi kapjen e shtetit, në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim në Tiranë. E kontaktuar me email dhe telefon, ‘Energoinvest’ nuk ju përgjigj pyetjeve në lidhje me kompaninë ‘AL Energy Transmission LTD’, dhe nuk dha arsye pse i kishte paguar miliona euro një kompanie të sapokrijuar që kishte pak eksperiencë në sektorin energjetik. Drejtuesi i ‘AL Energy Transmission’, Vasil Kallupi nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Politika dhe siguria energjetike

Pas rënies së regjimit komunist në fillim te viteve 1990-të, Shqipëria kaloi një tranzicion të vështirë dhe shpesh herë të trazuar drejt ekonomisë së tregut, çfarë solli një kërkesë në rritje për energji elektrike. Mungesa e linjave të interkonjeksionit për tu lidhur me tregun Europian dhe investimet e munguara gjatë dekadave në rrjetin e brendshëm, e bënë të vështirë furnizimin dhe përgjatë një dekade prerja e dritave u kthye në normë. Për të siguruar furnizimin me energji elektrike përmes importit, gjatë dy dekadave të fundit Operatori i Sistemit te Transmetimit në Shqipëri ka investuar në tre linja intekonjeksioni të tensionit të lartë. Linja e interkonjeksionit midis Kosovës dhe Shqipërisë ishte në mënyrë të veçantë e rëndësishme, jo vetëm sepse rriste potencialin e transmetimit të energjisë elektrike midis dy vendeve por gjithashtu përbënte themelin e nje blloku të ri transmetimi të integruar në tregun rajonal.Tenderi i parë për ndërtimin e linjës u mbajt nga OST në mars 2011. Kompania kroate ‘Dalekovod’ ofroi ta ndërtonte linjën për 36 milionë euro dhe Energoinvest për 29 milionë euro. ‘Dalekovod’ u përzgjodh si fituese për shkak të ofertës më të mirë teknike. KfW dha dritën jeshile, por OST refuzoi ta nënshkruante kontratën. Kur ndryshoi qeveria dhe socialistët e kryeministrit Edi Rama erdhën në pushtet, një tender i dytë u mbajt dhe në dhjetor 2013 oferta e ‘Energoinvest’ prej 29 milionë euro u përzgjodh. OST-ja e nënshkroi kontratën në prill 2014 dhe ‘Energoinvest’ e përfundoi pjesën prej 151-kilometra të linjës, midis Tiranës dhe kufirit me Kosovën në qershor 2016. ‘Dalekovod’ ndërtoi pjesën kosovare të linjës së interkonjeksionit. E inauguruar me ngazëllim të madh në dhjetor 2016, linja e interkonjeksionit nuk mund të transmetonte energji elektrike menjëherë për shkak të konfliktit politik midis Serbisë dhe Kosovës. Kosova u nda nga Beogradi me ndihmën e bombardimeve të NATO-s në vitin 1999 dhe deklaroi pavarësinë në vitin 2008, por rrjeti i saj energjetik ishte akoma i lidhur me Serbinë. Në fillim të vitit 2018, konflikti politik solli një devijim të frekuencës në rrjetin Evropian të sinkronizuar të tensionit të lartë, duke bërë që miliona orë elektronike të mbeteshin pas nga Spanja në Turqi. Një zgjidhje u gjet në prill 2020, kur Operatori Evropian i Sistemeve të Transmetimit, ENTSO-E, e lejoi Operatorin e Transmetimit të Energjisë Elektrike në Kosovë, KOSTT, që të largohej nga blloku i kontrollit me Serbinë dhe të krijonte një bllok të ri me Shqipërinë, duke krijuar Bursën Shqiptare të Energjisë, ALPEX.

Punë fitimprurëse konsulence dhe lidhje politike

E themeluar në vitin 1953 në Jugosllavinë socialiste, kompania ‘Energoinvest’ me qendër në Sarajevë është një aktor i njohur në tregun e linjave të transmetimit në Ballkan dhe përpara tenderit të vitit 2013, kishte ndërtuar qindra kilometra linja të tensionit të lartë në Shqipëri. Në vitin 2011, ajo punoi me ‘Dalekovod’ në ndërtimin e linjës 400 kilovolt midis Shqipërisë dhe Malit të Zi; midis 2013 dhe 2016 u kontraktua nga OST për të ndërtuar linjën 110 kilovolt në jug të Shqipërinë; dhe në vitin 2020, sëbashku me kroaten ‘Koncar’, ‘Energoinvest’ fitoi një tender 35 milionë euro për ndërtimin e linjës së tensionit të lartë midis Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut.

‘AL Energy Transmission LTD’ është themeluar në mars 2013 në Ras al-Khaimah, një nga shtatë emiratet që përbëjnë Emiratet e Bashkuara Arabe, nëpërmjet një kompanie që jep shërbime për regjistrime ‘offshore’ e quajtur ‘SFM Corporate Services’.

BIRN i mori dokumentet e regjistrimit të kompanisë nga një dosje me të dhëna – e njohur si Letrat e Pandorës – të rrjedhura për Konsorciumin Ndërkombëtar të Gazetarëve Investigativë, ICIJ. Sipas këtyre dokumenteve, përfituesi fundor i kësaj kompanie – personi që është pronari dhe kontrollon kompaninë – është një grua 40 vjeçare nga Tirana e quajtur Jola Duro.Ndërsa sipas planit të biznesit të kompanisë, të hartuar në shkurt 2013, përpara regjistrimit të saj, Duro listohet si menaxherja e zyrës dhe Kallupi si menaxher projekti. Sipas faqes në internet të kompanisë, Kallupi është themelues dhe administrator.“Kompania ka një partner, Z.Vasil Kallupi,” shkruan plani i biznesit. Gruaja e Kallupit, Dëshira, është tezja e Jola Duros. Duro nuk iu përgjigje një kërkese për koment. Sipas planit të biznesit kompania u themelua me një kosto fillestare prej 8,600 euro me qëllimin të ofronte shërbime konsulence në sektorin e energjisë. Sipas të njëjtit dokument stafi i kompanisë kishte eksperiencë në sektorin energjisë në Shqipëri, Maqedoni, Mal të Zi dhe Kosovë, përfshirë në hartimin e projektit dhe ndërtimin e linjës 400 kilovolt Tiranë-Podgoricë dhe linjës 110 kilovolt në jug të Shqipërisë – të dyja të kontraktuara nga ‘Energoinvest’. Dokumentet e para nga BIRN përfshijnë gjithashtu një deklaratë të llogarisë bankare të ‘Al Energy Transmission’ nga banka Bendura me qendër në Lichtenstein, e cila mbulon transaksionit në periudhën nga viti 2013 deri në 2019. Sipas deklaratës, ‘Energoinvest’ bëri 39 pagesa ndaj kompanisë së konsulencës për një vlerë prej më shumë se 3.6 milionë euro.Transferta më e madhe prej 1.5 milionë euro, është bërë me 26 prill 2013, një muaj pasi ‘AL Energy Transmission’ u regjistrua. Shumica e parave nga llogaria janë tërhequr nëpërmjet një kartë debiti për udhëtime, por ka edhe transferta për llogari të Vasil Kallupit, gruas së tij Dëshira dhe nipit të saj, Sokol Sferdelli.Për disa njerëz në Shqipëri, Kallupi njihet si ‘Vasili i Vienës’ për shkak se ai ka jetuar në kryeqytetin e Austrisë në vitet 1990. Gazetari dhe botuesi Ylli Rakipi i tha BIRN se, Kallupi ka qenë i afërt me Fatos Nanon, ish-lideri i socialistëve që e drejtoi Shqipërinë nga viti 1997 deri në vitin 2005. Nano doli në pension dhe u transferua në Vienë. “Kallupi ka qenë një nga shqiptarët e parë që ka shkuar në Vienë në vitet 90,” tha Rakipi në një bisedë telefonike. “Është marrë me biznesin e energjisë me firmat e ish-Jugosllavisë dhe ka pasur lidhje me Nanon”.  Një ish-zyrtar i qeverisë që foli në kushtet e anonimatit gjithashtu konfirmoi se biznesmeni kishte lidhje me ish-kryeministrin./BIRN