Pas Tiranës zbardhen emrat e kandidatëve për primaret në Elbasan dhe Durrës

199
Sigal

Partia Demokratike do të pres emrat për kandidatët që do të hyjnë në primare për bashkitë Tiranë, Durrës dhe Elbasan deri në 6 nëntor.

I pari që shfaqi ambicien në Tiranë për të qenë në garë për primaret dhe i bindur se do të jetë ai kandidati zyrtar i opozitës ishte deputeti Belind Këllliçi.

Pa kandidatë zyrtarë por me emra potencialë për të garuar në procesin e primareve janë edhe Bashkitë Elbasan dhe Durrës.

Në qytetin e Elbasanit, dy kandidatët më potencialë për të qenë pjesë e garës për të përfaqësuar opozitën në zgjedhjet e 14 majit 2023 janë Blendi Himçi dhe Aurel Bylykbashi.

Kreu aktual i degës së PD Elbasan, Blendi Himçi por edhe ish-deputeti Bylykbashi kanë konfirmuar se janë duke e vlerësuar maksimalisht procesin e primareve dhe ditët e ardhshme do të vendosin për angazhim real.

Në Durrës emri më potencial për të qenë pjesë e garës së primareve, është ish-deputeti dhe kreu aktual i degës së Durrësit, Igli Cara.

Emri i Carës u përfol si kandidat i Partisë Demokratike edhe në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, por në atë kohë Cara preferoi të ishte në mbështetje të kandidatit Ardian Muka.

Partia Demokratike vijon të jetë ende në proces negociatash mes deputetëve Paloka e Bardhi në funksion të daljes me një kandidat të përbashkët në të gjithë bashkitë e vendit.