Pandemia, një mesazh për të gjithë ju miqtë mi dhe çdo shqiptar

390
Sigal

Mesazh për të gjithë ju miqtë mi dhe për çdo shqiptar! Përqafoni moton: “JO panikut dhe PO rregullave të kujdesit dhe mbrojtjes nga COVID-19”!

Të dashur miq

Koha që kalojmë është unike në jetën tonë.

Një pandemi e rrezikshme nga COVID-19 ka rrokur planetin dhe Shqipërinë. Në këtë betejë vendimtare për suksesin tonë,  më shumë se çdo gjë tjetër është sjellja dhe qëndrimi ynë ndaj COVID-19!

Në betejën kundër COVID-19, çdo njeri nga ne duhet të hedhë poshtë me neveri dhe si shumë të rrezikshëm, panikun që shpërndan si asnjë kryeministër në planet, madje as Kim Jong-un, Edvin Surreli, i cili është i vetmi kryeministër në botë që nga sarajet e tij private ju drejtohet çdo ditë qytetarëve duke mbjellë panik, terror psikologjik.

Ai në krizë haluçinante, mbush mesazhet e tij me aeroplanë luftarakë, tanke, helikopterë, bomba, kamikazë, kufoma të pavarrosura deri dhe ditë kiameti.

Ai flet për tradhëtarë dhe poston skena horror me të sëmurë që japin shpirt apo që dergjen moribond në salla reanimacioni etj. etj. duke tmerruar kështu qindra mijëra fëmijë, por edhe të rritur në këtë vend.

Ndaj ju ftoj miq, hidhni poshtë me neveri një fjalor të tillë, që mund të nxjerrë nga goja vetëm një paranojak i degraduar dhe kurrë jo një njeri normal.

Paniku është në çdo aspekt, një aleat i ngushtë i virusit të kurorës.

Ai ju nxin ditën dhe ua bën ju, shumë herë më të mendueshme, masat që ju merrni në luftën kundër COVID-19.

Paniku ka pasoja shumë të rënda në shëndetin tuaj mendor, rrënon cilësinë e jetës dhe krijon psikoza të rënda fobike tek fëmijët tanë, por edhe tek gjithë të tjerët.

Paniku ju provokon dhe shtyn ju, qytetarëve të përgjegjshëm, që nën ndikimin e tij, të merrni vendime të cilat herë herë mund të kenë pasoja tejet të hidhura.

Unë ju ftoj ju, të dashur miq, që si njerëz normalë, të përgjegjshëm,  që duam veten tonë, prindërit, fëmijët, nipërit, mbesat, miqtë, shokët, komshinjtë, komunitetin dhe shoqërinë tonë, t’i themi:
Po, kujdesit dhe masave mbrojtëse.
Të respektojmë higjienën personale, të kufizojmë në maksimum lëvizjet, të shmangim çdo grumbullim dhe kur dalim për nevoja të pashmangshme, të ruajmë distancën së paku 1 metër nga tjetri në rrugë apo në radhë.

Këto rregulla vërtet janë të mërzitshme, imponojnë dhe privacione, por dobia e tyre është e jashtëzakonshme dhe në fund do të ndjehemi të gjithë krenarë për atë që bëmë me misionin shpëtimtar që përmbushëm për veten tonë, me të dashurit tanë dhe mbarë shoqërinë.

Zoti u bekoftë ju, miqtë e mi, familjet tuaja dhe mbarë shqiptarët!