Pagesa në shkëmbim të notës, etalon vlerësimi për dijen

508
Sigal

Jakup B. GJOÇA

Qëndresa Qytetare: 73% e studentëve pranojnë korrupsionin në universitetet publike

Universitetet publike janë shndërruar në qendra korrupsioni, ku nota e studentëve, blihet me para, ose pedagogët kërkojnë nga studentët favore seksuale, ose i detyrojnë ata që t’u blejnë librat e tyre. Madje, trupat pedagogjike veprojnë me skema mafioze, duke përfshirë në rrjetin e korrupsionit sekretaret e tyre, punonjësit e administratës, por edhe vetë studentët, të cilët shndërrohen nga pedagogët si sekserë të tyre. Heshtin rektoratet, edhe pse i dinë shumë mirë këto probleme, hesht ministria e Arsimit, mirëpo heshtin edhe prokuroria dhe policia. Qëndresa Qytetare prezantoi gjetjet e monitorimit të nivelit dhe perceptimit të korrupsionit në 5 universitete publike. Në total u pyetën 640 studentë, 501 studentë të nivelit të studimit Bachelor dhe 139 studentë të nivelit Master.

Korrupsioni në universitetet publike

Sipas gjetjeve të raportit 73% e studentëve të anketuar, pohojnë se korrupsioni është i pranishëm në universitetin e tyre, ndërsa 19% e studentëve nuk japin përgjigje, me arsyetimin se nuk kanë pasur prova të pranisë së fenomenit dhe vetëm 8% e mohojnë praninë e tij. Në raport krahasimor, Universiteti Politeknik i Tiranës shfaqet si më i korrupstuari në masën 80%, i ndjekur nga Universiteti Bujqësor me 77% prezencë të këtij fenomeni. Studentët pranojnë që forma më e përhapur e korrupsionit në universitet është pagesa në këmbim të notës me 43%, ndjekur nga detyrimi për blerje librash dhe favoret seksuale.

Sekretaret, punonjësit e administratës së Universitetit, sekserët e pedagogëve

“Korrupsioni në universitete nuk shfaqet si rast sporadik por është shndërruar në sistem ku sekretaret, punonjësit e administratës dhe vetë studentët shndërrohen në sekserë të pedagogëve. Do ju ndjekim këmba këmbës dhe do ju prishim gjumin, iu drejtua z. Xhemollari pedagogëve që marrin para në këmbim të notës duke theksuar se kjo klasë janë trupa e antivlerës që prishin edhe imazhin e pedagogëve të ndershëm në auditorë. Kryeprokurorja e Elbasanit Znj. Enkeleida Millonai theksoi se korrupsioni në arsim ka specifikat e veta dhe kërkon mjete të sofistikuara për t’u hetuar dhe dënuar. Ajo shtoi se në qytetin e Elbasanit, në rolin e sekserëve përveç punonjësve të universitetit shfaqen edhe stafet e lokaleve pranë universitetit. Një e dhënë problematike sipas ekspertëve të pranishëm është fakti, se 24% e studentëve të pyetur do të ishin të gatshëm për të ofruar ryshfet në këmbim të një rezultati më të mirë në provim dhe 14 % e tyre janë të lëkundur.