Opozita shqiptare/ Koha për protesta të fuqishme dhe bashkëpunim më të gjerë opozitar për të ardhmen dhe rikthimin e pluralizmit

91
Sigal

Konferenca e përjavshme për shtyp në selinë blu këtë të premte do ti dedikohej raportit të OSBE/ODIHR.  Ish-Kryeministri i Shqipërisë njëherësh drejtuesi i rithemelimit Sali Berisha,  theksoi me forcë rëndësinë e protestave të fuqishme dhe përpjekjeve të tjera komplekse kundër narkoshtetit të ngritur nga Edi Rama. “Ky raport ka një mesazh për shqiptarët: me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, por ka farsë. Akti i djeshëm në parlament përbënte atentatin më të shëmtuar të narkoshtetit ndaj pluralizmit parlamentar në 32 vite. Edi Rama tregoi se nuk pranon pluralitetin e vërtetë në parlament dhe në një akt të pashembullt, në mënyrë absolute në asnjë vend tjetër pluralist, merr përsipër t’i caktojë opozitës, përfaqësuesin që do ai. Siç bëri në zgjedhjet e 14 majit me kryetarin e koalicionit. Të gjitha këto janë çështje thelbësore të cilave opozita duhet t’u përgjigjet dhe do t’u përgjigjet. Thelbi është me protesta të fuqishme dhe përpjekje të tjera komplekse. Me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, nuk ka pluralizëm parlamentar. Ne jemi zotuar përpara shqiptarëve se do mbrojmë votën. Mbrojtja e votës është një proces. Ne kemi pasur parasysh qëndrimin tonë, që votën nuk e mbrojmë me armë, por ky raport ndërkombëtar, i cili pasqyron një për një çështjet më themelore të këtij libri të zi, kushtuar farsës elektorale të 14 majit, në 690 faqe të tij, dhe ju garantoj se do ketë një vëllim tjetër, për disa gjëra që do ua bëjmë të ditur më vonë, por janë të gjithë për mbrojtjen e votës. Procesi i mbrojtjes së votës nënkupton vërtetimin e dhunimit të saj. Procesi i mbrojtjes së votës nënkupton gjetjen e rrugëve për garantimin e votës së lirë. Pra, në këtë kontekst, ne jemi në përputhje me atë që kemi deklaruar. Duart e tyre janë prerë, janë në këtë raport. Duart e zeza janë në këtë raport dhe vazhdon beteja. Ne nuk do të njohim një akt që përjashton opozitën. Ne nuk mund të njohim kurrë një kryetar që e cakton Edi Rama por përgjegjësia do bjerë mbi ata që e çojnë vendin drejt destabilizimit. Nuk ka shqiptar, në 600 mijë shqiptarë që kanë votuar kundër qeverisë, nuk janë as 10 që mund të pranojnë se përfaqësuesin e tyre ta caktojë Edi Rama. Nuk ka ndodhur kurrë. Ai e bën këtë, por ne do bëjmë gjithçka të përballet me pasojat që krijon me një akt të tillë.” – tha Sali Berisha.