OPOZITA, PROTESTË BRENDA DHE JASHTË PARLAMENTIT

410
Opozita, sot protestë brenda dhe jashtë Kuvendit
Mijëra mbështetës të PD, LSI dhe aleatëve do të “rrethojnë” Parlamentin gjatë diskutimit për kryeprokurorin e ri. Si do të paralizohet Tirana, plani për të bllokuar seancën dhe mbërritja sekrete e deputetëve socialistë 
Partitë e opozitës do të protestojnë sot, teksa deputetët e mazhorancës do të mblidhen në seancë plenare në orën 10:00 për të zgjedhur Prokurorin e ri të Përgjithshëm. Përpara selisë së Kuvendit dhe brenda sallës së seancave plenare, opozitarët kanë paralajmëruar se do të kundërshtojnë zgjedhjen e një kryeprokurori me votat e shumicës. Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim prej disa ditësh kanë paralajmëruar se procedura e ndjekur për të gjetur një pasues për Adriatik Llallën është antikushtetuese dhe kanë akuzuar kryeministrin Rama se dëshiron të marrë kontrollin e organit të akuzës. Ata u kanë bërë thirrje mijëra mbështetësve të tyre të grumbullohen në orën 09:30 përpara Kuvendit, ndërsa një plan i posaçëm është hartuar edhe për mënyrën e reagimit e veprimit të deputetëve. Pas një konsulte pasditen e djeshme, partitë opozitare kanë vendosur të drejtojnë protestën, ndërsa do të ketë një koordinim për të patur reagim edhe gjatë zhvillimit të seancës. Në mënyrë të njëkohshme, opozita do të tentojë të shtojë presionin nga jashtë sallës së Kuvendit, ndërsa do të kundërshtojë ashpër përfshirjen në rendin e ditës dhe diskutimin e çështjes së Prokurorit të Përgjithshëm. Opozitarët janë kujdesur të ruajnë fshehtësinë e aksionit të tyre, veçanërisht për mënyrën se si do të synohet të bllokohet votimi për zgjedhjen e kryeprokurorit të përkohshëm. Megjithatë, emrat më të rëndësishëm të opozitës pritet të flasin përpara njerëzve të grumbulluar në hyrje të Kuvendit dhe gjithashtu të reagojnë në seancë për të bllokuar ecurinë normale të saj. Një urdhër i kryeparlamentarit Gramoz Ruçi e ka vendosur çështjen e zgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm në pikën 5 të rendit të ditës, por opozita do të kërkojë nga maxhoranca që ajo të mos përfshihet në diskutime. Sipas burimeve nga opozita, tensioni në seancë do të jetë i lartë prej nisjes së saj në orën 10:00, në rast se socialistët do të këmbëngulin në agjendën e paracaktuar, ku përfshihet edhe votimi për një prokuror të ri të Shqipërisë. Në mënyrë të vazhdueshme, opozita ka deklaruar edhe gjatë ditës së djeshme se do të protestojë, si brenda dhe jashtë sallës së Kuvendit, ndaj seanca e sotme nuk parashikohet të jetë me tone të qeta. 

Ndërkohë përreth Kuvendit pritet të ketë një prani të shtuar të forcave policore. Rreth 1200 policë do të angazhohen gjatë zhvillimit të mitingut të opozitës, ndërsa disa nga rrugët kryesore të kryeqytetit do të jenë të paralizuara. Problematike vlerësohet të jetë edhe mbërritja e deputetëve të shumicës në sallën e Kuvendit për të shmangur incidente të ndryshëm, pasi protestuesit e opozitës janë njoftuar të mblidhen 30 minuta përpara nisjes së punimeve. Një numër mbështetësit të opozitës do të mbërrijnë në Tiranë mëngjesin e sotëm edhe nga rrethe të ndryshme të vendit, duke e bërë edhe më të vështirë situatën e trafikut në qytet, por edhe rreth selisë së Parlamentit. Seanca e sotme do të jetë e fundit për këtë sesion të Kuvendit dhe rrjedhimisht mundësia e fundit e shumicës parlamentare për të realizuar votimin për shefin apo shefen e re të organit të akuzës. Nga 7 emrat që aplikuan, vetëm 3 prej tyre janë shpallur nga Komisioni i Ligjeve se plotësojnë kriteret. 
Sigal