Mbledhja e deputetëve opozitarë e mbajtur të martën në Kukës arriti në disa vendimmarrje. Pas saj, Gazment Bardhi i tha mediave se do të ngrihet një komision hetimor për reformën zgjedhore dhe se bashkëkryetar i këtij komisioni do të jetë Oerd Bylykbashi. “Jemi ndalur në axhendën parlamentare të të enjtes, me fokus reformën zgjedhore. Sot kemi autorizuar ngritjen e komisionit hetimor që të propozojë projektvendimin për këtë reformë, bashkëkryetar është caktuar Oerd Bylykbashi, anëtarë Dhurata Çupi, Dashnor Sula, Ervin Salianji, Tomorr Alizoti, Lindita Metaliaj, Shpëtim Idrizi, Fatmir Mediu dhe Petrit Vasili. Për ne është e papranueshme që në dy vite komisioni i reformës zgjedhore nuk ka prodhuar asnjë rezultat duke favorizuar vjedhjen e zgjedhjeve nga Rama”,- tha ai. Deputeti demokrat tregoi edhe mesazhin që donin të përcillnin përmes kësaj mbledhje në Kukës. “Mesazhi që ne donim të përcillnim me mbledhjen e mbajtur sot në Kukës lidhet ekzaktësisht me faktin që kjo është një javë e rëndësishme për qytetarët e Kukësit. Ata duhet të zgjedhin që të bëjnë realisht ndryshimin në bashkinë e Kukësit duke i dhënë fund modelit që gjithë qytetarët e Kukësit dhe Shqipërisë dhe panë që ofronte Partia Socialiste për bashkinë e Kukësit.” – tha Bardhi.