Nuk u paraqit në Parlament për çështjen “McGonigal”, Rama i kthehet opozitës: E degraduar dhe e çekuilibruar!

119
Sigal

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur sërish akuzave të opozitës për lidhjet e tij me ish-agjentin e FBI-së, Charles McGonigal, edhe pse kreu i qeverisë nuk pranoi të marrë pjesë në interpelancën në Parlament.

Në një postim në Tëitter, kreu i qeverisë shqiptare e quan opozitën të degraduar dhe të çekuilibruar për akuzat që ata bëjnë ndaj kryeministrit.

Sipas tij, të gjitha denoncimet dhe akuzat e opozitës janë gënjeshtra dhe budallallëqe, teksa shton se asnjëherë nuk ka pasur një opozitë që e ka ndotur mjedisin publik më keq se tani.

Kurrë më e mjerë, më e degraduar, më e shfytyruar dhe çekuilibruar s’është shfaqur ndonjëherë politika opozitare me altoparlantët e saj; kurrë boshllëku i ideve, kapsllëku i komunikimit, sasia e gënjeshtrave dhe budallallëqeve të lëshuara në ajër nuk kanë qenë kaq të qametshme!

Asnjëherë asnjë opozitë e asnjë kohe deri sot nuk e ka ndotur kaq keq mjedisin publik, ashtu e shtrirë në tërë kanalet e komunikimit me gjuhën jashtë dhe me trupin që përpëlitet nga fabrikimi non stop i pisllëqeve më ekstreme! Kjo është pasoja e puthjes fatale me një të vdekur.

Kryeministri Edi Rama ka refuzuar dy herë të paraqitet në seancë plenare për t’u përballur me opozitën për çështjen “McGonigal”. Në seancën e fundit, Rama madje ia delegoi interpelancën ministres Elisa Spiropali, për të cilën opozita tha se është në shkelje të rregullores, pasi është thirrur kreu i qeverisë për një çështje që ka lidhje drejtpërdrejtë me të.

Rama zgjodhi që të gjitha akuzave t’i përgjigjej në studiot televizive, duke shmangur në njëfarë mënyre debatin e drejtpërdrejtë me opozitën. Ai u shpreh se do të vijojë të refuzojë që të jetë i pranishëm në Parlament për të diskutuar çështje të tilla.