“Nuk beson në imunitet, kur Berisha kontrollon gjithë pushtetet”

534
Sigal

INTERVISTA/ Gazetari Ymer Minxhori: “Maxhoranca ka përgjegjësinë, opozita është e plogët”

 

– Zoti Minxhozi, duke qenë se reformat e 12 prioriteteve janë lënë përgjysmë, a kanë të drejtën politikanët të pushojnë kaq gjatë?

– Të ndodhur përballë këtij realiteti politik, të gjithë politikanët duhet të sakrifikojnë kohën e tyre. Se është detyra e tyre. Por, kjo kohë pushimi dëfton neglizhencën e tyre. Politikanët, e sidomos ata të maxhorancës, udhëhiqen nga “ Sa më keq, më mirë”. Krijojnë  të tjera probleme, që të harrojnë kryesoret, që nuk u intereson t’i zgjedhin. Por, ka edhe dallime. Maxhoranca i ka të gjitha, ndaj përgjegjësia e saj është kryesore.

– Mos vallë opozita  është futur në kurthin e maxhorancës, në atë të gjumit letargjik të gushtit?

– Kjo heshtje, krijimi i problemeve të tjera, i takon maxhorancës. I intereson që të shtyjë sa më shumë afatet dhe pastaj, t’i miratojë në një ndërkohë, që nuk interesohet askush. Opozita ka për detyrë vetëm të bëjë oponencë. Të jetë sa më e fortë, sepse situata politike po i del nga duart. Të marrim një shembull. Është ajo që diskutohet këto ditë. Marrëveshja detare me Greqinë, që po thuhet se do të bëhen rinegociata.  Çfarë do të humbiste opozita, nuk e kuptoj, përse nuk e bën këtë oponencë të fortë, se me këtë Gjykata Kushtetuese të tanishme, ka mundësi, që të miratojë çfarë do maxhoranca. Opozita është e plogët.

– Përse e thoni këtë?

– Opozita duhet të marrë në dorë interesat  kombëtare, se janë në rrezik më shumë se kurrë. Po na rrëzohen monumentet historike në Korçë, Përmet  nga grekët dhe ne heshtëm. Greku nuk lejon gazetarin shqiptar  dhe ministria jonë e Jashtme hesht. Vjen nazisti grek në Himarë e deklaron shovinizmin grek e ne sërish heshtim.  Ndodhemi para cungimit të dinjitetit tonë kombëtar.  Si mund të ndihemi krenarë si shqiptarë, kur heshtim ndaj nazistit grek, që në shtëpinë tonë  vjen e na thotë që toka është greke dhe të tërë heshtim? Kurrë mos hyfshim në BE, po të varet fati i Shqipërisë nga një votë e grekut.  Kryetari i opozitës duhet të jetë më i qartë, më i prerë edhe më ndërkombëtarët. T’jua thotë publikisht, ndërkombëtarëve problemet dhe jo ne bisedime me dyer të mbyllura. Me thënë të drejtën, AK-ja punon shumë mirë, e ka kapur çështjen kombëtare dhe përditë punon në mbrojtje të saj.

– Mendoni se ngërçi i imunitetit shpreh esencën e problemit?

– Nuk është  imuniteti ai që lufton korrupsionin. Të rrish 5 vjet në gjykatë për Gërdecin, kur fajtorët e tij rrinë në shtëpi, i ka penguar imuniteti të gjykohen?Pozita nuk do ta zgjidhë problemin, nuk i intereson. Do t’ju jap një fakt? Kryetari i opozitës asnjëherë nuk ka patur imunitet dhe meqë kjo maxhorancë akuzon me propagandë se opozita nuk e do imunitetin, kush e ka penguar maxhorancën që ta gjykojë kryetarin e opozitës? Po ministrat e qeverisë, të cilët të akuzuar për korrupsion, kur u është hequr imuniteti, kush i gjykoi? Nuk mund të besosh për heqjen e imunitetit, kur pushtetet i ka marrë në dorë vetëm një njeri. Është krijuar një situatë e rrezikshme. Njerëzit nuk lëvizin, nuk reagojnë për asgjë. Ndaj romëve, pushtetarët, por edhe krerët e Bashkisë të Tiranës, sillen ndaj tyre, thua se janë skllevërit e shekullit të 18-të dhe  askush nuk proteston në mbrojtje të të drejtave të tyre.