Nora Malaj: Fushata elektorale, farsë e marrëzisë të qeverisë

203

Intervista/ Flet ish-deputetja e LSI-së, Nora Malaj: Ligjërisht sot në Shqipëri nuk ka zgjedhje

Fushata elektorale e kryeministrit Rama për zgjedhjet lokale është farsë absurde e marrëzisë së qeverisë

Nora Malaj, ish-zëvendësministre në intervistën për gazetën “Telegraf” vlerëson se dekreti i Presidentit të Republikës për shfuqizimin e datës së zgjedhjeve të 30 qershorit është veprimi i një babai të ndërgjegjshëm për të ndihmuar, Familjen Shqipëri. Ndërkohë, që kryeministri ka në dorën e tij të gjitha pushtetet, nuk mund të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme. Përgjimet e “Bild” duhet të ndërgjegjësojnë shqiptarët, se kujt duhet t’i besojnë fatet e tyre dhe të ardhmen e Shqipërisë.

Zonja Malaj, a është një akt partiak, shfuqizimi i datës së zgjedhjeve vendore nga Presidenti i Shqipërisë në 30 qershor?

Vendimin e Presidentit do ta quaja veprimi i një babai të përgjegjshëm dhe të mirë, për të mbrojtur dhe ndihmuar familjen e tij që është Shqipëria dhe shqiptarët. Këtë e thonë edhe sondazhet, ku 90 për qind e shqiptarëve përkrahin vendimin e Presidentit!

Si do ta vlerësonit fushatën elektorale të kryeministrit Rama, i shoqëruar me dhjetëra policë, përballë qytetarëve që i bllokojnë rrugët?

Ligjërisht sot në Shqipëri nuk ka zgjedhje, pasi Presidenti de jure i bëri nul ato, ndaj dhe të gjithën këtë që po ndodh, do ta quaja një farsë absurde të marrëzisë së qeverisë së kapur tashmë nga mafia dhe një KM të marrë peng prej tyre. Kjo është fushata dhe situata më absurde që po ndodh në Shqipëri, ndaj do ta quaja “Marrëzia e Babëzisë”. Sot Shqipëria përballet me një nga situata nga më absurdet dhe më të rëndat që kanë ndodhur këta 29- vjet. Nga njëra anë kemi tablonë ku tabloja e këtij realiteti është: Qeveria në dorë të KM;  Parlamenti në dorë të KM, blen çdo gjë; Prokuroria dhe drejtësia i shërben KM; Media e kontrolluar nga KM, ndonëse e ul dhe e ngre kazan; Votimet të blera nga KM;  Presidenti kërcënohet me shkarkim, sepse kundërshtoi KM.  E gjithë kjo situatë tregon se jemi në një anormalitet dhe kaos total, ku përgjegjësi dhe organizatori i kësaj situate është Kryeministri me qeverisjen e tij të modelit neomonarkist dhe neodiktatorial. Pas 29 viteve, Shqipëria hyn në situatën e saj më kaotike dhe absurde, ku një KM bredh nëpër Shqipëri si një bejtexhi, e pasi detyron administratën që të jetë pjesë lëvizëse e shëtitëse të këtij teatri absurd, duke e kërcënuar me bukën e gojës, si një fallxhor i shëmtuar, me filxhan në dorë, bën humor, duke kërcënuar opozitën se do ta fusë në burg. As ka parë e as ka dëgjuar ky vend që burrat e shtetit të tallen me popullin e tij, duke u kthyer në gaztorë, ndërkohë që vendi lëngon në dhimbjen e tij, të varfërisë, papunësisë, emigrimit masiv të të rinjve, pamundësisë së vendeve të punës, dhunës, vrasjeve, drogës dhe humbjes së shpresës, që ky vend nuk mundet më të bëhet.

– Në këto situata, si do veprojë opozita? 

Natyrisht që zgjedhje nuk ka. Sot nuk kemi përballë opozitarë që garojnë, pasi ka vetëm një kandidat, sot kemi një opozitë që proteston fort dhe fuqishëm. Në çdo pseudo tubim të mbajtur nga KM dhe eskorta e tij, dhe fatkeqësisht sot kemi një polici tërësisht partiake, në shërbim të partisë në pushtet, Sot kemi një situatë politike anormale, ndaj dhe zgjedhjet janë mision i pamundur në 30 qershor. Sot situata politike-sociale dhe ekonomike është në kolaps të plotë.

– Përgjimet e “Bild”, a do ndikojnë në ndërgjegjësimin e shqiptarëve se për kë duhet të votojnë? 

Përgjimet e reja të “Bild-it”, sollën në fokus emra dhe eksponentë, të cilët me zë, figurë dhe emra dolën qartë sesi i kanë blerë votat dhe kanë deformuar rezultatet zgjedhore, në zgjedhjet politike dhe ato lokale të 2016-s në qarkun e Dibrës. Sondazhi i kryer tregoi qartë se 83 për qind e shqiptarëve e pranuan që zgjedhjet janë blerë. Kjo është dhimbja më e madhe në këtë vend, por nga ana tjetër ky fakt legjitimoi edhe njëherë veprimin ekstrem që bëri opozitat, pasi konstatoi e i denoncoi, po askush nuk i ndëshkoi të gjithë ata që blenë e shitën votat. Dhe të gjithë ata kombëtare e ndërkombëtare, të cilët mbyllën sytë dhe “certifikuan zgjedhjet”.

E para, është krim elektoral.

E dyta, ata që bënë sikur nuk i panë, duke u bërë pjesëmarrës në këtë krim

elektoral.

Gjithsesi, opozita e bashkuar dhe populli tashmë i zhgënjyer dhe lënduar janë më të vendosur se kurrë, që Shqipërinë duhet tua besojë atyre individëve që kanë atdhe, që e duan atë, që kanë moral, që vendin nuk e shesin dhe e mjelin për interesa klanore e mafioze. Sot PS është në momentin e saj më tragjik, pasi është përdorur nga kryetari, është kapur nga Rilindja, po goditet nga këto gjëma të padëgjuara ndonjëherë dhe është kthyer në një parti ku i kanë marrë degët, frytet dhe tani duan ta shkulin dhe zhbëjnë nga rrënjët. Kjo është dhe humbja me e madhe për vendin. Asnjëherë PS e Agollit, Nanos, Dades, Rukës, Brokës, Mejdanit e shumë personaliteteve me vlera për vendin, nuk mund të degradohet, siç është degraduar sot.