Sigal

Pas denocimeve të bëra nga DASH, FMN dhe Banka Botërore për pabarazinë në tendera dhe rrezikun që po i kanoset vendit me dhënien klienteliste të koncesioneve nga ana e qeverisë, një tjetër denoncim i fortë vjen nga Gjykata Evropiane e Llogarive: Shqipëria 30% të prokurorimeve i bën pa garë dhe Legjislacioni Shqiptar në prokurime nuk përputhet me të BE-së. Anashkalimi i përdorimit të sistemit elektronik për procedurat me negocim, cënimi i konkurrencës dhe raporti i detajuar i KLSH-së. Flasin për “Telegraf”: Prof. Arben Malaj,Selami Xhepa, Zef Preçi

Gjykata Europiane e Llogarive, institucioni më i lartë i auditit në Bashkimin Europian ka analizuar procedurat e prokurimit në vendet e zgjerimit për vitin 2017 dhe ka gjetur se Shqipëria i zhvillon 30 për qind të prokurimeve publike pa garë nëpërmjet procedurës së negocimit.

Gjykata Europiane e Llogarive: Legjislacioni shqiptar në prokurime nuk përputhet me të BE-së

Me tej institucioni europian i auditit vlerëson se, legjislacioni shqiptar në fushën e prokurimit nuk është plotësisht në përputhje me atë të BE në këtë fushë. Gjithashtu ligji për procedurat e prokurimit publik nuk është në linjë legjislacionin e Shqipërisë për menaxhimin financiar. Sipas Gjykatës kjo rrit mundësinë e përdorimit të panevojshëm të procedurës me negocimin pa garë që për nga vetë natyra nuk është transparente. Legjislacioni shqiptar i prokurimit publik lejon përdorimin e procedurave me negocim në rastet të cilat janë përcaktuar si emergjenca. Por nga ana tjetër legjislacioni lejon përdorimin e 12 argumenteve të ndryshme për përcaktimin e një rasti si emergjence.

Nuk përdoret sistemi elektronik për procedurat me negocim

Analiza e Gjykatës Europiane se sistemi elektronik nuk përdoret gjithmonë për procedurat me negocim edhe në rastet kur kjo do të ishte e mundur dhe e përshtatshme. Kjo zvogëlon transparencën e procedurës së prokurimit, cilëson auditi europian. Gjithashtu Gjykata ka vënë re se në shumë raste ka interpretime të ndryshme të legjislacionit për prokurimin publik. Nuk ka udhëzime specifike dhe të hollësishme për hapat, afatet dhe veprimet e Autoriteteve Kontraktuese,  që duhet të aplikohen gjatë përdorimit të procedurës me negocim dhe gjithashtu nuk ka udhëzime për monitorimin e procedurave të prokurimit publik.

Rekomandimet e Gjykatës Europiane të Llogarive

Gjykata Europiane e Llogarive i rekomandon APP-së të adresojë problemet që lidhen me përcaktimin e rasteve si emergjenca nga operatorët ekonomikë për të minimizuar numrin e këtyre rasteve. Gjithashtu duhet të harmonizohet ligjin për procedurat e prokurimit publik dhe legjislacionin e menaxhimit financiar dhe për këtë duhet të bashkëpunohet me Ministrinë e Financave. Gjykata Europiane e Llogarive rekomandon qe APP-ja duhet të promovojë përdorimin e sistemit elektronik të prokurimit publik për procedurat e negociuara në mënyrë që të rrisë transparencën.

Departamenti Amerikan i Shtetit kritikon koncesionet e qeverisë: Cënojnë konkurrencën

Departamenti i Shtetit i Shteteve të Bashkuara publikoi atë që mund të quhet deklarata më kritike e bërë në shumë vite sa i përket klimës së investimeve të huaja në Shqipëri, duke kritikuar në veçanti kontratat e partneritetit publik-privat të qeverisë aktuale krahas shqetësimeve mbi nivelin e lartë të korrupsionit, presionit për të punësuar kompani të lidhura politikisht dhe mungesës së aksesit të kompanive në rrjetin e energjisë elektrike. Investitorët besojnë se qeveria efektivisht po i diskurajon investimet e huaja për të favorizuara kompani të lidhura politikisht, sipas raportit. Raporti, i publikuar në faqen e internetit të Departamentit të Shtetit, thekson reformën në drejtësi, aktualisht në zbatim, si një ndryshim i madh, por raporton se investitorët e huaj nuk duken shumë të bindur dhe vijojnë ta konsiderojnë Shqipërinë si një “vend të vështirë për të bërë biznes”. “Investitorët e huaj citojnë korrupsionin, veçanërisht në sistemin e drejtësisë, mungesën e transparencës në prokurimet publike dhe zbatimin e dobër të kontratave si probleme që vijojnë në Shqipëri,” shkruhet në raport. “Zbatimi i reformës në drejtësi është duke u kryer, përfshirë vetimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve me pasuri të pashpjeguar, por investitorët e huaj e perceptojnë klimën e investimeve si problematike dhe thonë se Shqipëria mbetet një vend i vështirë për të bërë biznes.” Ndryshe nga raportet e mëparshme, raporti i këtij viti mbart kritika të forta edhe për praktikën e qeverisë për dhënien e kontratave të partneritetit publik-privat të njohura si koncesione. “Raportet për korrupsion në prokurimet publike janë të zakonshme. Përdorimi në rritje i kontratave të partneriteteve publike dhe private ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë nga investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë,” thuhet në raport. “Analizat e dobëta të kostove dhe përfitimeve dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave të koncesionit janë shqetësime të vazhdueshme.” Qeveria shqiptare ka nënshkruar ose pritet të nënshkrojë kontrata koncesionare për ndërtim rrugësh me vlerë 711 mln euro  krahas kontratave të tjera koncesionare për ndërtim hidrocentralesh. Dy nga katër kontrata janë nënshkruar me kompani vendëse përmes procedurës së njohur si “propozim i pakërkuar”, ndërsa një e tretë është në proces. Propozimet e pakërkuara janë një koncept i vendosur në legjislacionin shqiptar në vitin 2006 për të lejuar propozimet nga sektori privat për zgjidhje të karakterit të jashtëzakonshëm për probleme publike, të tilla si propozimi i një teknologjie novatore. Por në vend të kësaj, qeveria ka pranuar si propozime të pakërkuara dhe ka dhënë bonuse për projekte ndërtimi hidrocentralesh që janë projektuar që nga koha e komunizmit apo ndërtimi segmentesh rrugore që kanë ekzistuar si ide apo si projekte prej dekadash. Kjo është një medotë që efektivisht ka vrarë konkurrencën, pasi në shumicën e tenderëve nuk ka pasur fare konkurrentë me përjashtim të propozuesve dhe kjo duket se është cilësuar nga investitorët e huaj si një mënyrë për të shmangur konkurrencën dhe për të favorizuar kompani të lidhura politikisht. “Investitorët raportojnë shqetësime të vazhdueshme se rregullatorët përdorin legjislacion inkonsistent ose të vështirë për t’u interpretuar si mjet për të diskurajuar investitorët e huaj dhe për të favorizuar kompani të lidhura politikisht,” thuhet në raport. Investitorët e mëdhenj vazhdimisht raportojnë presion për të punësuar nënkontraktorë specifikë të lidhur politikisht dhe ankohen se e kanë shumë të vështirë të respektojnë Aktin e Praktikave Korruptive të Huaja, një ligj amerikan që ndëshkon individët apo kompanitë amerikane në rast se bëjnë biznes jashtë vendit duke korruptuar zyrtarë të një vendi tjetër. Kritika ka edhe për Inspektoratin e Ndërtimit dhe vështirësitë në lidhjen e kontratave të reja të furnizimit me energji elektrike ndërsa citohet raporti i Perceptimit të Korrupsionit i Transparency International i vitit 2017, ku Shqipëria konsiderohet si vendi i dytë më i korruptuar në Ballkanin Perëndimor. “Agjencia e ngarkuar me shkatërrimin e ndërtesave pa leje shpesh vepron pa konsultim të plotë dhe dështon të ndjekë procedurat,” thuhet në raport. “Ka pasur raportime të besueshme që qeveria shkatërroi disa shtëpi pa proces të rregullt ligjor si pjesë e një fushate më të gjerë për shembjen e ndërtimeve pa leje. Qytetarët dorëzuan ankesa se INUK ka injoruar kërkesat e shtetasve për të shkatërruar disa ndërtime pa leje ndërsa ka zgjedhur të shkatërrojë të tjera për të cilat qytetarët nuk janë ankuar.” Raporti thekson gjithashtu se një rrezik tjetër për investirorët është edhe shpronësimi për interes publik përkundrejt çmimeve “poshtë nivelit të tregut”. “Kompensimi ka qenë në përgjithësi poshtë çmimit të tregut dhe pronarët janë ankuar se procesi i kompensimit është i ngadaltë dhe i padrejtë,” thuhet në raport. Qeveria shqiptare duket se ka shkelur parimin kushtetues të “kompensimit të drejtë” në disa raste shpronësimi për interes publik, ku pronarët e pronave të shembura janë marrë kompensime me çmime shumë të ulëta dhe në disa raste kanë përfunduar si të pastrehë.

Raporti i KLSH : Në 2017 në total janë konstatuar shkelje në shumën 110.5 miliard lekë ose afërsisht 825,6

milionë euro

Nga auditimet e realizuara gjatë periudhës Janar – Dhjetor 2017 janë konstatuar parregullsi

dhe shkelje financiare.

a) Parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me

dëm ekonomik në shumën totale prej 11.5 miliard lekë ose 85.8 milionë euro.

b) Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të

audituara, në shumën totale prej 99.05 miliard lekë, afërsisht 739.7 milionë euro nga

e cila: 92.7 miliard lekë në fushën e të ardhurave, afërsisht 692.1 milionë euro dhe 6.3

miliard lekë afërsisht 47.8 milionë euro, në fushën e shpenzimeve jo me eficiencë,

efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve. Në total janë konstatuar shkelje në shumën 110.5 miliard lekë ose afërsisht 825,6

milionë euro.

FMN dhe Banka Botërore kundër koncensioneve të qeverisë  së Rilindjes Socialiste

Në fillim të muajit tetor Fondi Monetar Ndërkombëtar i ka tërhequr veshin qeverisë shqiptare sa i përket “zemërgjerësisë” së saj për të dhënë çdo shërbim me koncension. Ekspertët e FMN-së i sugjeruan qeverisë shqiptare që të jetë më e kursyer në dhënien e koncensioneve dhe i kërkuan që të regjistrojë si borxh publik, dhe jo të fshehur, detyrimet që rrjedhin nga koncesionet sipas praktikave që ndiqen në vendet e Bashkimit Europian. “Plani ambicioz i qeverisë për PPP-të ngre rreziqe substanciale. Në kundërshtim me praktikat aktuale, efektet e koncesioneve në llogaritë fiskale dhe borxhin publik duhet të pasqyrohen në mënyrë transparente dhe sipas praktikave ndërkombëtare”, – vërente FMN. Sipas vlerësimeve të FMN-së, nëse do regjistroheshin tërësisht, kontratat aktuale të koncesionit do e rrisnin borxhin publik me 7 pikë përqindje nga niveli aktual. Në të njëjtën linjë me FMN, janë edhe ekspertët e Bankës Botërore. Vetëm një javë më parë, gjatë prezantimit të raportit të rregullt ekonomik për Ballkanin Perëndimor, ekspertët u shprehën se PPP-të janë një instrument i rëndësishëm kudo në botë, por ata duhet të përdoren vetëm në projekte madhore, siç janë hekurudhat. “Ne rekomandojmë që këto kontrata të trajtohen në përputhje me standardet ndërkombëtare. Ministria e Financave duhet të forcojë kontrollin mbi PPP-të edhe për shkak të detyrimeve që rrjedhin nga ligji organik i buxhetit”, u shprehën ekspertët e BB-së.

Mark Krauford, Kryetar Dhomës Amerikane të Tregësitsë

Koncensionet në Shqipëri thithin fondet publike nga firma private dhe kanë lidhje politike

Tani, për koncensionet e tjera, për qytetet, nuk e di nëse të huajt konkurojnë, ose jo. Mbase është diçka që ndodh brenda për brenda. Mbase aty do gjesh edhe kritikat për lidhjet politike. Unë jam pro idesë që sektori privat duhet të jetë i përfshirë në koncensionet, por bëhet shumë e ndërlikuar, nëse sektori vjen e merr koncension, por nuk investon asgjë, vetëm fiton tenderat, ose koncensionet, dhe pret të marrë lekët e bashkisë, ose të qeverisë dhe nuk është më partneritet, por është më shumë një thithje parash nga publiku nga një firmë private, që mund të ketë lidhje politike. Si ide koncensionet nuk është e keqja, por FMN-ja ka parë që koncensionet në Shqipëri kanë patur probleme. Nëse koncensionet do të ishin shumë transparente, shumë të mira, efikase, atëhere nuk ka pse FMN-ja të jetë kundër. FMN-ja është kundër, sepse kanë parë realitetin siç është, them unë.

Prof. Dr. Arben Malaj, Instituti për Politikat Publike dhe Mirëqeverisje

Në thelbin e tyre gjetjet  e Gjykatës Europiane të Llogarive  se 30% e prokurimeve  në vendin tonë aplikohen pa garë, janë shqetësuese sepse dëmton konkurencën, e cila duhet të sjellë  projekte sa më efektive, zgjidhje më të mira teknike dhe me kosto financiare konkuruese. Gara duhet të rritë transparencën e përdorimit të taksave të taksapaguesve shqiptarë dhe do të ndihmojë qeverinë, që nëpërmjet prokurimeve publike konkuruse të rritë  kredibilitetin e saj publik.  Gjetjet dhe rekomandimet e Gjykatës Europiane të Llogarive duhet trajtuar me shumë seriozitet nga strukturat respektive të qeverisë shqiptare. Hapi parë edhe në procesin e hapjes së negocitave  midis Shqipërisë dhe BE, pjesa e prokurimeve do të jetë një element  kritik, pasi shtetet anëtare të BE kërkojnë barazi në garë për projektet investuese në çdo vend të  BE dhe njëkohissht edhe për vendet kandidate. Sapo negociatat të fillojnë ( vitin tjetër në korrik) çdo vend i BE që vlerëson se biznesi i tyre është  përjashtuar, apo penalizuar në mënyra të ndryshme në vendet e Ballkanit Perëndimorë në garat për projekte publike, do të kërkojë  përafrimin e legjislacionit të vendit tonë me atë të BE-së,  në fushën e prokurimeve publike. Gjykata Europiane e Llogarive ka identifikuar  përmirësimin e legjislacionit shqiptar për prokurimet publike, duke qartësuar dhe theksuar mundësitë që prokurimet publike në masën 30% të prokurimeve gjithsej të mos konsiderohen investime për emergjenca.  Po kështu, duke qenë se legjislacioni për manaxhimin e sistemit buxhetorë është bërë me asistencë të BE dhe vlerësohet se është i përfaruar me legjislacionin  europian në këtë fushë, ( L I G J Nr.9936, datë 26.6.2008 PËR MENAXHIMIN E SISTEMIT BUXHETOR NË REPUBLIKËN E SHQIPËRISË ) fillimisht rekomandohet dhe më vonë do të imponohet nga BE  përafrimi i legjislacionit të prokurimeve me atë të manaxhimit të sistemit buxhetore. Në fund duhet të kemi të qartë se  BE do të ketë një rol më të madh në mbështetjen e ekonomisë shqiptare. Fondet e BE janë grante, por duhen absorbuar më shumë dhe duhen përdorur me më shumë efikasitet.   Mbështetja financiare e BE do të ketë kushtëzime lidhur me reformat strukturore në ekonominë tonë dhe me treguesit borxhit publik dhe kostos së tij. Një nga reformat strukturore të kërkuara dhe të imponuara nga FM, BB dhe BE është edhe procesi i prokurimeve publike ku përfshihen; (i)  përafrimi i legjislacionit;  (ii) funksionimi sa me transparent, ligjor dhe efikas i Agjensisë së Prokurimeve Publike.

Agron Duka, ishministër i Bujqësisë: Mungesa e garës rrëzon rendin ekonomik

Ajo që institucioni më i lartë i auditit në Bashkimin Europian pohon në raport është jo vetëm shqetësuese, por përkon me qëndrimet që ne si opozitë kemi mbajtur ndaj mënyrës sesi qeveria ka vendosur të zhvillojë prokurimet, që sinqerisht është tejet klienteliste. Madje kjo nuk thuhet vetëm nga Gjykata Europiane e Auditit, por edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili kritikon koncesionet e qeverisë, sepse ato cenojnë konkurrencën. Mungesa e garës rrëzon rendin ekonomik, pasi çdo qytetar i thjeshtë e di se kapitalizmi bazohet mbi tregun e lirë, dhe nëse nuk ka konkurrencë ekonomia përqendrohet në pak duar. Për mos të thënë pasandaj se fituesit e këtyre tenderëve nuk janë më shumë sesa gishtat e dy duarve. Këto praktika janë të rrezikshme sepse nuk kanë asnjë analizë kosto-përfitim, kanë kosto të fryra dhe rrisin kosto për qytetarët. Një shifër domethënëse, pasojë edhe e këtyre tenderëve pa garë, është edhe ajo e borxhit publik, i cili vitin e kaluar ishte 71.5 % të PBB-së. Kur kjo mazhorancë erdhi në pushtet në vitin 2013, borxhin e gjeti 65.5%, duke premtuar se do ta ulte më tej, por sikurse kuptohet, ky premtim nuk u realizua. Sigurisht kjo do të ketë pasoja të rënda për ekonominë tonë, dhe jo pa arsye nuk kemi investime të huaja, pasi po shkojmë drejt një modeli në të cilin nuk sundon tregu i lirë, por një grup i ngushtë “miqsh” të mazhorancës, nga të cilët synon të marrë mbrapsht përfitime në kohë zgjedhjesh.

Selami Xhepa doktor në çështjet ekonomike: Koncensionet  mund të çojë në një rritje të borxhit publik dhe disbalancim i financave publike

-Kjo formulë shihet si e shumë e dyshimtë për vende në tranzicion si ky i yni dhe rekomandohet apo aplikohet vetëm në ato vende ku nivelet e korrupsionit janë thuajse zero, ndaj për mua është një nisje e gabuar që në fillim. Për mua nuk duhej të ishte aplikuar fare kjo formulë, ka plot zgjidhje të tjera përpara se të arrish tek PPP-të. Së dyti, ky koncension nuk do të bëjë tjetër, vetëm se do t’i shtojë një tjetër barrë për t’u paguar taksapaguesve shqiptarë. Ndaj unë jam kundër një formule të tillë që do të rrisë edhe më, në mënyrë fiktive dhe të paargumentuar, borxhin e shqiptarëve sepse në fund të ditës do të jenë taksapaguasit që do ta mbajnë mbi kurriz”. Kjo mund të çojë në një rritje të borxhit publik dhe për rrjedhojë ky disbalancim i financave publike mund të përbëjë rrezik dhe të komprometojë zhvillimet e ardhshme të ekonomisë. Kjo është një çështje shumë serioze që qeveria duhet ta konsiderojë. Kjo është e lidhur edhe me një arsye tjetër. Duke qenë se këto lloj projektesh prokurohen jo sipas rregullave, kjo mund të përbëjë burim korrupsioni të praktikave që janë goxha të përhapura.  Prokurimi projekteve duhet të jetë shumë i hapur dhe transparent në mënyrë që gara të jetë reale dhe jo fiktive. Hartimi dhe kostimi projekteve të kryhet në mënyrë realiste dhe jo në konflikt interesi- firma që hartin projektin dhe bën kostimin e tij, ajo është dhe financuesja dhe realizuesja e projektit. Kjo është një situatë absurde dhe konflik i hapur interesi. Alokimi i fondeve publike në mënyrë dërmuese drejt projektit më të madh të qeverisë, siç është Rilindja Urbane, ndërsa është i lavdërueshëm në qëllimet e veta sa i takon dhënjes së shpresës së ndryshimit në çdo qendër urbane apo rurale, fakti është se kontributi i tyre në zhvillimin ekonomik kombëtar apo dhe lokal është shumë modest. Mënyra e realizimit të projekteve është gjithashtu edhe më problematike se më parë. Ka një mungesë koordinimi mes operatorëve, enteve prokuruese dhe ofruesve të shërbimeve publike. Për shembull, sa mbyllet një rrugë, fillon të shqyhet asfalit pasi nuk kanë kaluar rrjetet kabllore elektrike, të të dhënave, etj. Projektet jepen në kushtet e mungesës së garës dhe në të gjithë kontratat e dhëna, ka rezultuar se fondet e kontraktuara kanë qenë pothuaj sa 100% e fondeve të planifikuara; mungon kontrolli dhe llogaridhënja për cilësinë e punëve publike të kryera dhe abuzimet që ndodhin në procesin e tenderimit, etj. Për shembull, në disa raste të studjuara për gjykimet që ka dhënë Komisioni i Prokurimeve Publike, i presupozuar që duhet të shërbejë si ëatchdog për transparencën e prukurumeve dhe si mbrojtës i interesave publike, rezulton se për të njëjtin ngjarje janë dhënë dy interpretime krejt të kundërta, duke provuar kapjen e plotë të procesit të prokurimeve publike nga interesa të grupeve të caktuara. Janë prokuruar vepra me rëndësi të madhe buxhetore jashtë procedurave më elementare të një shoqërie demokratike, sic janë inceneratorët. Qeveria ka shpikur një mënyrë të re të funancimit të investimeve publike, por për këtë temë po shprehem në pyetjen tjetër që më drejtoni.  Thënë me pak fjalë, mendoj se problemet me eficiencën e projekteve publike vazhdojnë të mbeten po aq serioze dhe në disa aspekte ajo është përkqësuar.

Zef Preçi, ekspert i ekonomisë: Investime janë oferta të pa kërkuara akaparojnë taksat që do të mblidhen gjatë 20-30 viteve që vijnë

Ajo që mendoj se është më shqetësuese është fakti se të gjitha këto investime janë oferta të pa kërkuara d.m.th. bizneset respektive (në shumicën e rasteve oligarkë të vërtetë) akaparojnë taksat që do të mblidhen gjatë 20-30 viteve që vijnë; qeveria nuk ka asnjë master plan të zhvillimit të sektorëve përkatës ku mund të integroheshin këto investime në funksion të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të vendit; këto investime nuk kanë asnjë element konkurrence dhe janë gjerësisht të dyshueshëm për korrupsion në nivelet më të larta të vendim-marrjes; qeveria është e frikësuar nga ndëshkimi potencial në të ardhmen e sidomos nga pasiguria e kontrollit të saj mbi drejtësinë që sjell procesi i vetingut dhe për këtë qëllim po fshihet pas përgjegjësisë kolegjiale dhe përdorimit të Kuvendit si koracë e ndëshkimit të paligjshmërisë dhe pasojave rrënuese mbi ekonominë tonë kombëtare në dy-tri dekadat e ardhshme; asnjë nga këto investime alla-shqiptare nuk kreditohet as nga bankat tregtare vendase dhe as nga institucionet financiare ndërkombëtare që mbështesin reformat në vendin tonë. Rishikimi i konçesioneve nga ana e qeverisë socialiste duhet të përdoret për të bërë transparencë, por njëkohësisht duhet kujdes me favorizimet. Ish-ministri i privatizimeve dhe njëkohësisht ekspert i njohur i ekonomisë, Zef Preçi, deklaron se duhet që të bëhet një rishikim i kuadrit rregullator të privatizimeve në vend. Sipas Preçit rishikimi i proçedurave të konçesioneve mund të ndikojë edhe në klimën e biznesit nëse nuk realizohet në mënyrë transparente. Zef Preçi sqaron se një konçesion i suksesshëm mund  të quhet në rast se jep efekte në përmirësimin e jetës së një komuniteti apo në rritjen e punësimit , pasi në të kundërt ai duhet rishikuar. Fakti që nuk ka investitorë “brand – name” të mirënjohur, fakti që nuk ka biznesplan. Me tre faqe biznesplan merret skanimi i kontejnerëve në Dogana, nga të cilat 210 mln euro hyn në xhepat e kompanive të huaja, me bashkëpunëtorë shqiptarë sigurisht. Këtu ka një problem të madh kushtetues, qeveria e ka mandatin 4 vite, e nuk ka asnjë të drejtë ekskluzive që të lërë peng për 25–30 vjet apo më shumë, pa pasur konsensus të mjaftueshëm edhe nga të tjerët, në këtë rast opozita. Pra, vendimmarrjet që kalojnë afatin qeverisës duhet të kenë konsensus të të gjithë Parlamentit.