Njerëz, pa asnjë lidhje me PS fyejnë kandidatin për kryetar partie

588
Pavarësisht se ishte njoftuar e diela dita kur PS në qarkun e Elbasanit, do të “zgjidhnin” (ose më saktë do të emëronin kongresmenët) delegatët për kongresin e 19 marsit, duket se gjithçka ka ndryshuar në mënyrë të rrufeshme. Ishte dita e shtunë ajo që ka shtyrë deputetin e Elbasanit Ben Blushi, të nisej drejt qytetit ku gjithmonë është votuar masivisht, dhe ndoshta rastësia më e bukur ishte kur ai është njohur nga votuesit e tij se “sot po emërojnë delegatët”. Kandidati i vetëm potencial për postin e kryetarit të PS në kongresin e 19 marsit, nuk ka vonuar shumë dhe i është drejtuar selisë së re të degës të socialistëve të Elbasanit, por atje sapo ka futur këmbët është ndeshur me një grup “militantësh” ku asnjërin prej tyre deputeti Blushi nuk e kishte parë kurrë, ndoshta nuk e kishte patur kurrë votues. Ishin të gjithë punonjës të shtetit (pa uniforma) të cilët nisën në si me sustë ti kërkonin llogari “çfarë kërkon ti këtu, pse nuk ke ardhur prej 2 vitesh në Elbasan, pse nuk na ke futur në punë, pse na ke lënë pa bukë”. Skenari ishte përgatitur mrekullisht, aq sa Blushi momentalisht u gjend i befasuar, por pastaj ka marrë situatën në dorë. Në krahun e “militantëve” qëndronte deputeti koordinator Balla dhe Kushi, të cilët u munduan disi ta qetësonin situatën, tek shikonin kolegun e tyre të përballej me korin e nëpunësve të shtetit (të veshur si militantë) tek i kërkonin llogari kandidatit për kryetar PS. Kjo skenë terrori psikologjik ndaj Blushit ka vazhduar prej 2 orësh, ndërkohë që ai kërkonte nga koordinatori Balla dhe deputetja Kushi të dinte mbi procesin e votimit, të sqarohej mbi parregullsitë e procesit të votimit, i cili kishte shkelje të Statutit të PS. Gjithçka ishte e kotë, gjithçka ishte përgatitur deri në detaje për të mos i lënë mundësi Blushit të bënte ndryshimin dhe të ndalte procesin e nisur. 

Përplasja Balla-Blushi
Procesi i votimit të delegatëve për në Kongres ka sjellë një përplasje të (pa) parashikuar gjatë ditës së shtunë mes deputetëve socialistë Ben Blushi dhe Taulant Balla. Kjo, pasi ndoshta Balla nuk e kishte menduar se Blushi do të shkonte atë ditë në Elbasan. Por ndodhja e rastësishme ndoshta e Blushit në Elbasan, dhe përpjekja e tij për të monitoruar disi procesin e votimit, ka ndeshur tek “pakënaqësia” e Ballës dhe militantëve. Në një prononcim për “Telegraf” Blushi tha se “kam konstatuar parregullsi skandaloze në ditën e procesit të votimit për delegatët në Elbasan, shkelje flagrante, po zgjidheshin zyrtarët, drejtuesit, njerëzit e Bashkisë Elbasanit, në listën e kandidatëve për delegat ishte edhe kreu i qarkut të Elbasanit, Bukurosh Stafa. Ai ka votuar në 2007 kur ishte deputet, për presidentin e Saliut, në Elbasan një kastë njerëzish ka në dorë gjithçka”. Ndërkohë Blushi duke parë shkeljet statutore duke votuar sipas urdhrave dhe preferencave delegatët ka replikuar për afro 10 minuta edhe me koordinatorin dhe deputetin socialist Balla. I ndodhur përballë turmës së dirigjuar dhe të porositur të “militantëve” ai i është drejtuar kolegut socialist Balla me fjalët se “Do bëni delegat bukuroshin e Saliut, bëjeni dhe do t’ia shikoni fundin, jeni duke bërë shkelje flagrante të Statutit të partisë, po votoni delegatë persona që nuk kanë asnjë lidhje me PS, persona që nuk janë afruar asnjë minutë tek PS, duke ju bërë ndere dhe presione, ndaj do të ishte mirë të shkonit në Librazhd atje ku edhe je votuar deputet, këtu në Elbasan jam unë”.

 Blushi i ka kërkuar Ballës të shkojë “të japë llogari tek baza e partisë, tek militantët e zhgënjyer, ndaj ti duhet të shkosh në zyrën e tënde të punës në Librazhd, pasi edhe atje socialistët e thjeshtë kanë probleme të shumta dhe duan ndihmën tënde”. Balla nga e tij, është shprehur se “është deputet i të gjithë qarkut, është koordinator i PS për qarkun e Elbasanit dhe Korçës, dhe e kam detyrim të ndjek procesin”. Në gjithë debatin e ndodhur mes dy deputetëve Blushi-Balla, të pranishëm ishin edhe “militantët e papunë” që kanë rrethuar kandidatin për kryetar partie dhe kanë nisur të flasin pa etikë duke e sulmuar me pyetje që nuk kishin lidhje fare me procesin e votimit të delegatëve apo hallet dhe problemet e bazës. Rrethimi i Blushi ka zgjatur afro 30 minuta, por ndaj tij u përdorën edhe metodat e tjera siç ishte terri ndaj gjithçkaje që ai kërkonte nga komisionet e votimit. Blushi ka kërkuar listat e anëtarësisë, afishimin e tyre në ambientet e selisë lokale, njohjen me stafin e komisionit të votimit, largimin e njerëzve që ushtronin presion mbi votuesit, zbrazjen e selisë lokale nga njerëz të panjohur, dhe largimin e personave që u qëndronin pranë votuesve duke ju kujtuar atyre “kujdes porosinë”. Blushi ka kërkuar ndaljen e procesit të votimit, por Balla ka deklaruar se “ai ka nisur dhe po vazhdon normalisht sipas të gjitha rregullave statutore, ndaj kërkesa juaj nuk qëndron”. Duke u gjendur përballë kësaj situate Blushi deklaroi se “kjo që po ndodh sot në Elbasan mbetet skandaloze, e tmerrshme, po manipulohet dhe blihet gjithçka, një kastë njerëzish kanë gjithçka në dorë këtu, por unë do ta vazhdoj betejën time, nuk ndalem”. 

Reagimet e militantëve: “Blushi ka të drejtë, ne e mbështesim”!
E ndërsa Blushi dilte nga “rrethimi”, dhjetëra e dhjetëra militantë jashtë selisë së PS lokale nisën ta përshëndesnin dhe t’i shprehnin atij mbështetjen. Adili ishte një prej tyre, militant i vjetër i PS, qysh nga themelimi dhe pasi e ka takuar Blushin i deklaroi se “caktimi i delegatëve ishte një farsë, skandal, u përzgjodhën të gjithë servilët, njerëzit dhe farefisit e zyrtarëve të Bashkisë, Qarkut dhe Prefekturës, jemi të tradhtuar, ndaj vazhdoje betejën sepse PS po kthehet në çiflig, organizatat janë inekzistente”. Edhe një tjetër militant i ndodhur në ambientet jashtë selisë lokale i quajtur Andoni dhe që njihej me Blushin, ka nisur të shprehet i indinjuar dhe i ka kujtuar atij se “kemi 3 vjet që nuk takojmë një drejtor or burrë, një zyrtar, nuk na pret njeri as tek partia, as edhe tek zyrat e shtetit, jemi 4 persona në shtëpi të papunë, na mbytëm hallet, problemet, taksat, pse për këto gjëra votuam për PS ne, dhe u rrahëm nga Saliu 25 vjet, partia po shkatërrohet dhe është marrë peng nga një grup njerëzish që kanë mbushur zyrat me njerëzit e tyre dhe janë mbushur me para, janë bërë milionerë dhe nuk pyesin fare për bazën, për ne që dhamë votat, dhe janë kthyer në borgjezë me paratë tona”. Pro Blushit janë pozicionuar edhe disa ish-anëtarë të kryesisë degës lokale, të cilët kanë shprehur mbështetjen ndaj tij, dhe e kanë garantuar se “në rast se formon partinë e re, strukturat dhe votuesit i ke gati në Elbasan”. Blushi deklaroi se “duke pasur frikën e ndëshkimeve, shumica e anëtarëve të kryesisë më kanë telefonuar të shtunën dhe më kanë siguruar për mbështetjen e tyre”. 

Ardhja me urgjencë e Ramës 
E ndërsa të shtunën paradite gjendej në Zharrës të Fierit për ndarjen e “tapive” të legalizimit, kryeministri Rama ka mbajtur kontakte të vazhdueshme veçanërisht me Elbasanin, ditën e votimit për delegatët e kongresit. Ai është njohur minutë pas minute, lidhur me atë që po ndodhte në qytetin e Elbasanit, duke u informuar në detaje qysh nga arritja e Blushit tek selia lokale, tek përballja me “militantët”, tek deklarimet e tij për mediat, tek përballja me Ballën, tek denoncimet e tij, dhe deri tek largimi drejt Tiranës pas 2 orësh. Por duket se nuk është qetësuar, edhe pse informacioni i ka vajtur se “Elbasani po ecën sipas parashikimeve, procesi normal”. Ai ka mbyllur takimin me banorët e legalizuar të Zharrës, dhe është nisur drejt Elbasanit, ku ka mbërritur drejt dhe tek selia e re e PS të atij qyteti. Kryeministri dhe kryetari PS zoti Rama është njohur fillimisht me procesin e votimit të delegatëve, problemet, dhe ka marrë një informacion të detajuar mbi përballjet e konkurrentit të tij Blushi me “bazën” dhe Ballën. Kryeministri Rama qëndroi për afro 1 orë në Elbasan, dhe është siguruar se “procesi do të mbyllet me sukses”. Ardhja me urgjencë e Ramës në Elbasan, përkoi me ardhjen e rastësishme të Blushit, i cili detyrimisht duhej të ishte njoftuar nga selia lokale e PS për ditën dhe datën e saktë të mbajtjes së votimeve për delegatët e kongresit. Meraku i Ramës lidhej edhe me mundësitë e zbulimit të parregullsive nga Blushi, për procesin e votimit në Elbasan, duke e ditur se konkurrenti i tij ka një mbështetje të madhe në atë qytet. Pavarësisht përzgjedhjes preferenciale të delegatëve, burime nga Elbasani thanë se: “në kongres do të ketë surpriza të këndshme në favor të Blushit, që ndoshta mund t’i hapin telashe koordinatorëve dhe vetë kryetarit që u ka besuar atyre fatin e rikonfirmimit të tij në krye të partisë dhe se në kongres do të zgjidhnin njerëzit e besuar”. 
Alma Jonuzi
Sigal