Njazi Jaho: Mosinformimi për listat zgjedhore, me pasoja, pse heshtin partitë?

466
Njazi Jaho, konsitucionalist, në intervistën për gazetën “Telegraf”, ngrë problem shqetësues që ende nuk zbatohet detyrimi ligjor i Kodit Zgjedhor, për informimin e çdo zgjedhësi, për qendrën ku ai do të votojë, por edhe pse ende nuk janë publikuar listat. Konsitucionisti Jaho thekson që është enigmë përse heshtin partitë politike e subjektet zgjedhore për listat e zgjedhësve, meqë në të kaluarën gjithmonë këto janë bërë objekt i tensioneve politike. Zoti Jaho thekson se çdo qytetar, që nuk e gjen emrin as në listën përfundimtare, ka të drejtë që edhe para 24 orëve të datës së zgjedhësve t’i bëjë kërkese gjykatës, pa asnjë pagesë dhe vendimi i saj jepet edhe 6 orë para se të mbylet votimi, që çdo qytetar të gëzojë të drejtën të votojë. 
Zoti Jaho, edhe 2 muaj nga ndajnë nga zgjedhjet e 21 qershorit 2015, ndërkaq për listat e zgjedhësve nuk flitet fare dhe nuk ka asnjë informacion të publikuar. Ju, çmëndoni, a është normale kjo heshtje?
Lista e zgjedhësve është dokumenti i vetëm në bazë të se cilës votohet. Për listat e zgjedhësve në të gjitha zgjedhjet e deritanishme, ka patur vërejtje për gabime dhe mungesa të shumta dhe mangësi të tjera. Në këto zgjedhje, deri tani nuk kemi dëgjuar të flitet për to. Ky fakt të bën përshtypje. Ndaj unë mendoj se duhet të kishte më tepër vëmendje, sidomos në kushtet e organizimit të ri administrative-territorial. Nuk besoj se çdo gjë të ketë shkuar si në vaj. Kur në çështje të tilla ka heshtje, ose listat janë të sakta, ose nga zgjedhësit është treguar interes i veçantë dhe mungesat janë korrigjuar, ose ka nënvlerësim. Nuk mund të përjashtoj rastin që kjo qetësi të jetë fiktive, edhe pse nga zgjedhjet e 21 qershorit, na ndajnë vetëm 2 muaj. Pikërisht për këtë, do të duhej të kthehej vëmendja edhe nga ky problem. Në radhë të parë, vetë zgjedhësit duhet të tregojnë interes për t’u njohur me këto lista, por edhe sensibilizimi i tyre në këtë drejtim do të ndikonte pozitivisht. 
Sipas Kodit Zgjedhor, kush i harton, i mbikqyr dhe i kontrollon publikimin në kohë të listave të zgjedhësve?
Kodi Zgjedhor ngarkon me hartimin e listave të zgjedhësve zyrat e gjendjes civile të organeve të qeverisjes vendore. Nën mbikëqyrjen e kryetarit të qeverisjes vendore dhe me firmën e tij, ato publikohen. Ky publikim me listatë korrigjuara (kur korrigjimi ka qënë i nevojshëm), përsëritet deri në shpalljen e listave përfundimtare të zgjedhësve.
Në Kodin Zgjedhor a parashikohet ndonjë mekanizëm tjetër, që të ndjekë dhe të kontrollojë publikimin e listave të zgjedhësve?
KQZ-ja, sipas pikës 4 të nenit 50 të Kodit Zgjedhor, mbikqyr procesin e hartimit të listave zgjedhore, administrimin e zonave të qendrave të votimit dhe të numrit të zgjedhësve për çdo qendër votimi. Për këtë, ajo i kërkon informacion drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile dhe njësive të qeverisjes vendore. KQZ-ja ka gjithashtu edhe dy audite, që veç të tjerave, kontrollojnë edhe ecurinë e këtij procesi. Zyrat rajonale, që janë në varësi të KQZ-së, sepse ngrihen nga ajo, janë të detyruara të zbatojnë detyrat që burojnë nga ky Kod (këtu përfshihet edhe procesi i hartimit, publikimit dhe korrigjimit të listave të zgjedhësve).
A është publikuar ndonjë e dhënë, se sa kërkesa i janë bërë deri më sot zyrave të gjendjes civile nga zgjedhësit për korrigjimin e listave dhe sa nga këto kërkesa janë pranuar, apo refuzuar?
Nuk e di që të jenë publikuar të dhëna të tilla. 
Si shpjegohet që asnjë parti politike, apo subjekt zgjedhor nuk kanë bërë vërejtje për listat e shpalluara të zgjedhësve?
Nuk di të jenë bërë vërejtje të tilla, megjithëse Kodi Zgjedhor nuk u jep atyre të drejtën për korrigjimin e listave nëpërmjet kërkesës drejtuar zyrave të gjendjes civile, siç veprohet me zgjedhësit. Në pikën 1 të nenit 60 të Kodit Zgjedhor thuhet se listat e zgjedhësve vihen në dispozicion të subjekteve zgjedhore, ose sipas rastit, partive politike me kërkesën e tyre nga kryetari i njësisë së qeverisjes vendore ose Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile. Të bën përshtypje fakti se nuk kemi dëgjuar ndonjë deklaratë nga kjo apo ajo parti politike se janë lënë jashtë listës së zgjedhësve të këtij apo atij pallati, apo grupe pallatesh, siç ka ndodhur në të kaluarën, ose se janë konstatuar dublime të shumta, etj. 
Në zgjedhjet e kaluara, para shpalljes së listave përfundimtare të zgjedhësve, zgjedhësit janë njoftuar edhe në banesat e tyre. Mos vallë me ndryshimet që iu bënë Kodit Zgjedhor, ky detyrim është hequr?
Jo, kjo dispozitë e Kodit Zgjedhor për njoftimin e zgjedhësve në banesat e tyre (detyrë kjo e kryetarit të qeverisjes vendore), nuk ka pësuar asnjë ndryshim. Megjithkëtë, sipas disa të dhënave dhe sondazheve që janë bërë, rezulton që ky detyrim ligjor nuk është zbatuar. Zbatimi i kësaj detyre, mendoj se do të ndikonte mjaft në dijeninë e zgjedhësit, nëse është ose jo në listë dhe në cilën qendër votimi. Kjo do të nxiste zgjedhësit që nuk figurojnë në listë, të kërkojnë korrigjimin e saj. Duhet pranuar së shumë zgjedhës të bindur se kanë në listë, nuk shkojnë të njihen me to. Për këtë, ndoshta ndikon edhe indiferentizmi i zgjedhësit.
Kur zgjedhësi nuk e gjen merin në listën përfundimtare, çfarë duhet të bëjë?
Së pari, t’i drejtohet zyrës së gjendjes civile, ku ai është i rregjistruar. Nëse kërkesa e tij do të rrëzohet, si brenda 5 ditëve duhet t’i drejtohet gjykatës. Shpenzimet e gjykatës janë falas për zgjedhësin. 
Cili është afati i fundit kur duhet të publikohen listat përfundimtare të zgjedhësve?
Sipas Kodit Zgjedhor, listat përfundimtare të zgjedhësve i dërgohen KZAZ-së së zonës përkatëse, jo më vonë se 35 ditë para datës së zgjedhjeve. Lista publikohet pranë qendrës së votimit në një ambjent me aneks të lirë për zgjedhësit. Një kopje i dërgohet KQV-ve, që do të përdoret gjatë votimit. Lista përfundimtare e zgjedhësve, pas publikimit, nuk mund të pësojë ndryshime. 
Po nëse edhe në listën përfundimtare të zgjedhësve ka mungesa, apo pasaktësi që mund të kenë ardhur për shkaqe të ndryshme, si veprohet?
Ligjbërësi e ka parashikuar edhe këtë rast, por kjo kërkon interesimin e zgjedhësit. Pa e parë vetë listën përfundimtare, ai nuk duhet të krijojë bindjen absolute se emri i tij s’ka pse të mos figurojë në listë. Praktika ka vërtetuar se mëgjithëse zgjedhësi figuron i regjistruar në gjendjen civile dhe emri i tij ka qenë në listat e mëparshme, në listën përfundimtare nuk është shënuar. Arsyet për këtë mangësi mund të jenë nga më të ndryshmet. Prandaj zgjedhësi për të ushtruar të drejtën e tij të votës, duhet të sigurohet se emri i tij figuron në listën përfundimtare. Për këtë ai mund të njoftohet edhe nga familjarët, miqtë, etj. Në Kodin Zgjedhor thuhet se kur zgjedhësi vëren se emri i tij nuk është në listën përfundimtare, se në emrin apo mbiemrin e tij ka pasaktësi, se nuk është regjistruar në asnjë nga listat e përgatitura nga njësia e qeverisjes vendore, ku ai ka vendbanimin, ka të drejtën t’i drejtohet gjykatës edhe 24 orë para datës së zgjedhësve. Për kërkesën nuk do të bëhet asnjë pagesë. Gjykata mund të japë vendim edhe 6 orë para mbylljes së votimit. Kërkesës duhet t’i bashkangjitet një vërtetim se i zgjedhuri figuron në rregjistrin e gjendjes civile dhe një vërtetim nga KZAZ-ja se emri i tij nuk figuron në listën përfundimtare. Nëse gjykata vendos në favorin e kërkuesit, zgjedhësi ditën e votimit voton si gjithë të tjerët, duke i paraqitur komisionit të qendrës së votimit KQV-së vendimin e gjykatës. 
-Faleminderit!
Sigal