Nishani: Reforma në drejtësi rrezikon degradimin

495
Ish-presidenti i Republikës, Bujar Nishani, u shpreh se reforma në drejtësi po rrezikon degradimin. “Opozita ka kundërshtuar ashpër ndërhyrjet më të fundit të qeverisë dhe maxhorancës parlamentare në procesin e reformës në drejtësi. Përmes një letre të saj drejtuar autoriteteve ndërkombëtare që janë përfshirë në këtë proces është denoncuar mosmiratimi i strukturave të nevojshme për proçesin si dhe përzierjen e strukturave të supozuara të pavarura me strukturat e qeverisë (Ministria e Jashtme dhe e Drejtësisë)”, nënvizoi Nishani. Sipas tij, beteja për të hedhur një shtrat të vërtetë dhe të sigurt për një reformim të plotë, të shëndetshëm dhe afatgjatë të sistemit të drejtësisë është ende e mundshme për t’u fituar. “Aula e Parlamenti ku do të merren dhe vendimet përfundimtare ofron plot mundësi. Për fat numrat e forcave opozitare në Kuvend janë më të mëdha se në legjislaturën e kaluar ku shumë ligje kaluan në injorim total të opozitës. Bashkërendimi opozitar dhe komunikimi praktik me opinionin publik do të ishte mekanizmi më efikas i garantimit të drejtësisë në reformën e drejtësisë”, nënvizoi ish-Kreu i Shtetit, duke kërkuar një bashkëpunim të hapur mes Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Sigal